Tërmetet, ja shtetet dhe grupimet që dhuruan donacione

Mblidhen fonde për të dëmtuarit nga tërmeti. Emiratet e Bashkuara Arabe dhurojnë 3 milionë euro. Ish-ushtarakët dhurojnë 10 % të pensionit. Sipërmarrësi, Behgjet Pacolli fal 1 mln euro. Miliona dollarë edhe nga fondacionet

Erjon Dervishi

Tërmeti shkatërrues që goditi Shqipërinë ka marrë vëmendjen dhe solidarizimin absolut të rajonit, Bashkimit Europian dhe SHBA-ve, por edhe individëve e organizatave brenda vendit. Nga shumë vende të botës nuk ka munguar solidariteti njerëzor dhe ndihmat e ekipeve të specializuar në emergjencat civile. Deri dje janë arritur që të mblidhen rreh 1 milionë dollarë nga donacionet e emigrantëve në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, sikundër miliona dollarë janë mbledhur edhe nga nismëtarë e filantropë të ndryshëm në vend.

Emiratet e Bashkuara Arabe

Emiratet e Bashkuara Arabe do të ofrojnë ndihmën e tyre prej 13 milionë AED, ose 3 milionë euro, për viktimat e tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor të 2019. Ndihma humanitare do të dërgohen nga princi Shejh Mohamed Bin Zayed Al Nahyan dhe Zëvendës Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Emiratet e Bashkuara Arabe. Faza e parë e ndihmës urgjente humanitare, e cila përfshin nevojat themelore që variojnë nga ushqimi deri tek furnizimet mjekësore dhe strehimi do të përfitojnë 555,000 njerëz. Persona të ndihmës së shpejtë në Emiratet e Bashkuara Arabe do të udhëtojnë drejt kryeqytetit shqiptar këtë të diele, për të menaxhuar dhe mbikëqyrur shpërndarjen e ndihmës në vendet më të prekura.

Papa Françesku

Kreu i Slisë së Shenjtë, Papa Françesku, përmes Departamentit të Vatikanit për Zhvillimin Integral Njerëzor, dërgon një kontribut prej 100 mijë eurosh për të ndihmuar popullsinë në fazën e emergjencës në Shqipëri. “Deri sot, kujton ministria e Vatikanit, ka dhjetëra viktima dhe të paktën 600 të plagosur, por shumë njerëz janë ende nën rrënoja. Tërmeti ka lënë dëme të mëdha pas: ndërtesave të shembura dhe qindra njerëz të pastrehë. Shuma e akorduar do të përdoret në dioqezat e përfshira në tërmet në lehtësim dhe ndihmë, në marrëveshje me nunciaturën apostolike në Shqipëri”. Papa Françesku u ka dërguar “ngushëllimet e tij të përzemërta” të mbijetuarve nga tërmeti që goditi Shqipërinë herët të martën në mëngjes.

Sipërmarrësi dhe politikani i Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Begjet Pacolli ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se familja e tij do të kryej një donacion prej 1 milion euro në ndihmë të personave të goditura në tërmetin shkatërrues në Shqipëri. Pacolli shkruan se u trondit kur pa “dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë 1 milion euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur”, u shpreh Z. Pacolli.

Pensionistët

Për tërmetin e 26 nëntorit solidarizim ka pasur edhe nga shoqata apo grupime të ndryshme brenda vendit. Një prej tyre, grupimi i ushtarakëve në pension ka vendosur që të falë për të lënduarit 10 për qind të masës së pensionit të muajit dhjetor. Po ashtu, ata bëjnë thirrje, që edhe ndihma tradicionale e Vitit të Ri të shkojë për llogari të të prekurve në qarqet e Tiranës, Durrësit e Lezhës.

Shoqatat

Llogari për të prekurit nga tërmeti kanë hapur edhe fondacionet apo shoqatat bamirëse. Fondacioni i Elvis Naçit, njofton se ka mbledhur deri tani 558 mijë dollarë. Ndërsa fondacioni “Fundjava Ndryshe” i Arbër Hajdarit ka mbledhur deri më tani, 1,423,870 dollarë. Një tjetër nismë është edhe ajo e gazetarit të Marin Mema së bashku me “Rrënjët Shqiptare” që ka mbledhur në 2,1 milionë USD.

OKB dërgon ekspertët e saj për të vlerësuar dëmin

Dy ekspertë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që merren me vlerësimin e katastrofave dhe koordinimin e punës për kapërcimin e pasojave, kanë shkuar në Shqipëri në ndihmë të qeverisë shqiptare, një ditë pas tërmetit. “Dy anëtarët e ekipit të mbështetjes teknike mbërritën sot (dje) në Tiranë duke iu bashkangjitur ekipit europian të mbrojtjes civile, për të ndihmuar qeverinë në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit,” tha dje zëdhënësi i OKB, Stephane Dujarriç në konferencën e përditshme të shtypit mbajtur në selinë e OKB në Nju Jork. Dujarriç pati njoftuar një ditë më parë dërgimin e dy teknikëve të OKB në Shqipëri. Ai dha të dhënat e ditës së djeshme për numrin e viktimave që kanë humbur jetën, janë lënduar apo janë shpëtuar, duke shpjeguar se “operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë duke u ndihmuar edhe nga ekipet ndërkombëtare të vendeve fqinjë”.  Zyra e OKB që merret me vlerësimin dhe koordinimin në raste katastrofash, UNCTAD, ndihmon vendet në fazën e parë të krizave që shkaktohen nga tërmete, uragane, përmbytje apo gjendje të tjera kritike. Duke i dërguar ngushëllimet e OKB familjarëve të viktimave, Dujarriç siguroi në emër të OKB se: “ne sigurisht që jemi të gatshëm të dërgojmë ndihmë të mëtejshme për qeverinë e Shqipërisë”.

Gjermania

Organizata joqeveritare gjermane “Johanniter” ka nisur drejt Shqipërisë disa kamionë me ndihma, kryesisht ushqime për të dëmtuarit nga tërmeti i datës 26 nëntor. Mbledhja e këtyre ndihma ka nisur një ditë pas tërmetit prej shkollave gjermane, sipërmarrjet private dhe individët. Më pas ato me anë të një organizimi të mirëfiltë do të mëbërrijnë në Shqipëri për të shpërndarë ndihmat e mbledhura.

Shqiptarët e Maqedonisë Veriore

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe qytetarë të bashkësive tjera etnike, kanë ndërmarrë aksione të shumta për grumbullimin e ndihmave për banorët e goditur nga tërmeti në disa zona të Shqipërisë. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev, në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka ndarë një fond prej 100 mijë eurosh, ndërsa më shumë se 100 mijë të tjera janë ndarë nga komunat dhe Kryqi i Kuq, që ka nisur edhe ekipe të shpëtimit në rajonet e goditura në Durrës e Thumanë. “Bashkë me kontingjentin e ndihmave humanitare për në zonat e goditura nga tërmeti kanë shkuar edhe dy ekipe vullnetare që do të jenë në dispozicion të Kryqit të Kuq Shqiptar. Kështu që, ne do të jemi një kohë të gjatë atje, koha do t’i tregojë nevojat që do të ketë popullata atje”, thotë Sait Saiti nga Kryqi i Kuq. Ekipe të emergjencës janë dërguar edhe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, nga njësitet e zjarrfikësve dhe të organizatave humanitare, ndërkohë që në të gjitha qytetet po zhvillohen aksione të grumbullimit të ndihmave, nga shoqatat humanitare, unionet studentore, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. “I ftojmë të gjithë qytetarët që duan të ndihmojnë, që të dhurojnë aq sa kanë mundësi, që me këto fonde e ndihma të mbledhura, t’ju sigurojmë familjeve shqiptare tenda, batanije, ushqime dhe mjete të ndryshme, për të cilat kanë nevojë”, ka deklaruar një studente nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë. Ndihma po grumbullohen edhe në Kumanovë, nga të gjitha bashkësitë etnike, pa përjashtim. “Ka një mobilizim të mirë, njerëzit sjellin edhe mjete materiale, gjëra tjera ushqimore e veshmbathje. Ka edhe qytetarë të palës maqedonase që janë solidarizuar, na vjen mirë për këtë, ndërsa ka edhe nga bashkësitë tjera etnike”, thotë një aktivist nga Kumanova. Ndihma kanë ofruar edhe objektet hotelerike në qytetin e Strugës dhe të Ohrit. “Jemi në kontakt të vazhdueshme me miq e njerëz të tjerë në Shqipëri, sigurisht që dyert tona janë të hapura gjithmonë për ta, sidomos në këtë rast dhe halli me ta mund të ndahet duke qëndruar fizikisht këtu te ne”, thotë Xheladin Poshka, hotelier në Strugë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet