Tenderët, në 3 vite Vlora mori investime më shumë se gjithë Veriu

Nga viti 2015, Investimet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit janë përqendruar në Vlorë dhe në Tiranë. Qarku i Lungomares rezulton me 33 procedura, ndërsa 4 qarqe në veri kanë në total 27 të tilla. Ja tenderët mbi 1 miliardë

Neritan Gjero

Që nga viti 2015 e deri më sot, në tenderët që ka fituar Fondi Shqiptar i Zhvillimit, rezulton se Vlora është qarku me numrin rekord, krahasuar me bashkitë e tjera. Sipas një studimi që ka bërë OpenProcurement.al,  janë 33 procedura (disa prej tyre të anuluara), për projekte të ndryshme në territorin e qarkut si: infrastrukturë rrugore; rikualifikime urbane; mjedis dhe turizëm. Bashkia Tiranë, e cila ka edhe numrin më të madh të popullsisë, renditet e dyta me 23 prokurime, ndërsa më tej vijnë Fieri e Korça, me 19 dhe 15 tenderë. Por, ajo që vihet re në listën e gjatë të tenderëve të fituar nga Institucioni i drejtuar nga Benet Beci, është fakti se veriu është lënë në harresë. Të paktën, në raport me numrin e prokurimeve të dhëna, ku  Shkodra rezulton me 9, Kukësi me 8, Lezha me 6 dhe Dibra me 4 të tillë, çka rezulton se numri i tyre është  më i vogël se totali i investimeve që ka thithur vetëm Vlora.

Ndërkohë, në vlerë investimi rezultojnë se janë 5 kontrata që e tejkalojnë shumën 100 milionë lekë, ku më e shtrenjta rezulton në Vlorë, dhe është pikërisht ndërtimi i Rrugës bypass i Vlorës – Peshkëpi – Gjorm Vlorë, ku vlera për fondin limit është 2. 9 miliardë lekë. Tenderi është finalizuar me lidhje kontrate, procedura tenderim ndërkombëtar dhe vlera e ofertës fituese (vlerë kontrate) me TVSH është 2 miliardë lekë. Një tjetër tender është edhe ai që lidhet me sistemim Asfaltimin e Rrugës Qafë Plloçë dhe Unaza Pogradec. Në këtë tender fondi limit ishte 1 miliardë lekë. Në garë morën pjesë 15 operator ku u skualifikuan 12. Oferta fituese pa TVSH është 860 milionë lekë. Tenderi është zhvilluar ne 2017 dhe është fituar nga operatori A. N. K.

Më tej OpenProcurement.al liston rikonstruksionin e Bulevardit të Vlorës me fond limit 1. 1 miliardë lekë dhe me ofertë fituese pa TVSh 1 miliardë lekë. Në garë morën pjesë 6 operator dhe fitoi shoqëria FUSHA sh.p.k.  Ndërtim asfaltimi i rrugës Cërrik – Belsh – Dragot – Kucovë – Ure Vajgurore është një tjetër tender që kalon vlerën e 100 milionë lekëve. Fondi limit 1 miliardë lekë. Tenderi është zhvilluar në 2017 dhe kanë marrë pjesë 15 operator ekonomik ku ka fituar Salillari shpk. Vlera e opertës fituese pa TVSH është 690 milionë lekë. I fundit është ndërtim asfaltimi i rrugës Cërrik – Belsh – Dragot – Kuçovë – Ura Vajgurore Segmenti Cërrik-Belsh-Gregan me vlerë për fond limit 1.2 miliardë lekë, zhvilluar në 2017, pjesëmarrës në tender 12 operator e fituar nga Bashkimi i Operatorëve Varaku me ERGI dhe Vëllezrit Hysa (këta të fundit 70% të kontratës. Vlera e ofertës fituese pa TVSH është 743 milionë lekë. Koha për përfundimin e kontratës 20 muaj.

Tenderë mbi 100 milionë

Ndarja e re territoriale ka sjellë edhe më shumë para për 61 bashkitë e reja, por në 3 vitet e fundit vetëm 45 prej tyre kanë shpallur tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë. Këto para janë shpenzuar kryesisht për punë dhe shërbime publike, por ajo që fshihet pas këtyre kontratave është fakti se mbi 50% e parave të tenderuara janë fituar vetëm nga 10 kompani, ndërsa pjesa tjetër nga 91 kompani të tjera. Porta Vendore ka kryer një vëzhgim mbi prokurimet publike që kanë zhvilluar njësitë e qeverisjes vendore në 3 vitet e fundit, përkatësisht qershor 2015-shtator 2018, duke nxjerrë disa fakte interesante sesi harxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë, cilat bashki shpenzojnë më shumë, ato të majta apo të djathta dhe cilat janë kompanitë që kanë përfituar më shumë nga këto prokurime. Duke iu referuar të dhënave të OpenProcurement.al, rezulton se në tre vitet e fundit, janë shpallur 172 tenderë nga 45 bashki me vlerë mbi 100 milionë lekë të reja.

Vetëm 16 bashki figurojnë deri më tani me asnjë tender të dhënë mbi shumën e 100 milionë lekëve, ku 8 prej këtyre bashkive drejtohen nga kandidatë, të cilët janë mbështetur në zgjedhje nga opozita, dhe 8 të tjera nga kandidatë të mbështetur nga maxhoranca. Nga vëzhgimi i kryer rezulton se tenderi i parë me një vlerë të tillë është shpallur dhe fituar në shtator të vitit 2015. Konkretisht, operatori Konstruksion 93 sh.p.k në bashkëpunim me Xhengo sh.p.k ka fituar tenderin me vlerë prej 151. 345. 496 lekë nga Bashkia Korçë për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme të Muzeut të Artit Mesjetar. Nga 172 tenderë të shpallur, deri në fund të muajit gusht 2018 janë shpallur fituesit për 151 tenderë, pra 21 tenderë ende janë në procedurë, ndërkohë që numri i kompanive që kanë fituar këta tenderë janë 101 të tilla në total. Fondi limit për tenderët e fituar në 45 bashkitë e vendit rezulton se në total ka qenë rreth 28 miliardë e 921 milionë lekë të reja (pa TVSH), ndërkohë që vlera totale e fituar nga kompanitë konkurrente është rreth 26 miliardë e 711 milionë lekë të reja (pa TVSH). Pra rezulton se në total, kompanitë fituese të tenderëve kanë arritur të përthithin mbi 92% të fondit limit.

Dhjetë “kompanitë 100 milionëshe”

Por, duke analizuar më thellë shifrat e tenderëve mbi 100 milionë lekë që janë shpallur nga bashkitë rezulton se dhjetë kompani kanë fituar mbi gjysmën e vlerës totale të parave të tenderuar në 151 prokurime publike, ndërsa pjesa tjetër e këtyre tenderëve është fituar nga 91 kompani të tjera. Konkretisht, 10 kompani rezultojnë se kanë fituar jo pak, por 53.5% të gjithë vlerës së parave të tenderëve mbi 100 milionë lekë të reja, pra të 26.7 miliardë lekëve të reja, ose e thënë në shifra, rreth 14.3 miliardë lekë. Këto dhjetë kompani kryesisht kanë fituar të vetme tenderët mbi 100 milionë lekë të reja të shpallur nga bashkitë, por nuk kanë munguar rastet edhe kur ato kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën, ose me kompani të tjera, ku këto të fundit nuk kanë arritur të fitojnë ndonjëherë vetëm, tenderë të tillë. Megjithatë, kompania lider e këtyre dhjetë kompanive fituese është Fusha sh.p.k, e cila ka fituar jo pak, por 16.5% të vlerës totale të të gjithë tenderëve mbi 100 milionë lekë, të hapur nga pushteti vendor. Konkretisht, 12.2% të vlerës totale të tenderëve, pra rreth 3.25 miliardë lekë të reja, kjo kompani i ka fituar e vetme.

Ndërsa rreth 4.4% të vlerës totale të tenderëve, rreth 1 miliard e 175 milionë lekë i ka fituar në bashkëpunim me 5 subjekte të tjera. Kjo kompani administrohet nga Shkëlqim Fusha dhe vitin e fundit ka qenë, jo vetëm në fokusin e sulmeve të opozitës për afera të dyshimta për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar në Tiranë, por edhe të protestave të shoqërisë civile dhe të artistëve në mbrojtje të godinës së vjetër. Lidhur me këto akuza rezulton se kompania Fusha sh.p.k, duke konkurruar e vetme, pa operatorë bashkëpunues, në Tiranë ka fituar 6 tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë, 2 i ka fituar në Roskovec dhe 1 në Vorë. Vlera totale e tenderëve mbi 100 milionë lekë të reja të fituar në Tiranë rezulton rreth 2.8 miliardë lekë të reja. Bashkia Tiranë, në total ka realizuar 44 tenderë me mbi 100 milionë lekë të reja, me vlerë totale 10.6 miliardë lekë të reja, ndërkohë që rezulton se 26% e kësaj vlere është fituar vetëm nga Fusha sh.p.k me 6 tenderë. Madje, kjo kompani, e cila ka fituar në total 38 tenderë për tre vite, pra edhe ato me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë, 30 prej tyre i ka fituar në Tiranë, 6 në Vorë dhe 2 në Roskovec. Ndërsa kompania e dytë, e cila ndjek subjektin Fusha sh.p.k, është “G.P.G. Company sh.p.k”. Kjo kompani rezulton se ka fituar 9% të vlerës të të gjithë tenderëve me 100 milionë lekë të reja të zhvilluar nga 45 bashki.

Edhe kjo kompani rezulton se gjysmën e kësaj vlerë e ka fituar e vetme, ndërsa gjysmën tjetër, në bashkëpunim me kompani të tjera. Ndryshe nga Fusha sh.p.k, kjo kompani rezulton se fushën e influencës e ka pasur të shpërndarë në disa bashki, si Tiranë, Tepelenë, Korçë, Kavajë, e Delvinë dhe një herë ka fituar në Shqipërinë e Veriut, konkretisht në Mirditë, bashki e drejtuar nga kandidat që është mbështetur nga PS. Ndërsa dy kompani të tjera që vijnë pas dy të parave e zënë vendin e tretë e të katërt janë përkatësisht Salillari sh.p.k dhe Vëllezërit Hysa sh.p.k. Salillari sh.p.k rezulton se ka fituar rreth 5.4% të vlerës së këtyre tenderëve, ndërkohë Vëllezërit Hysa sh.p.k kanë fituar rreth 4.7% të vlerës totale të parave për 151 tenderët, ose sa gjysma e kompanisë që zë vendin e dytë “G.P.G. Company sh.p.k”. Me ndryshime të vogla në përqindje, në vendin e pestë renditet kompania Korsel sh.p.k, pikërisht me 4%, e me radhë; Alko-Impex General Construcion SH.P.K; Alba Konstruksion; 4 A -M sh.p.k; Victoria Invest sh.p.k dhe Agbes Construction.

Këto 10 kompani të listuara që rezultojnë fitueset dominuese të tenderëve “të majmë” të bashkive, rezultojnë se janë edhe në krye të listës së fituesve të të gjithë tenderëve të zhvilluar nga 61 bashkitë e reja në 3 vitet e fundit, pra edhe ata me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë të reja. Megjithatë, ata rezultojnë se të dhjetë bashkë përbëjnë përqindje më të ulët, duke qenë se nuk bëhet fjalë për 151 tenderët me mbi 100 milionë lekë, por për 13,794 tenderë me vlerë totale rreth 75.1 miliardë lekë, pothuajse 3-fishi i tenderëve mbi 100 milionë lekë, të analizuar nga “Porta Vendore”. Konkretisht, duke analizuar shifrat kur ato kanë fituar të vetme, por edhe në bashkëpunim me operatorë të tjerë, rezulton se kanë arritur të marrin 20% të vlerës totale të 13,794 tenderëve, ose 15 miliardë lekë të reja. Por, ajo që vihet re është fakti që në vlerën 15 miliardë lekë të reja, këto 10 kompani, 14.3 miliardë lekë i kanë fituar nga tenderët mbi 100 milionë lekë dhe vetëm rreth 700 milionë lekë nga tenderët me vlerë më të vogël se 100 milionë lekë, që tregon qartë se ata konkurrojnë vetëm kur vlera e tenderit është tejet e lartë.

Auditi

Në një raport të fundit edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi se gjysma e fondeve në tenderët publikë fitohen nga vetëm 5 për qind e bizneseve. Përfundimi ka dalë pas një analize, që KLSH-ja ka bërë mbi të dhënat e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Sipas institucionit suprem të auditimit, vitin e kaluar institucionet e shtetit patën mbi 5000 tenderë publikë, në të cilët shpenzuan 655 milionë euro. Këto kontrata janë fituar nga 1.140 biznese në total. Por ndër to, vetëm 57 kompani kanë fituar gjysmën e të gjithë vlerës së tenderëve, pra 327 milionë euro. KLSH-ja nuk i ka bërë publike emrat e tyre, por sipas analizës, këto janë kompanitë që kanë fituar kontratat e mëdha publike.

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet