Teknika letrare si metaforë dhe e ardhmja e kulturës globale                 

Publikuar më 09. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Prof. Lindita Aliu – Tahiri

Fituesi i sivjetmë i çmimit “Nobel” në letërsi, Kazuo Ishiguro, përkujton misionin e letërsisë për humanizimin e botës. Edhe në hapësirat shqiptare shkrimtarët historikisht janë identifikuar me misionin e çlirimit kombëtar dhe rezistencës ndaj diktaturës

Fituesi i sivjetmë i çmimit Nobël, Kazuo Ishiguro, është shkrimtar i njohur sidomos për stilin e tij të rrëfyesit “jo të besueshëm” (unreliable narrator), term ky që e sajoi në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar kritiku letrar amerikan Waine Booth. Konceptin e rrëfyesit apo rrëfimit jo të besueshëm e kanë rimarrë shkolla të ndryshme letrare, e veçanërisht e ka shfrytëzuar kritika letrare e orientuar kah lexuesi për ta nxjerrë në pah bashkëpunimin e lexuesit me tekstin dhe prodhimet e kuptimeve në përputhje me interpretimet dhe përvojën e lexuesit.

Rrëfyesi quhet i jo i besueshëm, sepse nuk transmeton informacione të sakta dhe të plota për lexuesin, për shkaqe të ndryshme, si, për shembull, për shkak të moshës së re dhe naivitetit, për shkak të këndvështrimit personal, përfshirjes personale në rrëfim, problemeve mendore, e të ndryshme. Zakonisht ky lloj rrëfimi është në vetën e parë, meqenëse rrëfyesi i vetës së parë e krijon efektin e pasigurisë dhe njohurive të kufizuara, edhe pse normalisht distanca mes vetvetes rrëfyese dhe vetes që përjeton, mundëson shumë stile dhe teknika, si në ato të vetës së tretë- që nga stili i autobiografit të distancuar e të gjithëdijshëm, deri te mungesa e vetvetes rrëfyese. Në letërsinë botërore, shkrimtarë të mëdhenj e kanë përdorur ketë lloj rrëfimi, si Dostojevski,  Bronte, Fitzgerald, Faulkner, Nabokov apo mund të përmendim shembuj nga letërsia shqipe, si perspektiva e rrëfimit te “Kronikë në gurë” (Kadare) apo tek “Edhe të çmendurit fluturojnë” (Kraja).

Ishiguro, shkrimtari anglez me prejardhje japoneze, e ka shpërfaqur në kulminacion këtë teknikë te romani “I pa ngushëlluari” (The Unconsoled)  i botuar në vitin 1995, roman i shpërblyer po atë vit, si të gjithë romanet e tjera të tij. Personazhi rrëfyes, një pianist i famshëm, jeton mes kujtimeve të së kaluarës dhe të tashmes, mes kërkesave që i bëjnë personazhet e tjera, që nuk janë në gjendje t’i zgjidhin problemet e veta dhe vazhdimisht krijojnë konflikte. Stili i monologut të brendshëm është shumë interesant dhe, herë-herë, nuk është e qartë se a flasin apo mendojnë personazhet. Komunikimi mes personazheve i ngjan një ëndrre dhe mendimet e personazheve ngatërrohen me njëri-tjetrin, duke krijuar shumësi zërash rrëfyes. Rrëfyesi që njëkohësisht është personazh, është jo i besueshëm dhe i dyshueshëm, sepse e rikonstrukton të kaluarën në mënyrë të paqëndrueshme dhe krijon keqkuptime në komunikim me të tjerët.

Para disa vitesh, kur e kanë pyetur Ishiguron në një intervistë për këtë lloj rrëfyesi të pranishëm në romanet e tij, ai thotë se nuk e ka krijuar narratorin e rrëfimeve të tij, duke menduar për “rrëfyesin jo të besueshëm”, por qëllimi i tij ka qenë që të jetë sa më autentik ndaj psikologjisë njerëzore, sepse shumica e njerëzve që rrëfejnë për jetën e vet nuk mund të jenë të besueshëm. Sipas tij, natyra njerëzore është e tillë që i rindërton dhe i përzgjedh kujtimet, e sidomos jemi të tillë në raport me veten. Ishiguro thotë se kjo nuk është teknikë letrare, por është natyrë e njeriut, që shpesh e ndërton identitetin e vet duke krijuar iluzione. Madje, dhe arsyetimi zyrtar i Akademisë Suedeze për dhënien e çmimit ishte se: “Rrëfimi i tij e zhvesh humnerën, që fshihet prapa iluzionit të lidhjes tonë më botën”.

Romani ndoshta më i popullarizuar i këtij autori të njohur anglez, që është përkthyer në shumë gjuhë dhe që ka marrë çmimin “Booker Price” në vitin 1989 është “Gjurmët e ditës” (The Remains of the Day). Rrëfyesi jo i besueshëm këtu shfaqet përmes personazhit kryesor, krye-shërbyesit që i ka ndenjur pranë besnikërisht një aristokrati anglez, madje edhe kur e ka pasur të qartë se ai po e përkrahte Gjermaninë naziste dhe përpiqej ta ndikojë me këto bindje politikën angleze. Shërbyesi ngel verbërisht besnik ndaj zotërisë, dhe e frenon edhe ndjenjën e dashurisë për kolegen e tij, nga ndjenja e detyrës ndaj zotërisë dhe obligimeve të veta. Ky personazh tragjik përpiqet ta fshehë dashurinë dhe vetë-mashtrimin jo nga lexuesi (në këtë lloj rrëfimi lexuesi di më shumë se rrëfyesi), por nga vetvetja.

Ky lloj rrëfimi nxit keqardhje, emocion të fuqishëm për personazhin, nxit pyetje për mënyrën se si e ndërtojmë imazhin për vetvete. Dështimi i shërbyesit është një temë që ndoshta mund të ndërlidhet me një stil anglez të jetës, me konceptin e dinjitetit, e në këtë rast dinjiteti i krye-shërbyesit matet me besnikërinë ndaj të zotit. Por, dështimi i këtij personazhi përkujton edhe stilin japonez të ndjenjës së fuqishme të përgjegjësisë ndaj detyrës dhe punës. Ishiguro shkruan për një karakter tragjik anglez dhe japonez, sikur dy kulturat e kanë të përbashkët ndjenjën e tepruar të obligimit, të detyrës të kryer verbërisht, përulësisht. Një subjektivitet i këtillë hibrid, që përkujton dialogjizmin dhe polifoninë ashtu si e ka përdorur Bakhtini, ndoshta është e ardhmja e kulturës globale dhe ndoshta, mund të shënojë një periudhë post-kombëtare të rrëfimit, ku ndërthuren kulturat. Vetë Ishiguro thotë se mënyra se si e sheh botën është përmes gjuhës dhe kulturës japoneze, që i kanë mësuar prindërit.

Po këtë stil të rrëfimit jo të besueshëm Ishiguro e demonstron edhe në romanin me ngjyra futuristike, “Mos më lër të shkoj” (Never Let Me Go), të përkthyer edhe në shqip, dhe të shpallur si 100 librat më të mirë të shekullit, e të popullarizuar edhe si film, ashtu si “Gjurmët e ditës”. Rrëfimi jo i besueshëm është sidomos efikas në këtë rast, kur lexuesit hap pas hapi i bëhet e qartë se në botën paralele të një të ardhmeje të afërt, njerëzit klonohen për t’i dhuruar organet, dhe kështu nxitet bashkë-ndjesia dhe emocioni për personazhet. Është interesant se në romanin e tij të fundit, “Gjigandi i fshehur” (The Buried Giant), Ishiguro i shmanget rrëfyesit të pasigurt të vetës së parë dhe e përdor vetën e tretë. Por ai përdor dy këndvështrime të të rrëfyerit, e kështu duke vazhduar që ta nxisë lexuesin të bashkëveprojë me perspektiva të ndryshme interpretuese. Sërish, temat e preferuara të këtij shkrimtari shfaqen edhe në këtë roman të fundit, ku një çift i moshuar udhëton përmes një bote legjendash të një Anglie të para pesëmbëdhjetë shekujsh, duke e kërkuar kuptimin e jetës së vet.

Pas marrjes të çmimit “Nobel”, Ishiguro deklaroi se “ka ardhur një kohë e vështirë kur e kemi humbur besimin në sistemin politik në udhëheqësit tanë,  kur bota është e pasigurt, kur nuk jemi të sigurt për vlerat tona. Shpresoj se, duke fituar çmimin ‘Nobel’, mund të kontribuoj për paqe dhe dashamirësi.  Ky çmim na përkujton se sa ‘ndërkombëtare’ është bota dhe si të gjithë mund të kontribuojmë për ta përmirësuar. Shpresoj të kontribuoj për diçka pozitive në botë”. Këto fjali të fituesit të sivjetmë të çmimit me prestigjioz letrar në botë, sikur krijojnë një nostalgji, duke përkujtuar misionin e letërsisë për humanizimin e botës edhe në hapësirat shqiptare, ku shkrimtarët  historikisht janë identifikuar me misionin e çlirimit kombëtar dhe rezistencës ndaj diktaturës.

Teknika rrëfyese e Ishiguros, ku rrëfyesi jo i besueshëm del më i besueshmi dhe reali, dëshmon se raportet formale mes rrëfyesve dhe personazheve letrare shpesh janë tregues edhe të ideologjive të caktuara në një shoqëri, dhe se rrëfimi jo-autoritar dhe mos-ndërhyrës i botës së brendshme të personazhit e inkurajon lexuesin e lirshëm, kritik, të gatshëm për dialogjizmin e gjuhës në çdo moment të rrëfimit.