Të vërtetat e politikës shqiptare, drama e Pirandelos

Shezai Rrokaj

Luigi Pirandello (1867-1936), nobelist për letërsi në vitin 1934, autor i shumë novelave (një pjesë e të cilave u vunë në skenë) dhe poezive, në vitin 1917 shkroi dramën “Così è” (se vi pare), e cila u vu në skenë sipas novelës “Zonja Frola dhe zoti Ponza, dhëndri i saj”, që ishte botuar qysh në vitin 1915. Thelbi i kësaj drame në tri akte lidhet me faktin se realiteti social të jep mundësinë të zbulosh të vërtetën. Po cilën të vërtetë?

Ai shtron pyetjen: çfarë mund të dimë për sendet dhe për njerëzit? Atë që shohim apo atë që besojmë se shohim, apo edhe atë që do të donim të jetë. Prej këndej vjen edhe vështirësia për njohjen e realitetit që mbulohet me velin e subjektivizmit të njerëzve. Autori rreket të trajtojë se sa pa vlerë është e vërteta, kur gjithkush thotë se e vërteta është kjo e imja. Mirëpo, si gjithmonë, edhe te ne realiteti social është ai që njerëzit e thjeshtë jetojnë përditë. Dhe si personazhet në dramë, qasja e shumë aktorëve politikë ndaj tij vazhdon me disa të vërteta ose, më mirë, me ato të vërteta që duan, a që u pëlqejnë të shohin në këtë realitet.

Në fakt shkenca, më shumë se arti në tërësi, më vonë do të provonte në dekadat në vijim, qysh prej Pirandelo-s, se këndvështrimet e ndryshme i qasen më shumë të vërtetës dhe se dialektika e kundërshtive rrit shkallën e njohjes. Mirëpo në këtë rast nuk është fjala për ta tjetërsuar a ndryshuar të vërtetën, përkundrazi, për ta parë atë sa më realisht nga shumë drejtime. Njëlloj si këto personazhe të çartur në dramë po sillen aktorët tanë politikë, edhe pse ka një shekull largësi. Vetëm se sot çarturia nuk njeh kufi midis lojës së tyre në teatrin politik dhe dramës reale të njerëzve. Bie fjala, të gjitha raportet ndërkombëtare, që nga DASH-i dhe BE-ja, OSBE-ja e ODIR-i, lidhur me reformat, me korrupsionin e drogën, zgjedhjet elektorale etj., lexohen sipas ëndjes së palëve politike. Ndryshe i lexon opozita e ndryshe i lexon mazhoranca dhe secila gjen të vërtetën sipas saj.

Sipas secilës prej tyre në këto raporte ka dy të vërteta: njëra për mazhorancën dhe tjetra për opozitën dhe qytetarët, teksa realiteti është një i vetëm, pa ngjyra, madje as bardhezi. Palët nuk i lexojnë njësoj të dyja anët ose të gjitha anët e raporteve. Assesi. Ato shohin vetëm njërën anë, atë që u pëlqen, mù sikur realiteti të ishte siç do ta donin, ose siç mendojmë se është. Në këtë mënyrë, mazhoranca flet për realitete imagjinare si rezultat i reformave për “Shqipërinë që duam”, “për bashkinë që duam”.

U fol për “shkollën që duam”, për shkollën digjitale, për reformën e IAL-ve, që studentët nuk e donin. U fol për policinë që duam, por na doli e përfshirë në kanabis. U fol për mjekësinë falas, por ja që nuk është falas. U fol për reformën në drejtësi, por sistemi po kapet dita-ditës prej politikës. U fol me plane të ‘ERtv’ për Unazën tek ‘Astiri’, për rrugën Milot-Balldren me kalime e mbikalime. Para pafund për projekte të bukura, por dihet pastaj sesi realizohen realisht. Po të ishte e vërteta si ‘e do’ kjo mazhorancë, përse ky realitet do t’i largonte prej vendit qytetarët, përse do të kishte varfëri ekstreme deri në 50% të popullsisë, e cila mbahet me 4-5 $ në ditë.

Në fakt, kjo e “vërtetë e bukur” e kësaj mazhorance është një realitet migjenian që vret. Ligje pa fund në letër, më të mira sesa të vetë BE-së për luftën kundër pastrimit të parave, korrupsionit e drogës, për konkurrencën e lirë, për reformën në drejtësi. Me kësi ligjesh na ka zili vetë Evropa e SHBA-të. Po përse nuk po çelen atëherë negociatat? Sepse ligjet e bukura janë një realitet tjetër nga ai që ndodh te njerëzit realë. Ligjet janë të vërteta imagjinare për ata që kanë pushtetin dhe nuk ndëshkohen, por janë po aq imagjinare për ata që nuk përfitojnë nga një e drejtë.

Kjo nuk është politika e realitetit, ose siç thuhet realpolitika, kjo është politika e dyzuar, e fasadës, a dy të vërtetave; njëra për opozitën dhe qytetarët e tjetra, ajo imagjinarja e fitoreve në ekrane, për mazhorancën. Politika shqiptare ka mbetur si 100 vjet më parë kur Pirandelo do të ngrinte në art atë moral social të kohës, ku aktorët në dramë shohin disa të vërteta. Por drama e tij “Così è” e ngriti në art këtë moral social, kurse tek ne kjo dramë, e ngjashme në tipologji, është e përditshme për të vërtetën e qytetarëve, teksa aktorët e saj politikë që luajnë në këtë teatër absurd mbeten si personazhet e nobelistit Pirandelo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet