Tërhiqet PS nga imuniteti, arrestimi i deputetëve direkt nga Prokuroria

Mazhoranca tërheq propozimin për ndryshimin e rregullores, që detyronte Prokurorinë të merrte prova dhe autorizim nga Kuvendi për arrestimin e deputetëve. Nisma është propozuar një vit më parë nga Taulant Balla

Erjon Dervishi

Partia Socialiste u tërhoq nga propozimi i bërë në fillim të 2018-ës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për të marrë nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e deputetëve në rast të shkelje të ligjit. Kjo nismë u propozua një vit më parë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, por në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, kryetari Ulsi Manja u shpreh se PS-ja është tërhequr për të shmangur debatin politik. Propozimi i PS-së synonte që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohej që Prokuroria të japë prova në Këshillin e Mandateve, kur kërkon arrestimin për një deputet. PD-ja u shpreh kundër këtij ndryshimi dhe asokohe pati një debat të madh mes shumicës dhe opozitës, pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, deputetët nuk gëzojnë imunitet. Me gjithë tërheqjen e PS-së nga ky propozim dy nenet e rregullores së Kuvendit, 118 dhe 119 për autorizimin për arrestimin e deputetëve pritet që të ndryshojnë sot për të reflektuar ndryshimet Kushtetuese, ku nga një person me imunitet, tashmë deputeti nuk e gëzon më këtë privilegj. Mazhoranca deklaronte se nuk bëhej fjalë për rikthim imuniteti, por si një nismë për të përshtatur rregulloren me Kushtetutën. “Ndryshimet e propozuara reflektojnë ndryshimet kushtetuese të bëra prej disa vitesh, ndryshimet kushtetuese të 2012, ato të 2016, ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mes ndryshimeve të tjera, Komisioni i Ligjeve kaloi propozimin për shkurtimin e diskutimeve në 10 minuta për deputet gjatë seancave plenare. Deputetët e opozitës e kritikuan këtë ndryshim, duke akuzuar shumicën se po u heq të drejtën e fjalës. Por, PS u mbrojt duke thënë se me kohën është abuzuar nga ana e deputetëve, që dalin jashtë diskutimeve të ditës. Ndryshimi tjetër që propozohet lidhet me kuorumin që një seancë plenare të cilësohet e vlefshme. Aktualisht kuorumi është 71 deputetë. Nëse janë më pak se ky numër, seanca nuk mund të mbahet. Socialistët propozojnë që ky numër të ulët në vetëm 15 deputetë. Deputetët e rinj të dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim parimisht janë dakord me deputetët e mazhorancës për nevojën e ndryshimit të rregullores, por ndahen me ta mbi draftin e propozuar. Ajo që vihet në dukje është fakti se më këtë iniciativë kërkohet të theksohet se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk janë më imunë ndaj hetimeve. Pjesë e debateve në Komisionin e Ligjeve kanë qenë deputetët e maxhorancës të cilët kanë dhënë argumentet e tyre për arsyet e tërheqjes së Partisë Socialiste nga ky vendim. Me gjithë atë, ditën e sotme pritet që të shqyrtohet më në brendësi procedura tekniko-legjislative e këtij procesi. Ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti se, imuniteti i deputetëve dhe akuzat e prokurorisë, janë çështje të cilat kanë shkuar paralele me njëra-tjetrën dhe nuk kanë dhënë asnjëherë një zgjidhje, por kanë qenë në përplasje midis tyre.

Debati në Komisionin e Ligjeve

Ulsi Manja: Është tërhequr formulimi nga propozuesi për nenin 118 dhe 119. Grupi i PS-së ka tërhequr propozimin për nenin 118 dhe 119. Zonja Hysi, fjala për ju…

Vasilika Hysi: Neni 118 dhe 119 bën fjalë për rastet kur kërkohet autorizimi për heqjen e imunitetit të deputetit dhe procedurat kur deputeti është i ndaluar apo arrestuar. Ka pasur një propozim nga grupi i PS-së, Zoti Balla për të përafruar përmbajtjen me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës penale. Balla ka tërhequr formulimin. Neni 118 dhe 119 bie ndesh me Kushtetutën prandaj do të kërkoja që ta riformulonim. Në nenin 118 thuhet që vazhdon akoma autorizimi për ndjekjen penale, por me Kushtetutë nuk ekziston, pasi deputeti nuk ka imunitet ndaj ndjekjes penale apo përgjimeve, prandaj duhet riformuluar. Në këtë kuadër do të sugjeroja që nenin 118 dhe 119 ta shikojmë me qetësi dhe të kthehemi nesër dhe nuk është ndryshim që mund ta bëjmë tani.

Ulsi Manja: Merreni atë nen të Kushtetues dhe futeni në nenin 118 me copy paste. Nuk ka nevojë për filozofi kjo.

Alket Hyseni: Pse ka hequr dorë grupi, mirë do të ishte mos hiqte dorë, nuk po bëjmë gjë tjetër por po transpozojmë Kushtetutën në rregullore. Nuk ka ndonjë që bën sofizma… ne po zbatomë kushtetutën. Urgjent….

Vasilika Hysi: Atëherë propozimi është, që hiqet paragrafi i parë, ne nuk kemi nevojë për autorizim për ndjekjen penale. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës sigurisë me burg apo në shtëpi apo kontrollit personal i paraqitet kryetarit të kuvendit nga prokurori. Ai ia dërgon këshillit për mandatet dhe njofton deputetin.

Deputeti ka të drejtë të paraqesë shpjegimet me shkrim apo me gojë në Këshill. Këshilli brenda katër javëve harton një raport ku rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit të caktimit të masës së arrestit me burg apo në shtëpi. Në seancë i jepet fjala në fillim deputetit për të dhënë shpjegime, Kuvendi vendos me votim të hapur nëse do të jepet apo jo autorizimi për caktimin e masës së sigurimit ndaj deputetit apo kontrollit. Këto përcaktime zbatohen edhe anëtarit të këshillit të ministrave.

Klotilda Bushka: Unë sugjeroj që ne duhet të jemi korrekt dhe ti përmbahemi parashikimeve të Kushtetutës, sikur janë atje ti transfuzojmë direkt në rregulloren e kuvendit.

Ulsi Manja: Grupi i PS-së me një vendimmarrje politike është tërhequr nga ndryshimi i nenit 118 dhe 119 edhe pse nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Kemi rënë dakord që për të shmangur çdo debat propozuesit janë tërhequr dhe kur të jetë rasti aplikohet direkt Kushtetuta në hierarkinë e normës. Këto dy nene janë tërhequr propozuesit, unë nuk hedh në votim asnjë propozim për sa kohë nuk jam konsultuar me propozuesit që janë tërhequr. Sot për këto dy nene nuk dua asnjë lloj debati.

Vasilika Hysi: Unë nuk lexova propozimin e PS-së që është tërhequr. Por e lë nenin 118 dhe 119 në kundërshtim me Kushtetutën, pasi me ndryshimet që kemi bërë nuk kemi më imunitete ndaj ndjekjes penale. Deputetet nuk kanë më imunitete nga 2012 dhe unë sugjerova që meqë është tërhequr propozimi i grupit të PS-së, neni 118 dhe 119 kanë nevojë që të rishikohet, pasi rregullon të gjithë punën e këshillit të mandateve. Propozimi im është që a mund të mblidhemi sot si grup dhe të ta rregullojmë?

Ulsi Manja: Para votimit në tërësi do i shkojmë me qetësi

Pjesë e debatit mes deputetëve ishte edhe amendimi i nenit 48 të Rregullores, lidhur me përcaktimin e kohës së diskutimit në Kuvend. Kohëzgjatja e diskutimit do të jetë 10 minuta. Gjithashtu është specifikuar edhe rasti kur drejtuesi i seancës mund t’u ndërpresë fjalën deputetëve, kur janë jashtë rendit të ditës. Gjatë diskutimit të kësaj pike ka ndërhyrë kryetari i grupit të partive të djathta në Kuvend, Adriatik Alimadhi që akuzoi se kryetari i kuvendit sillet si “diktator”. “Nuk mund t’ia lemë këtë të drejtë kryetarit të Kuvendit. Deputetët flasin për problematika të ndryshme” tha ai. Por, Fino ka kërkuar vendosjen e disiplinës. “Diskutimet për marrëveshje që janë 20 minutëshe janë abuzuar. Deputetët kanë folur në fillim për marrëveshjen, e më pas për politiken e ditës. Duhet të vendosim disiplinën”.

Pjesë nga diskutimet në Komisionin e Ligjeve

Vasilika Hysi: Drejtuesi i seancës mund të ndërpresë fjalën kur diskutuesi flet për çështje që nuk janë në rend dite.

Bashkim Fino: Duhet ta vëmë këtë disiplinë. Shumë mirë që e bëmë 10 minuta.

Adriatik Alimadhi: Lëreni deputetin të shprehet lirshëm

Alket Hyseni: S’mund të dilni dhe të flisni për një gjë që s’ka lidhje me ligjin, me rendin

Bashkim Fino: Me këtë nen, kuorumi nis në orën 10. Dhe kur mbaron diskutimi në orën 5, fillojmë votimin dhe nuk marrim prapë prezencën. Nuk mund të bëjmë marrëveshje që të nisim Kuvendin me 15 deputetë se nuk u del gjumi. Duhet ta detyrojë rregullorja kreun e Kuvendit që të bëhen 71 deputetë pastaj të nisë Kuvendi.

Adriatik Alimadhi: Në këtë rregullore kanë marrë pjesë ish-deputetë të Partisë Demokratike, tani jemi dhe ne këtu. Duam kohë, duam të bëjmë debat

Ulsi Manja: S’dua asnjë koment, pro, kundër….

Vasilika Hysi: Masat disiplinore deri më sot i jep kreu i Kuvendit ose Byroja. Propozimi që është sjellë, synon që të bëjë klasifikimin e shkeljeve në të rënda dhe të lehta dhe mekanizim në dy shkallë dhe ankimimin. Nuk parashikon përshkallëzim të shkeljeve të lehta, të rënda dhe shumë të rënda. Të bëjë lidhjen e rregullores me shkeljet që parashikohen në kodin e sjelljes, të bëjë klasifikimin e shkeljes.

Çfarë parashikon Rregullorja e Kuvendit në lidhje me imunitetin e deputetëve

1/1. Heqja e imunitetit bëhet nëpërmjet kufizimit të tij për vepra penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, sipas Kodit Penal, në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit ose nëpërmjet heqjes së tij (autorizim për fillimin e ndjekjes penale), sipas kushteve dhe procedurave në këtë nen për të gjitha veprat penale. Vendimi i Kuvendit për kufizimin e imunitetit është pjesë përbërëse e Rregullores si aneksi 1 i saj.

  1. Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.
  2. Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. 3. Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. 4. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.
  3. Procedura e parashikuar në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni zbatohet edhe në rastin kur kërkohet autorizimi për arrestimin e një deputeti. 6. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi. 7. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose për dhënien e autorizimit për arrestimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave.

Procedura në rastin kur deputeti është ndaluar ose arrestuar

  1. Në rastin kur një deputet është ndaluar ose arrestuar pa autorizim në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, Prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Kryetarin e Kuvendit. 2. Kryetari i Kuvendit thërret menjëherë Këshillin për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i paraqet dokumentet e përcjella nga Prokurori i Përgjithshëm dhe i kërkon të shqyrtojë çështjen. 3. Këshilli, brenda 2 ditëve nga njoftimi i Kryetarit të Kuvendit, shqyrton nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të arrestuar ose të ndaluar, duke dëgjuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe deputetin e ndaluar ose të arrestuar. 4. Këshilli paraqet raportin për seancën plenare të Kuvendit, e cila thirret nga Kryetari i Kuvendit brenda 2 ditëve nga paraqitja e raportit. Kuvendi me votim të fshehtë duhet të vendosë për heqjen ose mos heqjen e masës së ndalimit ose të arrestimit të deputetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet