Tërhoqi për flokësh deputeten, 4 vjet burg për huliganin maqedonas

Publikuar më 13. 10. 2017 nga Dionis Xhafa

Gjykata themelore e Shkupit dënoi sot me katër vjet burg Pançe Angellovin, personin që sulmoi deputeten Radmilla Sheqerinska, në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në parlamentin e Maqedonisë.

Pançe Angellov, siç shihet në video, e tërhoqi për flokësh ish-deputeten Sheqerinska, aktualisht ministre e Mbrojtjes. Në aktpadi thuhet se Angellovi ishte me grupin e parë të protestuesve të dhunshëm që u futën në parlament duke sulmuar fizikisht deputetët e opozitës dhe kryetarin e Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, aktualisht kryeministër i vendit. Pançe Angellovi, i cili e pranoi akuzën dhe kërkoi ndjesë para gjykatës, tha se do ta apelojë vendimin. Ky është dënimi i parë me burg për ngjarjet e 27 prillit. Ndërkaq, disa persona të tjerë ndodhen në paraburgim, përfshirë dhe dy të dyshuarit për sulmin e rëndë ndaj Ziadin Selës, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Zëri i Amerikës