Teatri, aktorët mundin qeverinë

Ministria e Kulturës Mirela anulon zhvendosjen e Teatrit Kombëtar te “Turbina”. Ministrja e Kulturës shprehet se Teatri Kombëtar nuk lëviz deri në momentin që të ketë projekt të ri, ndërsa do t’i shtohen dy salla te ‘Turbina”. Rama fyen kërkesat e aktorëve duke i cilësuar “plasje”

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është tërhequr nga zhvendosja e Teatrit Kombëtar te ‘Turbina’. Kumbaro u shpreh se Teatri Kombëtar nuk lëviz deri në momentin që të ketë projekt të ri, ndërsa do t’i shtohen dy salla te “Turbina”. “Teatri Kombëtar do të vijojë që të jetë aty ku është sot në funksion me të gjitha parametrat, nuk do të preket salla, do të vijojë që të përdoret nga trupa, të cilës i shtohen edhe dy salla të reja te Turbina. Do të zgjerohen hapësirat. Teatri ka një autorizim të tillë fizik dhe konstruktiv që bëhet i parikuperushëm, por deri ditën që do të kemi projektin për një teatër të ri në të njëjtin truall, ai do të jetë funksional për trupën” deklaroi ministrja.

Dje artistët u futën me forcë në godinën e Teatrit Kombëtar, pasi dera ishte e mbyllur me çelës sipas tyre. Por me deklarimin e ministres, duket se aktorët një betejë e kanë fituar duke bllokuar zhvendosjen te ‘Turbina’. Edhe drejtori në detyrë i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli pohoi se nuk do të ketë zhvendosje të teatrit Kombëtar te ‘Turbina’, ndërsa lajmet dhe deklaratat e artistëve i ka cilësuar spekulime. Beteja e dytë e artistëve me Ministrinë e Kulturës lidhet me projektligjin e ri, të cilin e kundërshtojnë.

Kjo pikë pritet që të sjellë akoma më shumë debat në vazhdim, pasi aktorët kanë deklaruar se nuk pranojnë negociata, por ministrja u shpreh nuk tërhiqet dhe pret propozime në takimin e planifikuar nesër, por artistët nuk pranojnë që të shkojnë, ndërsa e kanë ftuar ministren që takimi të bëhet në orën 16:00 te godina e Teatrit. Ministrja theksoi se ndryshimet në ligj po bëhen për të decentralizuar disa nga kompetencat që sot i ka vetëm Ministria e Kulturës. “Ka një keqkuptim, kemi marrë një nisëm ligjore për të decentralizuar disa nga kompetencat që sot i ka vetëm Ministria e Kulturës në përfitim të institucioneve të artit dhe institucioneve të tjera që duhet të nxiten për të financuar, si bashkitë.

Jemi vetëm në proces konsultimi. Jemi të hapur për konsultim me grupet e interesit. Sindikatën e aktorëve, i kemi ftuar nesër në ministri me një përfaqësues të sindikatës për të diskutuar për shqetësimet. Jemi në proces konsultimi për të gjetur zgjidhjen e mirë për të gjithë. Nuk ka akoma të formuluar një propozim. Unë sapo thashë, që nesër unë i kam ftuar përfaqësuesit e sindikatës në ministri për të marrë në konsideratë dhe për të dëgjuar si ta përsosim më mirë ndryshimet në ligjin e aktual. Nuk bëhet fjalë për ligj të ri, por disa ndryshime. Disa prej këtyre konsultimeve me skenën e pavarur kanë filluar dje.

Nga qendra e Kinemasë kemi marrë disa propozimet që i kemi integruar në draft. Tryezat e konsultimeve janë për tu ulur dhe diskutuar përballë. Është ligj për artin dhe kulturën dhe jo për teatrin’ deklaroi ministrja. Artistët e kanë kundërshtuar projektligjin e ri që ministria e Kulturës po përgatit për miratim. Edhe pse është deklaruar nga ministrja se ka pasur konsultime, aktorët deklaruan dje se nga komuniteti i aktorëve nuk ka pasur asnjë diskutim. Ata ftuan ministren që të marrë pjesë sot në orën 16:00 në godinën e Teatrit për të diskutuar, ndërsa ministrja thotë se i pret në ministri.

Deklarimet e ministres Kumbaro

Në fakt kam përshtypjen që ka me shumë një keqkuptim, kemi marrë një nisëm ligjore për të decentralizuar kompetencat që sot i ka vetëm ministria e Kulturës, në përfitim të institucioneve të artit dhe të kulturës, dhe në përfitim edhe të institucioneve të tjera publike, të cilat duhet të nxiten për të financuar art dhe kulturë sikur janë bashkitë. Ndërkohë jemi vetëm në proces konsultimi, konsultimi është hapur, do të marrë gjithë kohën që duhet, edhe për artistët, edhe për grupet e interesit.

Ne dje kemi pasur një takim shumë të mirë më përfaqësuesit e skenës së pavarur dhe kemi ftuar që të shtunën dhe e kemi konfirmuar dhe dje me zotin Celo Aliaj dhe zotin Çipi, përfaqësues të sindikatës së aktorëve të cilët i kemi ftuar nesër në ministri me një grup përfaqësuesish të sindikatës, për të diskutuar për të gjitha shqetësimet e artistëve. E kam shprehur këtë që ditën e premte, e kam shprehur ditën e diele dhe me shume kënaqësi e rikonfirmoj dhe sot për ju. Jemi në proces konsultimi dhe për të dëgjuar nj-tj për të gjetur zgjidhje të mirë për të gjithë.

Propozimet e tyre që janë deri tani do të merren parasysh nga ju?

Në fakt nuk ka akoma të formuluar një propozim sic e thoni ju. Në lidhje me projektligjin, ditën e mërkurë, nesër, në i kemi ftuar, unë vetë i kam ftuar përfaqësuesit e sindikatës, në Ministri në vijim të tryezave të konsultimit që ne po zhvillojmë me të gjitha grupet e interesit, për të marrë në konsideratë, për të dëgjuar, për të shkëmbyer si ta përforcojmë, si ta përsosim më mire ndryshimet të cilat bëhen në projektligjin aktual. Nuk bëhet fjalë  për një ligj te ri, bëhet fjalë për disa ndërhyrje në ligjin aktual, të cilat janë shumë larg vendimit dhe miratimit deri në momentin që të kenë marrë konsensus të të gjitha palëve, madje disa prej konsultimeve jua thashë me skenën e pavarur kanë filluar dje.

Nga disa institucione, qendra e Kinemasë kemi marrë sugjerim të cilin e kemi integruar tashmë ne draft ligjin që kemi verë amendimet. Mirëpres cdo lloj sugjerimi dhe cdo lloj propozimi tjetër. Tryezat janë pikërisht për tu ulur dhe për të diskutuar ballë përballë cdo lloj shqetësimi që mund të kenë aktoret dhe jo vetëm. Theksoj është një ligj për artin dhe kulturën, jo ligj për teatrin, në të cilin të gjithë zërat duhet të flasin, duhet të shkëmbejmë, do marrim gjithë kohën që duhet për një gjë të tillë.

Po me teatrin çfarë do të ndodhë, do të ketë zhvendosje?

Teatri Kombëtar aty ku është sot do të vazhdojë të qëndrojë funksional me të gjitha parametrat teknik Nuk do të preket salla, dhe do te vazhdoje të përdoret nga trupa e teatrit të cilit në fakt do ti shtohen dy salla të reja tek qendra ‘Turbina’ me kushte me te mira dhe teknike dhe teknologjike dhe administrative, do të zgjerohen le te themi hapësirat, ai teatër ashtu siç është ka një amortizim të tillë fizik dhe konstruktiv që bëhet i parikuperueshëm, por deri në ditën që do te kemi një projekt të ri për një Teatër Kombëtar në të njëjtin truall ai do te jetë funksional për të gjitha fushat artistike dhe do te jete në administrim te Teatrit Kombëtar.

Rama për artistët: Nuk e di çfarë plasje kanë

Artistët e kanë cilësuar arrogante përgjigjen e kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin për ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Ish-drejtori i Teatrit Eksperimental, regjisori Kastriot Çipi, deklaroi se Rama nuk është mbret dhe se kjo është një çështje shumë e rëndësishme. “Reagimi i Ramës shumë arrogantë, nuk pranojmë këshilla nga askush, ai nuk është mbret. Duhet që këto gjëra të negociohen. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme”, tha Çipi gjatë takimit me avokatin. Kryeministri Edi Rama u përfshi në debatin e artistëve me ministren e Kulturës, teksa i kthente përgjigje një komentuesi në faqen e tij në ‘Facebook’, ku i fundit e pyeste nëse i kishte dëgjuar Ndrenikën dhe Asqeriun.

Rama shkruante se nuk i ka dëgjuar dhe se debati është pa asnjë vlerë, duke shtuar se askush nuk jepte dot leksione. “Jo Andi nuk i kam dëgjuar dhe nuk e di çfarë plasje kanë, po di që debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot! Sa ka bërë qeveria ime për teatrot, muzetë, stadiumet në vetëm 4 vjet nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë bashkë në 25 vjet! Nuk mjaftojnë? Aspak. Por ama leksione të asnjë lloji s’na jep dot askush dhe në këto katër vjet do të bëjmë ende më shumë, përfshirë edhe Teatrin e Ri Kombëtar, duan s’duan ata që s’dinë çfarë duan!”, shkruante Rama.

Aktori Genc Fuga

Aktori Genc Fuga tha se aktorët kanë dy kushte; ndalimin e projektligjit për artin dhe moslëvizjen e trupës së teatrit nga godina. Ai theksoi se “nuk pranojmë negociata për projektligjin për 14 nene. Ndërsa për çështjen e Teatrit Kombëtar ka një lojë fjalësh të tmerrshme”. Aktorët dje hynë me forcë në sallën e Teatrit Kombëtar dhe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë që Teatri të zhvendoset në mënyrë që ti hapet rrugë ndërtimit të ndonjë kulle.

“Mbetemi në kuadrin e mos informimit, unë nuk dua ta besoj që Teatrit Kombëtar të jetë i inkorporuar kundrejt një ndërtesë më të lartë. Kjo është artikuluar në disa intervista nga titullari i ministrisë së Kulturës. Është hedhur me shumë elegancë, termi se po punohet me bashkinë dhe për ta arritur në një ndërtesë multifunksionale. Duhet të qartësohet nëse në një godinë ka disa salla dhe kjo nuk do të thotë multifunksionale. Por duhet të qartësohet objektivi. Jemi në një rrezik tjetër” thotë Genc Fuga.

Projektligji i Ministrisë së Kulturës, çfarë kundërshtojnë aktorët

Projektligji për Artin dhe Kulturën synon të ndryshojë për herë të dytë Ligjin “Për Artin dhe Kulturën”, të miratuar në vitin 2010 dhe të ndryshuar në vitin 2014. Artistët kanë reaguar kundër ministres Mirela Kumbaro duke e akuzuar se me këtë projektligj ajo mbështet forcimin e pushtetit të saj në të gjitha sferat e kulturës. Pikat që kanë kundërshtuar nga ky projektligj artistët janë: Së pari, fakti që drejtorët e institucioneve kombëtare, që sot emërohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, mes dy kandidaturave të propozuara nga Ministri, do të emërohen me Urdhër të Ministres Mirela Kumbaro, ku përfshihen Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Biblioteka Kombëtare.

Sipas projektligjit artistët kanë vënë re se “do të shpërndahen bordet artistike të institucioneve, një traditë dhjetëravjeçare, të cilat u fuqizuan me Ligjin e vitit 2010”. Me këtë projektligj edhe bordet artistike do të caktohen nga Ministrja e Kulturës. Artistët kanë kundërshtuar mes të tjerash edhe faktin që punonjësit e institucionit do të propozohen nga drejtori dhe do të miratohen nga ministri, por edhe shumë pika të tjera të projektligjit, që ata i kanë parë si një përpjekje për një centralizim të institucioneve.

Aktori Mirush Kabashi është shprehur se “kjo s’ka ndodhur as në kohën e Ramiz Alisë”. Ndërsa Robert Ndrenika ka reaguar për një situatë tjetër atë të zhvendosjes së Teatrit Kombëtar tek Turbina. Në momentin që kanë mësuar shkrirjen e disa institucioneve kulturore të gjithë artistët e teatrit kanë shprehur shqetësimin për zhdukjen e Teatrit Kombëtar. Ndaj ata kanë kërkuar me insistim të mos zhvendosen nga godina pa u bërë transparenet një projekt për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar.

Projektligji

-Galeria Kombëtare e Arteve të kthehet në Muzeun Kombëtar të Arteve të Bukura.

– Në institucionet publike qendrore të artit e të kulturës, subjekt i këtij ligji, përfshihen edhe:

  1. f) Qendra Kombëtare e Kinematografisë; g) Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit; gj) Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”; h) Biblioteka Kombëtare; i) Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale.

– Emërimi i titullarit të institucionit publik qendror nuk bëhet më me vendim të Këshillit të Ministrave, por me “Urdhër të Ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën”

-Për bordet artistike të institucioneve, parashikon: “Bordi artistik përbëhet nga 7 anëtarë, nga të cilët një përfaqësues nga Ministria përgjegjëse për Financat, një përfaqë- sues nga Ministria përgjegjëse për Artin dhe Kulturën, ndërsa anëtarët e tjerë janë personalitete të shquara të fushës së artit, veprimtarive shoqërore ose përfaqësues nga fusha e biznesit. Anëtarët miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe nuk mund të jenë të punësuar në institucionin, pranë të cilit funksionon ky bord.

Emërimi i tyre bëhet për një afat 4-vjeçar. Lirimi dhe shkarkimi, para përfundimit të këtij afati, bëhet nga ministri përgjegjës për artin dhe kulturën, për shkelje të ligjit ose për arsye të mosfunksionalitetit të tij.”

-Mënyra e funksionimit të Bordit përcaktohet në rregulloren e miratuar me Urdhër të ministrit përgjegjës për artin dhe kulturën.

-Miratimi i veprimtarive artistiko-kulturore në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet të tjera publike.

  1. Miratimi i veprimtarive artistiko-kulturore në institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet të tjera publike bëhet me Urdhër të titullarit pas propozimit nga kolegjiumi i institucionit përkatës.
  2. Kolegjiumi ka në përbërje jo më pak se 3 nëpunës ose punonjës, të përcaktuar me urdhër të titullarit.
  3. Mënyrat e funksionimit të kolegjiumit për institucionet qendrore të artit dhe kulturës propozohen nga institucioni dhe miratohen nga ministri përgjegjës për Artin dhe Kulturën.
  4. Mënyra e funksionimit të kolegjiumit për njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet e tjera publike miratohen nga titullari i institucionit.

Të tjera

Abissnet