Tentoi të trafikonte 11 kg heroinë nga Porti i Durrësit, lihet në burg shoferi i kamionit

Publikuar më 14. 02. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për shoferin e kamionit që u kap me 11 kilogramë heroinë. Në burg është lënë shtetasi Bujar Shazivari, i cili u kap me kamionin e tij në Portin e Durrësit.
Shazivari udhëtonte me një kamion që transportonte qese drejt Italisë, por në kabinën e tij u gjet nga qeni antidrogë një sasi prej 11 kg heroinë.
Me datë 11.02.2018, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative në bashkëpunim me agjensitë e tjera ligjzbatuese gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionave rezultoi se: Në kabinën e kamionit “MAN”, me targë AA 943 OO nën krevatin e shoferit në një vend të fshehtë pas kontrollit të imtësishëm me qenin antidrogë dhe fibroskop u gjetën disa pako me lëndë të dyshuar heroinë. Kamioni drejtohej nga shtetasi Bujar Shazivari, 63 vjeç, banues në Durrës. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Nga kontrolli i imtësishëm u gjetën 10 pako të mëdha dhe një pako e vogël ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar Heroinë, ku është sekuestruar në cilësinë e provës materiale ku do kryhet dhe peshimi i plotë i saj. Kamioni me ngarkesë 15 koli me qese plasmasi me destinacion Firenzze­Itali. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Njëkohësisht është shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët Italianë për të zhvilluar hetime të përbashkëta në lidhje me këtë rast.