Të rinjtë e Krumës, në borxh me trafikantët

Publikuar më 27. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Në qytezën e Krumës në veri të Shqipërisë, Hysniu, 67 vjeç dhe baba i gjashtë fëmijëve jeton i vetëm me gruan e sëmurë në një apartament në katin e tretë të një pallati. Katër prej fëmijëve të tij jetojnë në Londër, ndërsa dy vajzat e tjera janë të martuara. Pothuajse çdo familje e Krumës në qarkun e Hasit ka minimumi një pjestar të saj në ishullin britanik.  Familjarët i thanë BIRN se secili prej tyre ka paguar 10 mijë deri në 12 mijë pound në llogaritë e rrjeteve të trafikut për të hyrë ilegalisht në Britani. “Aq sa fiton një ditë në Angli, këtu nuk i merr tanë muajin,” thotë Hysniu, i cili pohon më tej se djemtë i kanë shlyer borxhet dhe u bëhen krah edhe familjarëve të tyre. “Ç’ka me ba, kështu është kjo jetë,” shton ai. Njësoj si Hysniu, edhe bashkëmoshatari i tij, Mustafai i ka të gjithë fëmijët në Londër. “Hasjanët janë lidhë me Londrën se parja atje është. Ku me shku Hasi tjetër përveç Londrës,” thotë i moshuari në shëtitoren kryesore të qytezës.

Por ndryshe mendon Aleksi, një 21 vjeçar nga fshatrat e Shkodrës që ndodhet prej dy vitesh në Londër. I riu ka marrë 7 mijë pound borxh për të realizuar “ëndrrën britanike”, por krahu i lirë i tij i punës nuk mjafton për t’i shlyer. “Të paguash këtë shumë për të hyrë në Angli është gabim i madh. Puna është e rëndë, pagesa është e vogël, paragjykimet nga më të ndryshmet dhe e kam të pamundur të çoj ndonjë lek në shtëpi për të ndihmuar familjen,” i tha ai BIRN përmes telefonit. Aleksi jeton prej dy vitesh në zonës 5 të Londrës dhe paguan 200 pound në muaj për qiranë e shtëpisë që e ndan me 5 veta të tjerë. Ai i tha BIRN se punon herë në lavazh dhe herë në ndërtim me 30-40 pound dita dhe se duart e tij janë gjithmonë të vrara nga puna e rëndë. 21-vjeçari i tha BIRN se nxitja kryesore për të ikur në Angli ishin kushtet e vështira ekonomike të familjes së tij në fshat, por edhe fotot e shokëve të tij emigrantë në Facebook, të cilët shfaqeshin të veshur bukur dhe në vende luksoze. Për të ndryshuar jetën e tij, Aleksi thotë se u lidh me një trafikant nga Lezha, i cili i kërkoi 7 mijë pound-tre prej të cilave paradhënie. “Lekët i mora borxh tek të afërmit, pak nga dajat e pak nga tezet. Ai kishte një listë të gjatë pritjeje dhe ne duhet vetëm të rrinim në gatishmëri,” shton ai.

Të lodhur nga pritja, Aleksi dhe dy shokë të tjerë të tij u nisën vetë fillimisht drejt Holandës dhe më pas në Calais të Francës. Ai shtoi se në xhep kishte vetëm 50 euro dhe 5 pound. Në Calais u lidh sërish me rrjetin që i premtoi udhëtimin dhe më në fund e pa veten mes kutive me perime në rimorkion frigorifer të ftohtë të një kamioni me targa bullgare. “Kemi kaluar plot 20 orë brenda. Kur mbërritëm në Angli, kamioni ndaloi në një zonë brenda territorit të portit të Denverit. Kemi grisur paksa tendën nga padurimi dhe kur e pamë se ku jemi, zbritëm me vrap. Ecëm disa kilometra në këmbë dhe nuk kishim as lekë dhe as bateri në telefon,” tregon ai peripecitë e udhëtimit. Prej dy vitesh në Londër, Aleksi e sheh veten të ngecur në vend dhe të trajtuar si mos më keq nga punëdhënësit shqiptarë. Ai nuk mund të kthehet pas pa paguar borxhet e kontrabandimit të tij në Britani, ndërkohë që e sheh këtë të pamundur edhe pse punon çdo ditë që i jepet mundësia. “E them me bindje se po të isha dhe njëherë në Shqipëri dhe pa këta borxhe mbi shpinë, nuk do ta bëja këtë veprim,“ përfundon ai.