Teatrit Kombëtar i hiqen gërmat, artistët: Dorë gjakatare!

Foto 1 nga 3 Pas Para

Gjatë mesnatës të së enjtes Teatrit Kombëtar i janë hequr gërmat. Artistë dhe dashamirës të këtij institucioni kanë dënuar aktin, duke i bërë thirrje instancave përkatëse të marrin përgjegjësitë që u takojnë

Anila Dedaj

Të enjten, gjatë mesnate Teatrit Kombëtar i janë hequr germat. Një aksion i ndërmarrë në qetësi, që për shumë konsiderohet edhe si një nismë provokatore.  Ministria e Kulturës shkarkon veten dhe drejtuesin e Teatrit Kombëtar nga përgjegjësia, dhe të dyja palët premtojnë se do të bëhen verifikimet e duhura. Ndërsa protestat e njëpasnjëshme duket sikur kishin larguar vëmendjen e qeverisë nga Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, sot të gjithë artistëve që po bëjnë rezistencë prej afro një viti për të mbrojtur këtë godinë, ju kujtua se “lakmia” për të parën vatër të kulturës shqiptare nuk është shuar. Kujtojmë se afatet për shpalljen e konkursit për ndërtimin e një godine të re kanë përfunduar, njëherazi Parlamentit i duhet që të rivotojë përsëri për Ligjin për Teatrin, që të fundit herë përfundoi me 75 vota pro. Ndërkohë çdo mbrëmje artistët dhe dashamirës të Teatrit Kombëtar vijojnë protestën në agoren e Teatrit. Një protestë që duket se përcolli tek banorët e kryeqytetit, nevojën për reflektim dhe mbi të gjitha për reagim ndaj kauzave të konsideruara nga palët e interesit si të padrejta. Janë të shumtë intelektualët që ngritën zërin kundër shembjes së kësaj godine, si; Flutura Açka, Aurel Plasari, Edmond Tupe, Ardian Vehbiu, Edmond Budina, Maks Velo etj. Njëherazi artistë si Alert Çeloalija, Neritan Liçaj, regjisorët Kastriot Çipi dhe Robert Budina, pedagogu i gazetarisë Ervin Goci, etj., kanë vijuar çdo ditë betejën e tyre kundër rrënimit të Teatrit Kombëtar . Kanë qenë të shumta reagimet që kanë dënuar një akt të tillë, të cilat i përçojnë Qeverinë mesazhin se “Teatri nuk duhet të preket!”.

Ylli Demneri: Veprim banditësh!

Shkrimtari Ylli Demneri ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke e krahasuar heqjen e germave të Teatrit Kombëtar me ngjarjen e Rinasit. “Grabitja e parave në aeroportin e Tiranës para disa ditëve, si dhe heqja e shkronjave nga fasada e Teatrit kombëtar gjatë natës së 25 prillit, janë veprime krejt të ngjashme. Veprim banditësh. I dyti është akoma më i rrezikshëm sepse është i veshur me pushtet. Ngjashmëria me pjesën e Brehtit, ‘Arturo Ui’, është e frikshme”, shkruan ai.

Jozef Radi: Institucionet të marrin përgjegjësitë që u takon!

Studiuesi, shkrimtari dhe gazetari Jozef Radi në reagimin e tij i ka kërkuar instancave përkatëse të thyejnë heshtjen ndaj një akti të tillë, duke marr përsipër përgjegjësitë. “Në qendër të Tiranës, mbrëmë (parmbrëmë) në mesnatë, në të hyrë të së Premtes së Zezë, janë vjedhur 14 germa të gjuhës Shqipe, vlefta e të cilave është e pallogaritëshme, e shumë më e madhe se vlefta e vjedhjes së para ca ditëve në Rinas… Lajmërohen gjithë institucionet përgjegjëse të Shtetit Shqiptar, të marrin përgjegjsitë që u takon. Heshtja konsiderohet bashkëpunim në vjedhje”, shkruan Radi

Naun Shundi: I hoqët germat, por jo emrin!

Aktori i njohur Naun Shundi ka dënuar ngjarjen, duke theksuar se ata që ndërmorrën një akt të tillë, i kanë hequr godinës germat, por jo lavdinë. “Mos guxoni! I hoqën gërmat Teatrit Kombëtar, por nuk mund ti heqin dot emrin. I hoqën gërmat Teatrit Kombëtar, por ai është aty, më famën dhe lavdinë që nuk mund t’ja rrëzojnë disa gërma të shkulura pabesisht, natën. Vutë dorë mbi gërmat. Mos guxoni të vini dorë mbi ndërtesën që është ndërtesë e shenjtë për shumë breza. Do t’ju mallkojnë nëqoftëse tentoni ta prishni. Çdo dorë e ngritur mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar është një dorë gjakatare, e pashpirtë! E pabesë dhe e pangopur! Më kujtohet shprehja komuniste : ‘ Mbi gërmadhat e Shqipërisë së vjetër, do të ndërtojmë Shqipërinë e re’. Ata që pretenduan ‘Shqipërinë e re’ do të ishin lumturuar me këtë ‘Shqipëri të re’ që po gëzojmë sot”, shkruan Shundi.

Elona Caslli:  A dini se çka përfaqësojnë ato gërma Lartmadhëri?!

E përfshirë në protestën në mbrojtje të Teatrit që në krye të herës përkthyesja dhe aktivistja Elona Caslli, ka reaguar përmes një postimi për heqjen e germave gjatë natës.

“Lartmadhëri

Orëve të natës janë hequr germat mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Nëse do të kish qenë një veprim krejt i rregullt dhe në përputhje me ligjin do të ish kryer ditën dhe jo vjedhurazi natën.

Lind pyetja Lartmadhëri: Hoqët vjedhurazi germat e një ndërtese, por vallë a do të mundeni të hiqni germat e një qëndrese?!

Në atë shesh Lartmadhëri ka një bashkësi germash që nuk mund të vidhen as pas mesnate dhe as pas mesdite.

Dhe a dini se çka përfaqësojnë ato germa Lartmadhëri?!

Përfaqësojnë atë që quhet Alfabet i Qëndresës.

E kush e njeh Alfabetin e Qëndresës, njeh vetëm një autoritet – Autoritetin e së Drejtës-.

Post Scriptum- Shkulja e germave nga Teatri Kombëtar nuk bën gjë tjetër veçse më risjell ndërmend Kamel Daoud-in …..

Duket se ata e urrejnë qytetin dhe duket sikur vijnë për të bastisur një vend të huaj. Qyteti për ta është plaçkë lufte. Ata e konsiderojnë si prostitutë plakë, e fyejnë, e keqtrajtojnë, e pështyjnë në surrat”, shkruan Caslli.

 

Regjisori: Duhet të ndërhyjë Prokuroria për të zbardhur të vërtetën

Kastriot Çipi

Ndërkohë që shembej tavani i një dhome në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke plagosur dy gra lehona (falë Zotit asnjë foshnjë), nga fasada historike e Teatrit Kombëtar shkuleshin shkronjat ndriçuese.

I njëjti shtet, që nuk kontrollon sigurinë e ndërtimeve dhe rindërtimeve të spitaleve, po shkatërron me dhunë objekte të trashëgimisë, që i kanë mbijetuar mungesës së mirëmbajtjes për dekada.

Por, pasi ka kaluar nata e hajnave me rroga shtetërore, skandali sapo ka nisur të shpërfaqet… dhe të thellohet. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, njeriu që për katër vjet me radhë në post nuk shpenzoi asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e ndërtesës, që u rreshtua pro shembjes së saj dhe u shpërblye me një mandat të dytë, e mohoi ngjarjen, prova e së cilës është aty, në zemër të Tiranës, në një shesh publik, ditën me diell. Ai tha për mediet  se “asnjë shkronjë nuk është hequr nga fasada e Teatrit Kombëtar”.

Këtu ngrihen ca pikëpyetje të mëdha. Nëse drejtori i TK nuk ka dijeni, kush e dha urdhrin për heqjen e tabelës ndriçuese? Ministria e Kulturës apo Bashkia Tiranë? Deri tani asnjëri prej këtyre institucioneve nuk është shprehur.

Teatri Kombëtar është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe asetet e tij janë në pronësi të kësaj të fundit. Bashkia Tiranë, pra, nuk ka asnjë tagër ligjor dhe nëse ajo është përgjegjëse, atëherë skandali është i dyfishtë.

Por nëse urdhrin e ka dhënë zonja ministre e Kulturës, mbeten të gjitha pikëpyetjet e tjera: Pse natën? Pse u hoqën shkronjat? Ku ndodhen tani?

Në bazë të ligjit special për “Rindërtimin e Teatrit Kombëtar”, Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë duhet të bashkëpunojnë për të shpallur garën për projekte për “zhvillimin urban të zonës” dhe krijimin e komisionit negociator për vlerësimin e tyre. Por këto veprime duhet të bazohen në një Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili nuk është miratuar ende, megjithëse afati ligjor ka kaluar qysh më 13 dhjetor 2018.

Atëherë pse u hoq emri i Teatrit Kombëtar nga fasada? A nuk është kjo, në rastin më të mirë, komprometim i garës? Ligji special thotë se i takon komisionit negociator të vendosë për këtë ndërtesë. Kjo do të thotë se komisioni ka të drejtë edhe t’i refuzojë të gjitha projektet e paraqitur në garë dhe, në këtë rast, Teatri Kombëtar nuk ka arsye të shembet. Me këtë veprim, shteti tregon sa seriozisht e merr garën dhe ligjin, institucionet e drejtësisë dhe vetë nocionin e drejtësisë.

Bashkia Tiranë trumbeton me të madhe çdo gjobë për shkelje bari apo urinim gjatë protestave të opozitës, por nuk ka bërë ende asnjë koment për këtë dëmtim të pronës publike, në zemër të Tiranës dhe në bashkëpunim, të ndodhur para kamerave të Ministrisë së Brendshme dhe më pak se 70 metra larg vetë Bashkisë.

Orët e ardhshme duhet të mësojmë kush e dha urdhrin dhe cilët e zbatuan. Por nëse Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës nuk japin asnjë sqarim, atëherë duhet të ndërhyjë Prokuroria për të zbardhur të vërtetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet