Tërmeti i 1979-s në dokumentet e kohës

Shkaktoi 35 të vdekur dhe 176 të plagosur në Shkodër e Lezhë. U shkatërruan 1730 shtëpi banimi

Më 15.4.1979 ora 07.19 një tërmet shumë i fortë me magnitudë 7.25 sipas shkallës Rihter ndodhi 130 km në veriperëndim të Tiranës, me epiqendër në detin Adriatik. Intensiteti i tërmetit në epiqendër ka qenë mbi 9 ballë sipas shkallës MSK-1964. Është ndër tërmetet më të fortë të regjistruar në këtë shekull në territorin e Ballkanit.

Në territorin e vendit tonë, në bregun e lumit Buna intensiteti i tërmetit ka qenë rreth 8 ballë. Tërmeti shkaktoi 35 të vdekur dhe 176 të plagosur në rrethet e Shkodrës dhe të Lezhës. Në këto dy rrethe u shkatërruan 1730 shtëpi banimi dhe u dëmtuan 5115 shtëpi banimi, objekte ekonomike dhe social kulturore. Dëme u shkaktuan edhe në rrethet Krujë, Pukë, Dibër, Tropojë, Mat dhe Mirditë. Lëkundjet e këtij tërmeti u ndjenë në të gjithë territorin e vendit tonë, si dhe në gjithë Jugosllavinë, Greqinë Veriore, në Bullgari, në Itali, në Austri dhe në Gjermaninë jugore. Tërmeti shoqërohet me shumë pas goditje. Deri në orën 21.00 stacioni qendror i Tiranës ka regjistruar 206 pasgoditje, disa nga të cilat kanë patur magnitudë mbi 4.0. Më e forta nga to ndodhi në orën 15.43 me magnitudë rreth 6, sipas shkallës Rihter; lëkundjet e kësaj goditjeje janë ndjerë edhe në Tiranë.

Nga njoftimet e Degëve të Punëve të Brendshme rezulton se në Shkodër veç të vrarëve e të pla..gosurve janë dëmtuar 80 % e shtëpive të zonës së Velipojës, Bushatit, Barbullushit, në zonën e Dajçit dhe në fshatin Pentarë janë rrënuar krejtësisht 80% e shtëpive. Janë dëmtuar rëndë banesat e pikave kufitare Reç, Pulaj, Rushkull e Pentarë, kurse në efektiv nuk ka asnjë dëm. Në Lezhë ka dalë jashtë përdorimit furra e bukës të qytetit, është dëmtuar depoja e vjetër e ujit të pijshëm të qytetit, rrjeti elektrik dhe ai i ujit, ndërsa në fabrikën e letrës kanë ndërprerë prodhimin dy reparte.

Në Rrëshen ka patur 3 të plagosur, 3 shtëpi të shkatërruara dhe 40 të dëmtuara. Në Krujë është plagosur një person, janë dëmtuar 10 shtëpi dhe është dëmtuar lehtë ura e Matit (qarkullimi vazhdon normalisht). Në Mat janë dëmtuar 26 shtëpi. Në Dibër janë dëmtuar krejtësisht 7 shtëpi, ndërsa të tjera janë dëmtuar pjesërisht (midis tyre 8 objekte social kulturore). Është dëmtuar lehtë godina e p.k. Milninë dhe e pikës në hapjen në Fushë Çidhën.

Kanë ngordhur 5 kokë dhi. Në Durrës në qytet janë dëmtuar rreth 80 ml mure rrethuese shtëpish, linja telefonike Manzë-Ishëm është ndërprerë, ndërsa në shkollën industriale të ndërmarrjes së peshkimit janë rrëzuar 30 ml mure rrethuese. Në Kukës është plagosur një person dhe janë rrëzuar disa oxhaqe (në Bushtricë), ndërsa në fshatin Arrëz u rrëzua një depo plehu kimik dhe disa oxhaqe. Deri në orën 21.30 datën 16.4.1979 stacioni qendror i Tiranës ka regjistruar gjithsej 513 pasgoditje të tërmetit të datës 15.4.1975.

Pasgoditja më e fortë ra në orën 11.04 me intensitet në qendër 7 ballë MSK-1964, në Shkodër 6 ballë, ndërsa në Tiranë 3 ballë. Nga studimi i shpërndarjes së hapësirës së pasgoditjeve të tërmetit të datës 15.04.1979 rezulton se aktiviteti sizmik zë në zonë thuajse lineare me gjatësi rreth 100 km përgjatë bregdetit Adriatik, rreth 20-30 km larg bregut, nga Ulqini deri në Hercegovinë. Lëkundjet sipas mendimit tonë, do të vazhdojnë dhe për një kohë relativisht të gjatë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet