Teatri shqiptar në zi, shuhet Mihal Luarasi! (FOTO)

Publikuar më 31. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Regjisori dhe dramaturgu i njohur Mihal Luarasi ndahet nga jeta. Gjatë regjimit komunist u internua për vënien në skenë të dramës “Njolla të murme” dhe dënua me 9 vite burg, si regjisor i Festivalit XI përagjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Flasin artistët. Homazhet zhvillohen sot, ora 12.00-14.00 në hollin e Teatrit Kombëtar

Teatri shqiptar në zi. Regjisori, dramaturgu, kritiku dhe analisti i rrallë i artit Mihallaq Luarasi (1929-2017) u shua. Lajmin e hidhur për kulturën shqiptare e dha gjatë ditës së djeshme, profesor Përparim Kabo, i cili ishte një nga njerëzit e tij më të afërt, në të mirë edhe në të keq, gjatë viteve të fundit të jetës.

“Ike mik i shtrenjtë dhe ma zbraze shpirtin, tek të shihja të shtrirë pa jetë nuk doja ta besoja. Ike mik dhe le një boshllëk te familja jote e mrekullueshme. Ike Mihal Luarasi dhe teatri është në zi, ike nga kjo botë për të cilën u përpoqe ta bëje më të mirë me artin tënd regjisorial, ta bëje më humane me dramën shqipe, ta bëje një botë me dritë fal përkushtimit dhe kalvarit tënd.

Ike Mihal dhe do më mungosh, poezitë nuk do t’i lexojmë dot më bashkë, por unë do t’i dërgoj në qiell. Sa kujtime kemi bashkë, sa ëndrra sa biseda dhe sa brenga. Ike miku im megjithëse t’u luta para dy ditësh me poezinë titulluar të “Lutem mos fluturo”…, por ja në këtë vjeshtë ike, lamtumirë mik i shtrenjtë…Më mori malli që tani…”. Homazhet në nderim të regjisorit dhe dramaturgut të njohur Mihal Luarasit do të mbahen sot në hollin e Teatrit Kombëtar përgjatë dy orëve, 12.00-14.00. “Shekulli” kontaktoi disa nga bashkëpunëtorët e tij, për të rrëfyer më tepër rreth vlerave të Luarasit, si artist dhe njeri.

Gëzim Kame: Luarasi ishte një figurë shumëdimensionale në artin tonë

Regjisori Gëzim Kame e konsideron ndarjen nga jeta të regjisorit Luarasi, si një lajm shumë të hidhur për të gjithë njerëzit e artit dhe të skenës mbi të gjitha. “Ishte një njeri me virtyte të veçanta në artin tonë. Ishte një figurë shumëdimensionale, ka qenë një pedagog i shkëlqyer, regjisor i vlerave të mrekullueshme, dramaturg, analist dhe kritik arti i jashtëzakonshëm”.

Kame e vlerëson mbi të gjitha Mihalin për frymën krejtësisht të veçantë midis kolegëve, e cilëson si një njeri që ka qenë shumë miqësor edhe pa dallime moshe, ka qenë shumë profesional në gjykimet e tij. “Unë përveçse kujtimeve që ruaj në vitin 1965, që jam njohur me këtë figurë, qëkur kam qenë student e deri më sot më ka lidhur fati, që përveçse anës pedagogjike të tij, që e njoh shumë mirë, të kem qenë edhe në pozitat e aktorit nën regjinë e Mihallaq Luarasin”. Kame shton se në raport nga regjisorët e tjerë të asaj periudhe, Luarasi, ka pasur një metodikë të veçantë me aktorin dhe me veprën.

“Ka qenë shumë inteligjentë edhe konkret dhe me një finesë shumë të rafinuar në regjisurën e tij, si dramaturg kam pasur rastin të vë një nga veprat e tij para pak vitesh “Gomonet””. Përveçse të tjerash Kame mendon se vlera e këtij njeriu është se ka qenë përherë pranë problemeve të vendit të tij. Ai e cilëson si një njeri shumë të ndërgjegjshëm edhe shumë të shqetësuar. Këto pikëpamje të natyrës së tij i ka reflektuar edhe në veprat që ka shkruar vitet e fundit. “Kam qenë një mik i afër i familjes Luarasi, i çiftit të mrekullueshëm, që kanë ardhur krahë për krahë në të mirë edhe në të keq me njëri-tjetrin, prandaj i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta Edit”, përfundon regjisori Kame.

Roza Anagnosti: Artistë, si Mihal Luarasi nuk do të ketë më skena

Çifti Roza dhe Dhimitër Anagnosti e cilësojnë ndarjen nga jeta të Mihal Luarasit, si një ngjarje të rëndë për artin tonë, por edhe për familjen e tij, veçmas Edin. “E vlerësoj, si një njeri dhe dramaturg të madh, si një njeri që kaloi gjithë jetën e tij, mes artit dhe vuajtjeve, që i shkaktoi ky art”. Roza Angnosti e kishte të pamundur që të gjente fjalët e duhura për këtë ndarje të rëdë, por ajo thotë se Mihal Luarasi ishte një personalitet, që nuk vjen më kulturës shqiptare. Ajo dëshiron edhe shpreson që vepra e tij, të mbetet në memorien e të gjithë atyre, që patën mundësi ta njohin nga afër punën e tij, por jo vetëm.

“Mihali ishte një njeri që preokupohej edhe në ditët e tij më të vështira për artin. Mendoj se nëse do të dëgjoheshin shumë gjëra që ka thënë Mihali, në teatër gjërat do të shkonin shumë mirë”. Çifti Anagnosti dhe Luarasi kanë punuar bashkë. “Është e vështirë që të japësh një mesazh, në kaq pak kohë, përballë atij mesazhi, që Mihali dha gjatë gjithë jetës së tij nëpërmjet artit”. Mihal Luarasi nuk ndali kurrë së shprehur shqetësimin dhe preokupimin e tij për artin e skenës. Punoi në të gjitha zhanret e artit shqiptar.

Muharrem Fejzo: Mbahu Edi studentja dhe mikesha ime e preferuar

Edhe regjisori Muharrem Fejzo shprehu ngushëllimin e tij, nëpërmjet një shënimi në rrjetet sociale. Ndër të tjera Fejzo shkruan: “Mihali im, më ike duke ma shkretuar shpirtin, duke më plagosur zemrën, duke më lënë kujtimet e paharruara me ty dhe Edin në mbrëmjet plot jetë e gaz në shtëpitë tona në ato vite ku trishti, frika, pabesia përgjonin skutat e krijimit tonë. Brenda asaj kornize të hekurt dhe frikës, që pillte frikë, ne gjenim atë pakëz dritë dhe bënim humor…, më kujtohen barsoletat me Hanoin në krye të shkallëve kur ti dhe Edi qeshnit me lot… Eh! Mikele, kështu të llastoja unë…Të kam dashur, e do të dua përjetësisht drita e ditëve të mia të trishta. Lamtumirë Mikele, u prehsh ne paqen e amëshuar. Mbahu Edi studentja dhe mikesha ime e preferuar. Kurajo shoqja ime e mirë”.

Bio

Mihal Luarasi (1929-2017) u lind në Korçë, por në Tiranë edukohet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e aktrimit. Vijoi studimet për regji teatri në Akademinë e Arteve të Teatrit në Budapest, Hungari. Puna e tij e parë si regjisor profesionist është tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri” (1956). Me “Dhelpra dhe rrusht”. Ai fiton disa çmime në Festivalin e II Kombëtar të Teatrit. Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës më 1966 vë në skenë për herë të parë “Cuca e Maleve”. Me “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, dhe “Njollat e Murrme” të Minush Jeros, Lurarasi është bërë pjesë e atyre përpjekjeve në art, që brenda realizmit socialist të mund të ngrinin shqetësimin e njeriut intelektual. E njëjta gjë me vënien në skenë me trupën e Durrësit të dramës “Çështja e inxhinier Saimirit” e Fadil Paçramit.

Në Teatrin e Operës dhe Baletit ai është regjisor i “Karmen”, “Traviata”, “Pranvera”, “Opera për tri grosh” etj. Dënimi me burg, me internim më pas, për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” ndodhi në valën e goditjeve për liberalizëm që iu bë kulturës dhe arteve në vitet 1972-1976. Për gati 20 vjet, Luarasi dhe bashkëshortja e tij Edi, nuk panë skenën e teatrit, por kantierin e fabrikave dhe të punëve për mbijetesë të së shoqes, si rrobaqepëse. Pas nëntëdhjetës çifti Luarasi vendoset në Hungari.

Aty vë në skenë dramën e Rexhep Qosjes “Vdekja e një mbretëreshe”. Më 1995 rikthehet në Tiranë për të vënë në skenë dramën “Hekurat” e dramaturgut hungarez Goncz Arpad. Është autori i disa librave mbi teatrin; “Teatri Kombëtar në udhëkryq” (2003) dhe “Kujtesa që nuk fle” (2005). Më 2003 rikthehet përfundimisht nga Hungaria dhe shkruan dramën “Gomonet” e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisori Gëzim Kame. Në vitet e fundit ai ka punuar me dramën e Ruzhdi Pulahës “Streha e të harruarve” dhe për dy drama të vetat “Korbi i bardhë” dhe “Antigona kërkon të atin” dhe “Përjetësisht dashuri”. Mban titujt “Artist i popullit”, “Nderi i Kombit” etj.

Vuajtja e çiftit të artistëve, nga regjia e Festivalit të 11-të, te drama “Njolla të murme”

Ndëshkimi i Mihal edhe Edi Luarasit për Festivalin e 11-të në Radio Televizionin Shqiptar. Një event i rëndësishëm artistik, i vetmi që shndërrohej në festë për artistët edhe artdashësit, Festivali i XI-të çeli siparin e dramës të jetës së bashkëshortëve Luarasi. Festivali i 11-të i Këngës në RTSH (22-24 dhjetor 1976) në Teatrin e Operës në Tiranë, ku regjisor ishte Mihal Luarasi dhe prezantues Edi Luarasi edhe Bujar Kapexhiu. Ata prezantuan një nivel të lartë artistik.

Por, pas këtij festivali nisën edhe ndëshkimet e atyre që e organizuan dhe ideuan. Ndërsa, nëpër burgje përfunduan regjisorët Mihal Luarasi, si edhe këngëtari Sherif Merdani, Edi Luarasi. “Mbaj mend që kisha tre fustane shumë të bukura. Kisha gjetur ca copa të rralla kineze, që kur i veshja dukesha si flutur. Edhe modelet e prerjes kanë qenë ndër më të avancuarat e kohës. Të gjithë donim të bënim një spektakël me nivel të lartë artistik”. Çuditërisht, në atë festival nuk këndohej për partinë, kooperativistin, për brigadierin pararojë. Pas gjithë këtij entuziazmi, vjen si rrebesh reagimi negativ i pushtetit politik. Në fillim lajmi erdhi si thashethem se: “Enver Hoxha e ka kritikuar festivalin”.

9 vite burg për Mihal Luarasin

Ndër kulmet e Edi Luarasit si aktore, mundet që të përmendim rolin e Leas, tek drama “Njolla të murme” (1969), të Minush Jeros, me regji të Mihal Luarasit dhënë në Festivalin e Katërt Kombëtar të Teatrove të Dramës, nga trupa e “A.Z. Çajupi” e Korçës. Shfaqja u cilësua si më e mira e festivalit. Por pavarësisht nga suksesi, politika e kohës do ta cilësonte, si “Një njollë të zezë për artin tonë revolucionar e plot përditshmëri”. Shfaqjet u ndaluan edhe kjo dramë shërbeu, si shkak për ndëshkimin e regjisorit Mihal Luarasi dhe aktores Edi Luarasi, duke shkaktuar një traumë të rëndë në familje. Mihali dënohet me 9 vite burg, ndërsa Edi, nis punën si rrobaqepëse.

Dashuria mes Edi dhe Mihal Luarasit

Për herë të fundit Mihal Luarasin e takuam në promovimin e librit “Dashuri dhe dramë”, që i dedikohej bashkëshortes së tij, Edi Luarasit. Por, ata edhe në këtë libër ishin të dy bashkë, sepse i lidhte një dashuri e dyfishtë për njëri-tjetrin, që nuk i ndau as në ditët më të vështira gjatë regjimit komunist.

Aktorja Edi Luarasi ishte vetëm 17 vjeçe, madje as nuk i kishte mbushur kur pa për herë të parë Mihal Luarasin. “Një ditë, teksa po kaloja përpara hotel ‘Dajtit’, më zunë sytë një djalosh, që më bëri përshtypje vetëm nga mënyra sesi e kishte lidhur shallin. Për momentin kujtova se ishte ndonjë i huaj, pasi aty vendoheshin, te hotel ‘Dajti’. Pas pak kohësh më vjen një koleg edhe më thotë: “Edi, ka ardhur një regjisor, që është diplomuar në Hungari dhe kërkon të provojë një vajzë, për një rol në pjesën, që ai ka vendosur të vërë në skenë”. U befasua, sepse ajo ishte thjesht këngëtare në Estradën e Shtetit dhe për hir të vërtetës rrëfen se nuk kishte haber nga teatri. Kjo ishte edhe përgjigjja që i dha kolegut që u interesua.

Por, nuk mbaroi me kaq. “Një ditë të bukur, ky regjisori, erdhi në Estradën e Shtetit. Gjëja, që më bëri përshtypje, tani ishte këmisha që kishte veshur, nuk ishte e zakonshme, jaka disi e hapur, kapej me d kopsa. Tjetra, që më bëri përshtypje ishte, se pas ardhjes së tij aty, dyndeshin vajzat e bukura të Tiranës që mesa duket e kishin vënë në shenjë “regjisorin. Një ditë i them nënës sime: Sa të lehta janë këto femrat.

Ka ardhur një regjisor që nuk ka ndonjë bukuri të rrallë, por vetëm se ka mbaruar jashtë shtetit, u mbetën sytë tek ai, ndërsa unë nuk e kuptoj se çfarë i pëlqejnë atij”. Më tej aktorja, e cila ishte indiferente ndaj tij, ashtu sikurse edhe ai ndaj saj, por kur vinte fjala dhe rasti, vepronte me finesë, çfarë edhe kjo mënyrë sjelljeje, përbënte një të veçantë për të. “Por kuptova se krejt papritur, që isha aq indiferente ndaj tij, diç filloi që të më shqetësonte, të më pëlqente. Këtë ia thashë edhe nënës sime një ditë”.

Ndërsa, regjisori Mihal Luarasi ka rrëfyer me gojën e tij, se si lindi dashuria mes tyre. “Sapo isha kthyer nga studimet në Hungari dhe ishte pikërisht viti 1957 kur shkova në Estradën e Shtetit. Edi më kishte pëlqyer një vit më parë, kur jo drejtpërdrejtë, i propozova që ta vija për një provë në Teatrin Popullor. Përgjigja që mora prej saj ishte: Nuk më pëlqen teatri. Kur e kujtojmë sot këtë moment na vjen për të qeshur, sepse për irnoni të fatit, refuzoi atë që do të bëhej pak më vonë karriera dhe pasioni i jetës së saj”.

Edi shmangu jo vetëm aktivizimin në teatër, por “eliminoi” edhe regjisorin, që e simpatizonte, për të cilin ishte shprehur: “Na ka ardhur një regjisor i ri, mendjemadh, që nuk më pëlqen fare”. “Për fatin tim dhe timin, ky opinion i shprehur me ngut, nuk rezistoi shumë dhe ndoshta, në subkoshiencën e saj, fshihte diçka tjetër, që nuk vonoi të shfaqej, simpatia… Mbasi u miqësuam, në një rast, i them: Do të desha të vij për një vizitë në shtëpinë tënde, kuptohet me pëlqimin e mamit tënd”. Lidhur me këtë vizitë, regjisori nuk mundet ka rrëfyer dhe natyrën e rreptë të nënës së saj.

“Në mes të muhabetit, mbasi kishin folur për punën e së bijës dhe natyrën e saj gazmore, nënë Çezarina, më drejtohet: A do ta kompletosh nga të gjitha anët, natyrën e Edit? Zonja e shtëpisë hapi derën e dhomës së gjumit, ku gjendeshin rroba të parregulluara dhe i tha: Ja tha kjo është Edi jo vetëm ajo që njeh ti.  Nga ana profesionale, mua më kishte mbushur mendjen se, kjo vajzë ishte e lindur për teatrin, ndaj edhe e aktivizova si aktore, fillimisht në disa role të vegjël edhe pastaj edhe në komedi, ku e zbuluam edhe më mirë mundësinë e saj potenciale për aktrimin. Ne do të nisnim rrugën e përbashkët për t’u përballur me dramën në skenë edhe në jetë”. Nga kjo dashuri ata kanë dy fëmijë.