Thanas Dino – një bard i penguar në letërsinë shqipe

Thanasi nuk donte të identifikohej me kështjellat e “pamposhtura” të socializmit ngadhënjyes, as me betejat për komunizmin. Prej këtij trilli të pafajshëm poetik, e morën për xhakete dhe e vërvitën fshatrave të Gjirokastrës si mësues

Josif Papagjoni

Fillesat e miqësisë me Thanas Dinon i kemi herët, qysh kur atë, pas studimeve për letërsi, e mbajtën në Tiranë si redaktor në gazetën “Drita”. Dhe të të mbanin asohere në Tiranë, ca më tepër një djalë që vinte nga “provinca”, nga qyteti i gurtë i Gjirokastrës, me origjinë greke, nuk ishte e lehtë. Duhej një mal me merita e talente që të sfidoje aradhën gjithë pekule të njerëzve të lidhur me forumet partiake e pushtetore, të cilët kishin kyçet e “Pallatit të ëndrrave” dhe të të emëronin atje ku përnjëmend gatuheshin ëndrrat. Ishte pikërisht talenti i tij që ia hapi udhën në pjesën e epërme të asaj elite të pakët krijuese e intelektuale të kohës gjithë kufizime dhe idiotësi pa fund. Dhe mendja poetike e Thanasit donte të fluturonte qiejve të fantazisë, të dilte prej “Pallatit të ëndrrave” për një tjetër ëndërr, duke e animuar një fik deti, këtë dru e frut hyjnor qysh nga Bibla, e duke e kthyer në vetvete. Kaq. Thjesht një trill poetik. Sepse ai donte të ishte VETVETJA, një falltar i saj. S’u bë qameti, de! Mirëpo u bë përnjëmend “qameti”!… Falë teknikës së njohur të poezisë, asaj të shpirtëzimit (animimit), pra dhënies së identitetit tënd shpirtëror një druri, që kish si veçanti ëmbëlsinë e frutit e njëherazi edhe gjembat hollak e të hidhur, që të nguleshin lëkurës teksa ti e prekje e rrekeshe ta këpusje.

Vërtet a s’është dhe shpirti i poetit i tillë, i ëmbël dhe i hidhur, grishës dhe gërricës? Thanasi s’e kishte menduar aq hollë, thjesht mendja e tij kishte vrapuar përkrah metafora grishëse dhe kish mbetur mbi atë fik buzë detit. Por ajo metaforë e bukur poetike u kap nga “ustallarët” e indoktrinuar të estetikës marksiste, madje u shndërrua në diskutim teorik në faqet e shtypit e gjithkund, dhe ja ku veshët e paranojakut dhe gjithollogut Enver Hoxha, që ishte zot sa i fshehtësirave të puseve të naftës, aq dhe i metaforave fine, simboleve dhe kodeve letrare poetike, e kapën këtë “tingull” të ri të poezisë shqipe dhe saora lëshoi frymën e tij të qelbur prej Kutisë së Pandorës, për ta mbytur atë tingull, atë zë, atë shpirt të brishtë që vinte prej një djaloshi të dëlirë prej Gjirokastrës së gurtë. Sepse Thanasi, ndofta, nuk donte të identifikohej me kalatë dhe kështjellat e “pamposhtura” të socializmit ngadhënjyes, as me betejat, përbetimet e frikshme dhe theroritë për komunizmin, përkundrazi donte të strehohej diku te Fiku i Detit, aty, përballë njomështisë, jodit, shkëmbit, dallgës, pafundësisë, vetë kozmosit… Asiherë, prej vetëm këtij trilli të pafajshëm poetik, e morën për xhakete dhe e vërvitën fshatrave të Gjirokastrës si mësues. Skërkave, honeve e monopateve, nëpër monopate e dhiare, ai i ra kryq e tërthor atyre viseve, dhe njohu nga afër njerëzit. E thjeshta e bëri të kuptojë madhështinë: nuk qenë “kalatë e pamposhtura”, as “vallet në gojën e ujkut”, por të bukurit dhe të munduarit NJERËZ. Falë punës, vullnetit, ambicies së mirë, ngulmit, sigurisht edhe talentit, ai e shndërroi poshtërimin dhe picirin e hequr, në dashuri e Njeriut për Njeriun, në ngulm dhe miqësi pa qibër, në bredhjet e pafunda prej gazetari viseve të jugut duke shkruar me qindra e qindra reportazhe, portrete, artikuj. Në gazetarinë e tij ndihej si drithërimë e përshpirtje poezia, letërsia. Dramatizoi romanin e njohur të Dritëro Agollit, “Njeriu me top”, që ishte nga shfaqjet më të mira në historinë e teatrit të Gjirokastrës, ndërsa Ismail Kadare ishte nga miqtë e tij.

Pena poetike letrare e Thanasit qe e futur thellë në xhepin e brendshëm të xhaketës, nuk gjente as lirinë e kërkuar si kusht krijimi të çlirët, as frymëzimin e vetvetishëm e pa kushte. Por siç ndodhi me shumëkë tjetër, pas vitit 1990 ajo penë doli sërish prej xhakete dhe Thanasi, me frikën dhe panikun e vonesës teksa koha na plak, u sul arës së letërsisë për të thënë e shprehur ato që më parë s’mundej dot assesi. Dhe prej asaj pene të talentuar unë kam lexuar disa romane, ku do të veçoja romanin SHENJA E SHENJË, një roman epope, sido që i vogël në vëllim. S’di pse gjithë ajo ecejake njerëzish, zakonesh, dokesh, historish, antropologjish më kujton Tolstoin, por dhe Kazanzaqisin. Një vegim sa i hapur, lëvrinjës, aq dhe shumështresor, me një rrënjë të forta identitare, një aventurë jetë e histori të habitshme plot rremba gjaku.

Portretet

Është një popull që lëviz kufijve të dy vendeve historikisht bashkë, Greqisë dhe Shqipërisë, kur guri yt bëhet shpirti im dhe ku rrënja jote kthehet në fletën time. Një roman ku ti ndjen se shpirti i popujve është NJË, ku humanizmi sublimohet në bukuri estetike. Më tej ai botoi romanin tjetër, MESI, i një vështrimi të pamëshirshëm, pa iluzione, si një radiografi e kaheve të Luftës II Botërore, mbushur me urrejtje dhe vetmohim, vrasje e hakmarrje, që mua sepse më kujton “Donin e qetë” të Shollohovit apo, mbase, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” e Remarkut a modeli i romaneve të Hemingueit, me atë paanësi prej shkrimtari që njeriun e sheh veçse si njeri. Dhe fill më pas vjen romani demitizues, PRISHJA, një optikë e ftohtë dhe kritike për mendjen kriminale të Ali Tepelenës, një mizor që njëson brenda historisë së tij karrierën e përgjakur prej pashai turkoshak, ambicjen për pushtet e Vilajet të madh dhe sjelljet e habitshme prej trimi-armatoll i krisur, siç kishte qenë dikur. Ndërsa libri… ka një mori portretesh, sekush në vetjakësinë e tij, por të gjithë të habitshëm, të papërsëritshëm, kokëkrisur, bëma e gjëma që kullojnë epizëm, tragjedi, kokëkrisje, heroizëm, poezi, bukuri njerëzore. Me pak fjalë Thanasi na ka dhënë në romanet e tregimet e tij portrete të jashtëzakonshme, njerëz të habitshëm, me krisjet e tyre çudane si personazhet e Agollit, apo groteskë dhe tragjikomikë si ata të Kadaresë. Jam i përkëdhelur që e kam pasur dhe e kam mik Thanas Dinon.

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet