Tensione në Kadastrën e Vlorës, të shkarkuarit nga detyra nuk lëshojnë zyrat

Tensione ka pasur në Kadastrën e Vlorës, ku drejtuesit e shkarkuar të këtij institucioni kanë refuzuar të lëshojnë zyrat për personat e emëruar në detyrat e reja.

Mësohet se ish-drejtori i Kadastrës së Vlorës, Florian Alimadhi dhe ish-zv/drejtori Klodian Troci ka në refuzuar të lëshojën zyrat, ndërsa në vend të tyre janë emëruar; në pozicionin e drejtorit të Kadastrës juristi Alteo Nazëraj dhe në postin e zv/drejtorit është emëruar Krenar Xhemali.

Ndërsa për mediat u tha se shkarkimi i dy të sipërpërmendurve kishte ardhur pasi ata kishin shmangur zbatimin e disa vendimeve të gjykatës.

Në një lidhje direkte për News24, ka folur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, i cili tha se shkarkimet e fundit në Kadastrën e Vlorës, që nga drejtori, nëndrejtori dhe shumë punonjës, nuk kanë fare lidhje me këtë situatë.

Sipas tij, tensionet po bëhen për shkak të një aksioni të madh për lirimin e hapësirave nga Uji i Ftohtë deri te Tuneli, ku po prishen qindra objekte pa leje.

“Prezenca e policisë aty ka të bëjë me faktin se në Vlorë po bëhet një aksion shumë i madh për lirimin e hapësirave nga Uji i Ftohtë deri te Tuneli. Kjo është pjesa e dytë e aksionit, që përfshin prishjen e qindra objekteve pa leje në këtë zonë. Aty janë njerëz që në papërgjegjshmëri kanë hedhur paratë e tyre, natyrisht që ka pasur konflikte me punonjësit tanë dhe ata të IKMT. Drejtoresha e IKMT është në Vlorë dhe po përballet me situatën.

Shkarkimet nuk kanë lidhje me këtë gjë. Bëhet fjalë për njerëz, siç e kanë vlonjatët, që e kanë gjakun që iu merr flakë kollaj, ndaj ka pasur tensione. Bëhet fjalë për një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme. Ka dhe një problematikë tjetër në Vlorë, që ka të bëjë me atë të pronave, ndaj dhe sherret janë më të mëdha në Vlorë se në Tropojë. Kjo për faktin se në Tropojë nuk ka bregdet, jo se janë burra më të mirë.

Nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. Mos të krijojmë një rrjet që nuk ekziston. Në këto raste mundohem të qetësohem se dhe unë njeri jam, nxehem, më merr gjaku. Vlonjatët e kanë të vështirë të përmbahen”, tha Lame për News24.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet