Teknikut të celularëve i shpërthen telefoni në duar, policia: Montonte minë të telekomanduar!

Nga Nikoleta Kovaçi 

Gentian Hoxha, 34 vjeç, plagoset rëndë nga një shpërthim në dyqanin e tij të rregullimit të celularëve. Tekniku merr plagë në duar dhe trup. Prokurorët ende nuk e kanë marrë në pyetje. Hetimet shtrihen në Shkodër, Krujë e Fushë-Krujë. Dyshime që Hoxha montonte mina në telefona të markave të vjetra 

Gentian Hoxha është një ekspert ndreqjesh të aparateve telefonikë. Prej më shumë se 6 vitesh ai ka hapur një dyqan në afërsi të ambasadës Amerikane, në një rrugicë ngjitur me Institutin e Higjienës. Dje paradite ai kishte gjysëm të mbyllur qepenin e dyqanit në të cilin punonte kur një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar nga jashtë. Kanë qenë ca tregtarë fruta-perimesh që janë afruar për të parë se çfarë ka ndodhur e për pasojë është bërë e mundur të hapet dera dhe të nxirret nga aty djali i plagosur rëndë. Ai kishte marrë djegie të forta në duar dhe fytyrë dhe menjëherë është dërguar për në Spitalin Ushtarak ku është nën kujdesin e mjekëve. Deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme nuk është bërë e mundur t`i merret ndonjë dëshmi për të mësuar shkakun real të asaj plagosjeje të rëndë pas atij shpërthimi të fuqishëm, por bëhet me dije se policia në vendin e ngjarjes ka mbledhur dëshmi dhe fakte që flasin për një shpërthim të brendshëm të ndonjë lëndë plasëse. Policia, duke patur parasysh plagosjen e rëndë të mjeshtrit të telefonave ka dyshuar se bëhet fjalë për një atentat me minë të telekomanduar, por mbërritja në vendin e ngjarjes së ekspertëve të këtyre shpërthimeve është mësuar se në fakt dëmtimi i ka ardhur nga një send që është gjendur në tavolinën e punës së të riut. Më saktë grupi hetimor ka bërë me dije se aty përveç lëndës plasëse, me të cilën po merrej i plagosuri janë gjetur edhe një sërë provash e faktesh të tjera të cilat tashmë kanë hedhur dritë mbi punën që ka qenë duke bërë i plagosuri, po jo të mekanizmit dhe të faktit se për kë punonte djali i plagosur ditën e djeshme. Mbrëmë grupi hetimor bëri me dije se po punohet për të identifikuar një rrjet të sofistikuar kriminal ku ka dyshime që i plagosuri mund të jetë i punësuar prej ndonjë grupi vrasësish me minë të telekomanduar.

Ngjarja

Ka qenë ora rreth 11.00 kur është dëgjuar një zhurmë e fortë brenda dyqanit të Gentian Hoxhës. Menjëherë njerëzit që e njihnin kanë shkuar në dyqan duke e nxjerr përjashta të riun e djegur në fytyrë trup dhe në duar ndërkohë që një ambulancë e ka dërguar në spital. Policia ka marrë në pyetje të njohurit e tij të cilët kanë treguar se kanë dëgjuar një zhurmë të fortë. Fillimisht është dyshuar për vënien e ndonjë sasie tritoli në qepenin e dyqanit, por mënyra se si ishte thyer xhami i derës së dyqanit shpejt policia ka hedhur dyshime që shpërthimi ka qenë i brendshëm. Pastaj është dyshuar për shpërthimin e ndonjë bombole gazi që mund të kishte përdorur Hoxha në dyqan, por fakti që dita e djeshme ka qenë e ngrohtë policia e ka përjashtuar menjëherë edhe këtë version. Në tavolinën e punës, grupi i ekspertëve ka gjetur materiale komprometuese të cilat duket se kanë qenë në duart e teknikut të celularëve. Sipas të dhënave bëhet me dije se në atë tavolinë është gjendur një mjet celular i prodhimit të hershëm, disa fitila që duket se kanë qenë në përdorim e sipër. Referuar të dhënave që vijnë nga grupi hetimor që është bëhet me dije se në fakt dyshimet e para flasin për një tentativë për të krijuara një minë që më pas do të përdorej në mënyrë të telekomanduar. Ndonëse 34-vjeçari, i cilin thuhet se është i lindur dhe banues në Tiranë gjendet nën kujdesin e mjekëve dhe ende nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur ekzaktësisht, por hetuesit tashmë kanë hyrë në një verifikim të hollësishëm të ngjarjes duke u përqendruar kryesisht në montimin e një mine që si duket nuk i ka shkuar si duhet ky montim. Po ashtu bëhet me dije se prokuroria dhe policia bashkë kanë kërkuar informacione të hollësishme në lidhje me klientelën e këtij personi ndërsa bëhet me dije se një sërë elementesh të dyshimtë që janë identifikuar si persona që vijnë në atë dyqan do të shoqërohen te gjithë dhe të merren ne pyetje. Dyshimet e para flasin për një hetim intensiv për grupi të strukturuar kriminal, ndonëse informacionet e gazetës në lidhje me të plagosurin tregojnë se është person pa precedent të mëparshëm dhe se është një familjar i rregullt. Burimet nga grupi hetimor treguan se hetimet janë shtrirë në një sërë rrethesh, kryesisht në Fushë-Krujë, Krujë dhe Shkodra ndërkohë thuhet se dyqanet e celularëve dhe pikat e rregullimit të makinave janë vendet më të sigurta për të kryer aktivitete të tilla. Edhe pse është rasti i parë që ndodh një akt i tillë në një dyqan celularësh, ekspertët tashmë janë të bindur se janë një e keqe e madhe në furnizimin e mina të telekomanduara që shpërthehen në distancë me anë të një telefonate.

 

Të tjera

Abissnet