Të miturit shqiptarë të pashoqëruar në Itali, Voda: Duhet luftuar ky fenomen

Publikuar më 19. 06. 2017 nga Elidona Syla

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda diskutoi sot me përfaqësues të palës italiane mbi problematikën e të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali

Gjatë këtij takimi, Voda deklaroi se shumë i rëndësishëm mbetet koordinimi dhe bashkëpunimi mes dy vendeve në parandalimin e këtij fenomeni.

“Është një detyrim i Shqipërisë që t’i përgjigjet edhe nevojave dhe detyrimeve ndaj shtetit italian. Kemi përgatitur një plan veprimi që unë shpresoj se do të ndihmojë në konkretizimin e disa hapave që duhen ndërmarrë nga të dyja palët për t’i thënë stop këtij fenomeni”, u shpreh Voda.

Drejtori i Departamentit të Kufirit në Policinë e Shtetit, Aida Hajnaj njohu palën italiane me hapat e ndërmarra. Sipas saj, është duke u punuar për forcimin e procedurave për kontrollet në Pikat kufitare.

“Një procedurë që ne zbatojmë është që shoqëruesi, prindi ose kujdestari duhet të paraqesë një deklaratë noteriale ku të pasqyrojë arsyet e daljes dhe pëlqimin e prindërve në rastet se është kujdestar ose shoqërues për daljen e këtij minoreni. Nisur nga fenomeni ne tani jemi duke rishikuar këtë deklaratë dhe do kërkojmë që të shtohen dhe elementë të tjerë të rinj, të cilët të jenë në funksion të parandalimit të këtij fenomeni”, deklaroi Hajnaj.

Gjatë takimit u ra dakord për hapat e përbashkëta për të luftuar fenomenin.  Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda tha se brenda këtij viti, rreth 360 minorenë nuk janë lejuar të udhëtojnë jashtë vendit për shkak të dokumentacionit të mangët.

Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues nga Policia e Shtetit, Prefekturat, Ministria e Punëve të Jashtme si dhe Shërbimi Social Shtetëror.

E. S/Shekulli Online/