Thaçi takon Zaevin në Shkup, ja çfarë thotë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

“Maqedonia përshëndet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Maqedonia mbështet zgjidhjen që do të përforcojë paqen dhe stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme që liderët e rajonit të bashkohen në rrugën drejtë integrimit euro-atlantik”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i Republikës së Maqedonisë, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Shkup, bën të ditur Alsat-m.

Ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi rendësin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke shtuar se edhe ndërtimin e autostradës, e cila do të mundësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

“Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë çështje të hapur, janë dy shtete mike me një bashkëpunim të shkëlqyer”, deklaroi Hashim Thaçi, president i Kosovës, i cili njëherit përshëndeti edhe arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, ndërkohë që theksoi edhe rendësin e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast u shpreh i prerë se një marrëveshje e tillë do të jetë shumë e vështirë.

Atje, sipas KosovaPressit,Thaçi deklaroi se Kosova është unike sa i përket dialogut me Serbinë. Ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë në gjirin e vet vende me probleme të hapura, andaj sipas tij kjo është një shtysë që këto negociata për normalizimin e marrëdhënieve të vazhdojnë.

“Kosova është unike sa i përket dialogut. Të gjithë e dinë që pa dialog dhe pa negociata me Serbinë nuk do të mund të arrijmë marrëveshje paqësore me Serbinë. Sot BE-ja është duke u modernizuar por edhe ka hapur dyert për ne. Por BE-ja nuk pranon në gjirin e vet vende me problematika të hapura”, ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi ka thënë se negociatat me Serbinë do të intensifikohen në të ardhmen, mirëpo një gjë e tillë do të ketë kosto të madhe.

“Ne veç kemi filluar të diskutojmë, negociatat do të intensifikohen në të ardhmen, një marrëveshje mund të shtyhet, por do të jetë me një kosto të madhe. Marrëveshja do të jetë një kompromis i debatueshëm në Kosovë e Serbi”, ka thënë ai.

Thaçi ka përmendur edhe demarkimin e kufirit mes Kosovës e Serbisë.

“Duhet të jemi realistë, duhet përmbyllet procesi i demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë e që është rreth 430 kilometra. Marrëveshja do të jetë e frymës evropiane dhe e koordinuar në plotni me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim do të kemi një proces kompleks, në të cilin do të ketë debate dhe refuzime jo të lehta”, ka shtuar Thaçi.

Presidenti i vendit ka folur edhe për rezolutën e propozuar nga përfaqësuesit e Luginës, për bashkim me Kosovën, ku ka thënë se e mbështetë fuqishëm një rezolutë të tillë, ndërkaq që ka shtuar se Kuvendi i Kosovës do të vendosë në bazë të bindjes së partive politike

“Unë personalisht e mbështes fuqishëm, në parlament janë partitë dhe atyre u mbetet të deklarohen. Mirëpo unë do ta respektoj vendimin e Kuvendit të Kosovës. Në rast të një arritje të një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, procesi do të kalojë përmes një referendumi e pastaj në parlament. Pra do të vendosin qytetarët e Kosovës dhe nuk do të mund të pengohet nga asnjë grup apo individ”, ka përfunduar Thaçi. Presidenti Thaçi po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin fqinjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet