“Teatri shqiptar i izoluar, interesi i politikanëve është inekzistent”

Regjisori Adonis Filipi sjell shfaqjen “Volpone” në Teatrin Eksperimental. Ai rrëfen komedinë e Jonson, si dhe nevojën e teatrit shqiptar për mbështetje dhe ballafaqim brenda dhe jashtë kufijve. Sipas tij Tirana duhet të kishte minimalisht 15 teatro

Anila Dedaj

Në botë ka mjaftueshëm për nevojat e njeriut, por jo për të përmbushur lakminë e tij. Fjalët e Mahatma Gandhit nuk njohin kohësi, ashtu si lakmia e makutëria, e për pasojë një nga komeditë më të famshme të Benjamin Jonson. “Volpone” (kuptimi: dhelpër e madhe, njeri dinak), një nga kryeveprat absolute të periudhës së artë të teatrit anglez, e përshtatur nga Stefan Cvajk prek sot dhe nesër në orën 19.00 skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nën regjinë e Adonis Filipit. Pas suksesit e korrur në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan “Skampa” trupa e Elbasanit sjell këtë shfaqje para publikut kryeqytetas për tu ballafaquar, për të shkëmbyer eksperienca, si dhe për të kujtuar një shekull teatër të këtij qyteti, që gjithmonë e më shumë po bëhet një promovues vlerash skenike. Drejtori i Teatrit “Skampa” Kliton Kapaj u shpreh gatë konferencës së mbajtur ditën e djeshme në kuadër të “Volpone”, se Tirana është vetëm fillimi i rrugëtimit për këtë shfaqje, të cilën e presin skena të tjera të Shqipërisë si ajo e Gjirokastrës, Durrësit, Korçës etj. “Është një punë voluminoze e teatrit ‘Skampa’, e regjisorit dhe e gjithë trupës artistike të cilët kanë dhënë maksimumin për këtë pjesë, e cila ishte një sfidë për të gjithë ne. Kjo komedi marrë të gjithë angazhimin tonë dhe shpresoj, që edhe publiku i Tiranës do ta mirëpresë dhe do të jetë i pranishëm në këtë shfaqje”, u shpreh Kapaj. Peshën më të madhe interpretuese të kësaj shfaqjeje e mban aktori Helidon Fino, i dalluar për elastikën dhe shkathtësinë e tij në lojën skenike. Ky bashkëpunim është për të i pari, si me regjisorin ashtu edhe me trupën. Për Finon, emocionet e kësaj pune janë të shumëfishta, pasi ai vetë është nga Elbasani, pavarësisht se siç vetë rrëfen ka pasur një shkëputje prej gati tre dekadash nga teatri i qytetit të lindjes. “Teatri i Elbasanit ka një traditë që po vjen në rritje, e them këtë duke marrë parasysh të gjithë prodhimtarinë dhe produksionet e kohëve të fundit. Është për t’u përgëzuar! Mua personalisht më jep sodisfaksion të veçantë, sepse bëhet fjalë për qytetin ku jam lindur dhe rritur. Teatri ‘Skampa’ e ka tejkaluar veten…”. Përsa i përket përjetimeve të aktorit nëpërmjet interpretimit të një roli të tillë, Fino shprehet se kjo do të reflektohet në produktin skenik. “Besoj se ka qenë një punë drejt maksimumit”, shprehet ai. Për regjisorin Adonis Filipi realizimi i kësaj komedie ka qenë një sfidë, për rëndësinë e veprës (konsiderohet kryevepra e Jonson) por edhe për autorin, që për nga pesha renditet i dyti pas Shekspirit. “Është një vepër me pretendime, si të karakterit të problematikës, ashtu edhe të karakterit profesional. Për të sjellë një vepër me sa më shumë vlera, për të përcjellë tek spektatori sa më shumë emocion përmes lojës, rrjedhimisht ishte një vepër që kërkonte një vizion të qartë dhe mbi të gjitha kërkonte një lojë të sinqertë, një lojë të vërtetë, një lojë që t’i përgjigjej kërkesave, të cilat pak a shumë përcjellin vizionin e shfaqjes”, shprehet regjisori duke theksuar se klima e shëndetshme me stafin ka ndihmuar gjatë punës. Shfaqja e “Volpone” në Festivalin Ndërkombëtar i Teatrit Kontemporan “Skampa” ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të profesionistëve të Teatrit Kombëtar, por edhe të dashamirësve të huaj të teatrit të pranishëm në event. “Shpresoj që duartrokitjet që morëm në Elbasan si në premierë, ashtu dhe në edicionin e 20-të të Festivalit të na shoqërojnë edhe në Tiranë. Vepra ka një impakt bashkëkohor, në pikëpamjen e kërkimit estetik. Ka qenë një punë e shëndetshme dhe frymëzuese”, u shpreh Filipi. Regjisori për “Shekullin” ka zbuluar detaje të tjera për shfaqjen duke mos qëndruar indiferent ndaj problematikave që prekin teatrin dhe zhvillimin e tij.

Zoti Filipi mund të na rrëfeni diçka më tepër rreth komponentëve të tjerë të shfaqjes?

“Volpone” është në fakt një pjesë që funksionon përmes harmonisë së komponentëve, brenda vizionit për të përcjellë një vepër, jo vetëm të karakterit vizual, por që të ketë edhe lëvizje. Provokimi bazë sigurisht është dramaturgjia e thellë e Ben Johnson, me një përshtatje të jashtëzakonshme nga Stefan Cvajk. Aksesorët janë të ndërthurur me kujdes dhe parësore është, që loja të shkojë në mënyrë shumë të unifikuar drejt kërkimit estetik, mbështetur në lëvizje. Kostumografia vjen në sajë të bashkëpunimimit me Blagoj Micevski, emër i njohur në skenat evropiane. Përgjithësisht është ndërtuar me një set minimalist, pasi e tillë është përgjithësisht natyra e punës sime, mirëpo është një zgjedhje, që përcjell ndjeshmëri dhe impakt. Ka elementë të veçantë vizualë si përshembull, syzet që e sjellin veprën edhe më shumë në kohë. Të gjithë karakteret kanë maska gjatë gjithë lojës dhe kjo është simbolika që në njëfarë mënyre rrëfen qenien njerëzore. Këtë e sjell vetë Ben Johson. Ne i kemi mëshuar, por me elegancë këtij elementi që flet shumë… Sepse fatkeqësisht, kur bëhet fjalë për paranë apo makutëri të tjera që gjallojnë në jetën tonë, të gjithë njerëzit i vendosin maskë vetes së tyre, madje arrijnë deri aty saqë kanë frikë dhe në përballje me veten, duke vendosur maskë edhe në këtë kontest. Mendoj se ky tipar është shumë i qenësishëm në vepër dhe në këtë pikëpamje eksplorimi i genit artistik të veprës është ajo çka na ka çuar në këtë lloj zgjedhjeje, sepse në fund të fundit mendoj se për një krijues të skenës, por edhe në përgjithësi, është shumë  rëndësishme eksplorimi i genit artistik, i fenomenit të veprës.

Ç’mund të na thoni rreth hapësirave teatrore të ofruara dhe për rrugëtimin e “Volpone-s” më tej?

Teatri ynë duhet të ketë më tepër hapësirë, më tepër difuzion në alternativat e veta. Unë kam punuar dhe në teatër rruge, problemi është se duhet të synojmë shumë drejt kërkimit estetik, sepse mendoj se ky lloj kërkimi na bie më afër, na bën të ballafaqohemi më tepër me kolegët tanë me punët e tyre. Njëkohësisht eksperienca të tilla na ndihmojnë të përfitojmë prej njëri-tjetrit. Ne do të synojmë që shfaqja të ketë akses përtej kufijve shqiptar. Ballafaqimi edhe jashtë kufijve na bën mirë, për të kuptuar se ku jemi por edhe për të marrë më shumë nga njëri-tjetri.

Që teatri të zhvillohet në këtë kontekst që përmendët, të ballafaqimit dhe shkëmbimit kulturor jashtë është e domosdoshme edhe mbështetja…

Në perceptimin tim teatri është privilegj i pakicës, jo i shumicës. Vlera e një teatri, i cili përmban esencialisht tiparet estetike, në këtë kontekst është privilegj i pakicës. Dhe kur flasim për vlera estetike, kreativiteti normalisht ka nevojë për mbështetje… Ka nevojë për mjete shprehëse, për mjete teknologjike, ndriçim, audio etj., pasi çdo element krijon një impakt dhe zgjon edukimin e spektatorit. Por ne dashur pa dashur krijojmë edhe funksion edukues, qoftë esencial po ashtu edhe estetik.  Është shumë e rëndësishme të theksohet, se teatri shqiptar ka nevojë për një prekje më estetike dhe kjo duhet të vijë patjetër përmes ballafaqimit me eksperiencat më të mira botërore dhe evropiane.

Cili është roli i shtetit , më saktë i ministrisë së Kulturës në këtë nevojë për ndryshim në saj të zhvillimit teatror?

Është e qartë se të gjitha problemet që ceka më sipër duhet të jenë pjesë e politikave që ndiqen. Ne jemi një vend kandidat për në Bashkimin Evropian dhe obligimin për të shkuar drejt kësaj rruge, ne duhet ta përcjellim në aspektin e zhvillimit të politikave të brendshme, ekonomike, sociale, por mbi të gjitha edhe përmes artit. Dhe arti ka një impakt të menjëhershëm! Ne mund të ndërtojmë edhe mijëra kilometra rrugë, por ajo rrugë që shtron arti është e pashlyeshme. Këtu shteti ka mundësi të jashtëzakonshme qoftë në nivel lokal, bashki, apo shoqatat dhe asosacionet artistike. Këto struktura mund të bëjnë të mundur krijimin e një impakti edukativ dhe promovues të jashtëzakonshëm. Por diçka e tillë kërkon facilitete, suporte, pasi asgjë nuk mund të bëhet pa mbështetje! Edhe pse një krijues mund të ketë vizion, kjo është e pamjaftueshme. Duhet të ketë politika të tjera për evente dhe produksione, që potencialisht mund të krijojnë promovim për vendin. Jo çdo gjë që krijohet në kulturë mund të ketë jetëgjatësi, qëndrueshmëri, apo impakt afatgjatë në kohë. Prandaj duhet parë me kujdes edhe sa vizionare janë këto krijime. Të gjitha këto që përmenda mund të realizohen vetëm në sajë të politikave, të cilat i bëjnë institucione siç është Ministria e Kulturës. Në këtë drejtim mendoj se teatri jonë për fat të keq vazhdon të jetë i izoluar.

Çfarë masash konkrete duhet të merren për të pasur një ballafaqim teatror që nxit promovimin e vendit?

Teatri ynë nuk lëviz. Tek ne vijnë shumë pak personalitete, qoftë edhe në fushën e regjisë. Personalitetet kanë vokacion, financimi për t’i sjellë në Shqipëri është i realizueshëm dhe do të ishte i justifikuar, duke pasur parasysh impaktin që do të krijonte për promovimin e vendit. Pra, po flas për institucionet që i kanë kapacitete për të mundësuar edhe kooproduksione. Teatri duhet të ketë më shumë dashuri. Duhet kuptuar se drejtimi i një institucioni nuk është privilegj, është përgjegjësi e jashtëzakonshme. Për mua rëndësi nuk ka se sa shfaqje jepen, por se cilët janë gurët kilometrikë të teatrit, në cilat kompeticione është ballafaquar ky teatër. Kush janë ata që kanë dhënë shënjime estetike të teatrit, sidomos në regji apo interpretim. Teatrot botërorë, ballafaqohen nëpërmjet tureve në vende të ndryshme.

Së fundmi është ndërtuar edhe ArTurbina, çmund të na thoni rreth ambienteve teatrore që ofrohen në Tiranë?

Tirana është gati 1 milionë banorë, por ne kemi shumë pak njësi teatrore, për më tepër që edhe produksionet që vijnë në mënyrë private janë të pakta. Shfaqjet teatrore nuk bëhen vetëm në godinat e teatrove, por bëhen edhe në rrugë. Pra, duhet stimuluar edhe në mjediset e tjera. Sot Tirana numëron gati një milion banorë dhe është detyra e teatrit t’i përgjigjet diversitetit të audiencave. Është detyrë e teatrit që të gjejë atë repertor që t’i përgjigjet gjeneratave, larmishmërisë së audiencave dhe kjo kërkon politika që duhet të kenë një impakt të prekshëm. Minimalisht ne duhet të kishim mbi 15 mjedise skenike. Ka përshembull lagje që kanë një popullsi të konsiderueshme, ato duhet të kenë teatrin e tyre… Teatri është një institucion, një vlerë që krijon një impakt të jashtëzakonshëm, jo vetëm thjesht për emancipimin, por edhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Por kjo ka nevojë për facilitete, për mbështetje, për politika.

 I diskutueshëm është edhe niveli i shfaqjeve…

Po të diskutojmë për nivelin, duhet të kemi parasysh dy lloj parametrash. Në radhë të parë shfaqjet teatrore bëhen për spektatorët dhe duhet të pëlqehen nga ata. Dhe së dyti, mendoj që niveli i vlerësimit të tyre, kritika tek ne është gati inekzistente dhe ndonjëherë joprofesionale. Kritika është përgjithësisht një kritikë skematike, ku vërejmë të njëjtat perifrazime. Po nuk mund të jetë e tillë pasi vetë nocioni i teatrit nuk është statik. Kërkimi estetik duhet të jetë në lëvizje, pasi lëvizin rrethanat, edhe qëndrimi i kritikës duhet të shkojë në raport me këtë zhvillim. Megjithatë ne kemi artistë dhe regjisorë shumë të mirë, të cilët kanë nevojë të lëvizin, të ballafaqojnë punët e tyre. Ky lloj ballafaqimi përveç shërbimit individual promovon dhe rrit vokacionin e kulturës shqiptare, sepse në fund kultura është ajo që lë gjurmë. Duhet më shumë dashuri për kulturën!

Cili është qëndrimi që mbajnë sipas jush politikanët dhe institucionet ndaj teatrit aktualisht?

Nëse flasim për politikanët, unë dua të shtroj një pyetje sa ndër ta vijnë dhe ndjekin një shfaqje teatri?! Para viteve ’90 kujdesi për teatrin ka qenë shumë i veçantë, por mandej me përmbysjen e sistemit, interesi i politikanëve është pothuajse inekzistent. Nëse ata do të jenë pjesë e shfaqjeve, do të frekuentojnë teatrin, kam bindjen se ata do të jenë më të ndjeshëm. Janë shumë të rrallë politikanët, apo njerëzit me prezencë mediatike, që ndjekin shfaqjet e teatrit.  Kjo është për të ardhur keq! Ne jemi i vetmi vend në Ballkan pa një objekt kulti për teatrin, dhe ai objekt kulti mbi të gjitha është i vlerave shpirtërore të vendit tonë. Po bëhen teatro të shkëlqyer në Maqedoni, Teatri i Gostivarit, i Tetovës…. Mirëpo edhe vëmendja e tyre është drejt nesh, drejt Tiranës. Çdo investim për teatrin është investim për shpresën e njerëzve. Mendoj se i bën njerëzit më optimistë, u përçon më tepër energji pozitive. Prandaj këmbëngul, nëse Tirana do të kishte më shumë teatro, unë kam bindjen se do të bëhej një qytet evropian. Teatri duhet të arrijë të behët pjesë e nevojës së njerëzve, jo thjesht e profesionistëve. Teatri është kulturë! Në kombet rreth e qark nesh kjo lloj praktike nuk mungon. Politikat janë bazat që duhet të mbështesin dhe selektojnë ato veprimtari që vërtet janë të qëndrueshme dhe rrisin vokacionin e kulturës sonë brenda vendit dhe jashtë vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet