Të ndërpritet diskutimi i Buxhetit në Kuvend

Zef Preçi

Siç është bërë e ditur më herët, Kuvendi i Shqipërisë fillon kësaj jave diskutimin dhe miratimin e projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2020. Ndërkaq, ekipet e ekspertëve qeveritare raportohet se janë duke punuar në terren për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Është e kuptueshme se përfundimi i këtij procesi nuk mund të mos ndikojë edhe në rishikimin e përparësive të shpenzimeve buxhetore si dhe ne pakësimin e shumave përkatëse, sidomos fondet e destinuara për vepra të reja investimesh, etj.

Duke marrë parasysh deklarimet e ndryshme të ekspertëve të njohur të fushës së ndërtimeve, njoftimet zyrtare mbi numrin në rritje ditë pas dite të shtëpive dhe pallateve të dëmtuara pjesërisht e plotësisht, numrin e familjeve dhe të qytetarëve të mbetur pa strehë dhe të strehuar përkohësisht në ambiente të ndryshme si hotele, etj., numrin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti në qarqe të tjera jashtë atyre në të cilat është shpallur gjendja e emergjencës nga qeveria si dhe kostot e pritshme të dëmeve të shkaktuara të tërmetit, mendoj se është koha për reflektim të përgjegjshëm nga organi kryesor kushtetues ligjvënës i vendit – Kuvendi i Shqipërisë.

Nga diskutimet formale në Kuvend të ditës së sotme nga figurat kryesore të komisionit të ekonomi-financës si dhe nga ecuria e procesit të vlerësimit në terren, mendoj se ka një perceptim të gabuar (ndoshta të qëllimshëm) të fondeve të pritshme nga donatorët e huaj (u fol për rreth 150 milionë euro, a thua se pasojat e tërmetit do të mbulohen tërësisht prej tyre?!) si dhe njëlloj qetësimi të pakuptimte të qytetarëve mbi nevojën “për të shtërnguar rripin” për këtë shkak… Në fakt, përvoja jonë dhe e vendeve të tjera që janë përballur me sfida të tilla të fatkeqësive natyrore (edhe pse në këtë rast shkaku duket se është thuajse plotësisht njerëzor – pasojë e korrupsionit shtetëror) tregon se shtrëngimi buxhetor është i pashmangshëm dhe se nevojitet të ndërmerren veprime të arsyeshme që ruajnë ekuilibrat makro-ekonomike si dhe nuk përkeqësojnë me tej klimën e biznesit dhe nivelin e jetës në vend. Në rastin e qeverise tonë, personalisht nuk i besoj deklarimet patetike se nuk do të rriten më tej taksat, se nuk do të rritet borxhi publik, se nuk do të preket ndihma ekonomike për shtresat në nevojë, etj. apo më keq akoma kur shoh vendosmërinë e qeverisë se “do të vazhdojë të përmbushë detyrimet dhe premtimet e saj për investimet e pakërkuara private në sektorin publik në formën e PPP-ve…”

Duke besuar se “nuk ekziston dreka falas” dhe as se “paratë nuk rriten në pemë”, dëshiroj t’i bëj qeverisë dhe Kuvendit disa sugjerime publike, të tilla si:
1) Të ndërpritet diskutimi i buxhetit të shtetit në Kuvendin e Shqipërisë për të paktën një periudhë tre-mujore. Kjo me qëllim që të finalizohet procesi i vlerësimit të pasojave të tërmetit në terren në të gjithë vendin dhe të mund të bëhet një bilanc i plotë i burimeve financiare në dispozicion nga donatorët (jo-buxhetorë) si dhe të qartësohen parashikimet mbi rritjen ekonomike gjatë vitit 2020.
2) Të pezullohet procedura për koncesionet në proces në formën e PPP-ve duke shtyrë vendim-marrjen ndaj tyre mbas miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2020 të parashikuar në fillim të marsit 2020. (kontrata të ngjashme në vendet e BE-se zgjatin jo më pak se dy vjet nga fillimi i procedurës përkatëse).
3) Të fillojë menjëherë procesi i rishikimit të kontratave koncesionare në formën e PPP-ve në zbatim e sipër me qëllim përshtatjen e tyre me fuqinë financiare të shtetit, rishikimin e parametrave të performancës si dhe analiza e faktorëve të riskut (duke filluar me pakësimin e numrit të popullsisë se vendit dhe prognozën e këtij treguesi).
4) Me qëllim krijimin e lehtësirave të mundshme buxhetore, për koncesionin e “check-up”, duke marre parasysh që është kontratë në zbatim e sipër dhe në thelb shërben kryesisht për qëllime studimore, propozoj që kontrata të zgjatet nga 30 në 150 vjet, me kushtin që vlerësimi (check-up) të kryhet jo çdo vit por njëherë në 5 vjet (nën regjimin e shkuar, një vlerësim i ngjashëm kryhej vetëm njëherë në 10 vjet). Kështu, kjo kontratë do te pakësojë peshën e pagesës nga buxheti me disa dhjetëra miliona Euro në vit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet