Tensione te Krimet e Rënda, ish-komando kërcënon gjyqtarin dhe prokurorin

Erzen Uka, ish-komando i arrestuar dy ditë më parë për nxitje dhune me qëllime terroriste ka dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku u njoh me masën e sigurisë.

Prokurori Eugen Beci kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”, për ish-komandon. Theksojmë se në nisje të seancës gjyqësore, Uka nuk ka pranuar të ngrihet në këmbë, duke thënë se respekton vetëm Allahun.

Në përfundim, Gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”, deri në përfundim të hetimeve për Erzen Ukën.

Seanca u shoqërua me tensione, pasi ish-komando ka hedhur kërcënime ndaj gjyqtarit Bib Ndreca dhe prokurorit Eugen Beci. “Sa të dal do të jepni llogari e nuk do kaloni kollaj!”, ka kërcënuar Uka.

Ai akuzohet për 3 vepra penale, stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste, nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste dhe prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit.

Kujtojmë se Erzen Uka ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare dhe ka shkuar dy here me mision jashtë vendit, në Irak dhe Afganistan.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe departamenti i anti-terrorit thonë se ish-komando ka bërë publike në Facebook edhe flamujt e ISIS në vijim të përpjekjeve të tij për të bërë propagandë për organizatën terroriste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet