Tërheqja e Llallës, reagon Donald Lu: Kush ka frikë nga Vettingu…

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, u pyet sot lidhur me veprimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Lalla, i cili u tërhoq të shtunën nga e drejta e emërimit në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar të mos i nënshtrohet Vettingut.

Duke e konsideruar këtë si një akt individual, Ambasadori Lu thotë se spastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit, është një arritje.

“Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar e të paaftë, është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”, tha ambasadori Lu, për “News 24”.

“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, theksoi ambasadori.