Teatër/ “Euridita shqiptare” dhe perëndimi i një miti (FOTO)

Publikuar më 25. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Teatër / Shfaqja “Euridita” me regji nga Jonida Beqo, rikonceptim i mitit të Orfeut, vazhdon të prezantohet për publikun te Piramida. Heroina e përzgjedhur tradhton qëllimin e Sarah Ruhl, nënvizimin e një figure femërore. Babai i Euriditës, në rol Niko Kanxheri, na bëhet personazhi më i afërt

Jemi ulur në ambientet e brendshme të Piramidës. Përballë karrigeve të publikut një lumë i improvizuar na paralajmëron fillimin e përrallës së famshme mitologjike të Orfeut dhe Euriditës.

Një rikrijim modern, që bëhet rast për të folur rreth dashurisë dhe vdekjes. Maska që rrinë pezull, tuba hekuri dhe një ashensor i sajuar shiu, personazhe të errët, që sjellin me vete rite të çuditshme të një bote tjetër mësyjnë në skenë. Vështrimet e ftohta, pamja dhe lëvizjet e tyre të frikshme nuk gënjejnë, diçka e keqe pritet të ndodhë. Por dashuria nuk shqetësohet për të ardhmen, nuk njeh kohë e as kufij.

Orfeu dhe Euridita po përjetojnë më të bukurat çaste të kësaj ndjenje universale, gjigante. Mirëpo protagonistët e përzgjedhur (Armela Demaj, Amri Hasanlliu) zvogëlohen përballë saj, me një recitim naiv krijojnë një thyerje të vëmendjes së publikut. Nuk është ajo çka pritej! Heroina tradhton qëllimin e Sarah Ruhl, nënvizimin e një figure femërore, që leximi e bën të fortë, mbizotëruese, përballë mitit klasik të Orfeut, poetit dhe muzikantit më të madh, që historia ka njohur ndonjëherë…

E megjithatë qëndrojmë përballë tyre, marrim pjesë në celebrimin “modern” të martesës së miteve të rikrijuar. Muzikë, balet dhe dy protagonistët, që bëhen të ftuar në martesën e tyre. Papritur, një zë që rrëfen botën e nëndheshme na kujton esencën e shfaqjes! Është babai i munguar i Euriditës (Niko Kanxheri) prej një distance të thellë, që nëntoka fatkeqësisht krijon, na bëhet personazhi më i afërt. Ka një letër për të bijën në ditën e dasmës së saj. Por duket se për një çast “rrëmuja” e festimeve bëhet njësh me Vdekjen dhe ja pa një pa dy zgjedhin t’ia mbyllin gojën në mënyrë poshtëruese.

Babai mbyll rrëfimin kundrejt vajzës, si nuse të imagjinuar “Të shkruaj letra, por nuk di se si të t’i dërgoj. Me dashuri, babai yt”. Euridita largohet nga festa e saj, të cilën nuk e konsideron aspak interesante pasi sipas saj “Dasmat janë për baballarë dhe bija. Nënat vishen e zbukurohen, që të duken si gra të reja. Por dasma është e veçantë për babë e bijë. Atë ditë ndahen nga njëri-tjetri”. Sapo ajo shuan etjen, me një kostum që të kujton personazhet e animuar pranë saj vjen Vdekja. Tek Euridita, shikon nusen e përshtatshme për të birin, Zotin e Nëntokës (Ermir Jonka).

Malli dhe mungesa e të atit do t’ia bëjë asaj të lehtë ta joshë drejt mbretërisë së saj, duke e ndarë nga Orfeu. Një ndarje fizike, që nuk cenon aspak dashurinë, përkundrazi ai tani jeton e krijon për të muzikën më të bukur, duke mos u dorëzuar derisa të ribashkohen. Cilado qoftë rruga, të rikthejë të dashurën e tij në jetë apo të zbresë ai vetë në botën e nëntokës. Po ndërkohë çfarë ndodh me Euriditën, si është bota e nëndheshme e rikonceptuar? Ruhl e shfaq që në fillim objektivin e saj, të nënvizojë fuqinë e fjalës. E meqë gjuha në raportet e rëndësishme është shpesh e mangët ajo përdor dritën, hapësirën, distancën dhe thellësitë dhe me mjete banale ekspozon dobësi emocionale. Por sa ia arrin Jonida Zeqo me këtë konceptim regjisorial të shfrytëzojë këtë hapësirë të improvizuar teatrale për të nxitur imagjinatën dhe për të përfshirë publikun, sikundër është qëllimi i dramaturges?! Në sallën e sajuar disa spektatorë zgjedhin të largohen, duke lënë Euriditën, tanimë në botën e nëntokës në takimin e dhimbshëm me të atin.

“Lumi i harresës” e ka tjetërsuar mendjen e saj, i ka fshirë pothuajse të gjitha kujtimet, ka harruar edhe emrat pasi kujtimi i tyre sjell vuajtje për të vdekurit. Të qajë për të është e pamundur. Sapo i ka dhënë vetes lamtumirë, ndërkohë që i ati (të cilin nuk e njeh) e ngushëllon: “Mos u mërzit. Do të të kujtohet. Ka kohë pa fund”.

Nga ana tjetër Orfeu që nuk resht asnjë çast së kërkuari të dashurën tij i flet, i shkruan letra dhe më në fund me fuqinë e muzikës së tij troket në portat e nëntokës. Muzika e tij për dashurinë është kaq e fortë saqë bën edhe gurët të vajtojnë (Edvin Mustafa, Klea Konomi, Klesta Shero). Euridita e ka tanimë falë tij një mundësi për t’u rikthyer në botën e të gjallëve. Ajo vendos, ndahet nga i ati, pastaj pendohet. Për t’u penduar është vonë, ndaj shkon drejt Orfeut. Që plani të funksionojë Orfeu s’duhet të shikojë pas dhe të ruajnë distancën. Por, Euridta tundohet i afrohet të dashurit dhe i thërret. Ai kthehet, tani është shumë vonë…

Janë momentet kulminante të ngjarjes, dramaticiteti është edhe në këtë pikë pothuajse linear. Euridita rikthehet pranë të atit, ai nuk është më i njëjti. Zoti i Nëntokës në këtë rikthim e paralajmëron se do ta bëjë të tijën. Është veç një fëmijë, por është fëmija i Vdekjes! Zgjidhja është “lumi i harresës”, ndërkohë që një letër shkruan për Orfeun. Ky i fundit po vjen drejt saj, por bie në “kthetrat” e shiut të ashensorit. Harresa i ka përqafuar të gjithë. Në botën e nëntokës një Dashuri e madhe kishte prishur qetësinë. Heshtja bie.