Të jesh sommelier: 22-vjeçari Irdi Lushi rrëfen rrugëtimin e tij në botën e verërave

Foto 1 nga 4 Pas Para

Irdi Lushi, sommelieri që përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të Sommelierisë në Serbi (me kolegun Bujar Tukuli) rrëfen pasionin e tij për të transmetuar kulturën e verës dhe dëshirën për të lartësuar emrin e Shqipërisë në kompeticionet botërore të sommelierisë

Anila Dedaj

Ishte vetëm 15 vjeç kur bota mistike e verërave, pasioni me të cilin sommelieri Dashamir Elezi fliste për to, nxiti brenda tij dëshirën dhe kureshtjen për t’u bërë pjesë e saj. Një pasion i përcjellë tanimë tek Irdi Lushi, 22-vjeçari që e shikon rrugëtimin e një sommelieri të mbështetur në klasin që një profesionist duhet të tregojë dhe dëshirën e madhe për të përcjellë kulturën e verës tek klientët. Përpos talentit, nuhatjes së mirë Irdi shpjegon se për t’u bërë një sommelierë i kualifikuar nevojitet të studiosh në vazhdimësi. “Sommelieri duhet të jetë gjithmonë duke degustuar, duke lexuar e mbajtur shënime për çdo gjë që ka lidhje me këtë fushë”, shprehet ai për “Shekullin”.  Në  kompeticionin ndërkombëtar të mbajtur në Beograd “Best Sommelier of Balcan” ai ishte konkurrenti më i ri në garë, e megjithatë së bashku me sommelierin Bujar Tukuli arritën ta përfaqësonin Shqipërinë denjësisht duke prekur gjysmëfinalen.

“Emocionet ishin të shumta dhe niveli shumë i lartë. Ishte një eksperiencë fantastike”.Për djaloshin e talentuar, ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi premtues. Ai është i vendosur për të arritur nivelet maksimale si sommelier profesionist dhe për të lartësuar emrin e Shqipërisë në këtë fushë. “Ka qenë dhe është ëndrra dhe qëllimi kryesor që dua të realizoj”. Synimi i radhës për të riun është të përfaqësojë vendin tonë në Kampionatin Botëror të Sommelierisë që do të mbahet në Belgjik në mars të këtij viti, ndaj i udhëhequr nga pasioni për sommelierinë po punon për të qenë ai i përzgjedhuri në konkursin që do të zhvillohet me këtë rast. Janari përmes garës për “Sommelierin më të mirë shqiptarë ” bëhet një ogur i mirë për t’i dhënë mundësinë Iglit që pas studimeve disavjeçare dhe ekpslorimit në përditshmëri të sommelierisë,  pse jo të jetë ai kampioni i përzgjedhur për 2018-ën.

Irdi, çfarë të nxiti drejt botës së verës?

Nxitja për të njohur botën e verës ka ardhur nga z. Dashamir Elezi presidenti i Organizatës Shqiptare të Sommelierisë. Në një moshë fare të re (15-16 vjeç) dëgjoja Dashin kur fliste me pasion për vera të ndryshme, i përshkruante në një mënyrë që është e pamundur të mos krijosh kuriozitet. Kur shpreha dëshirën për të ndjekur botën e Sommelierisë ndihma kryesore mu ofrua prej tij dhe prindërve.

Cila është kantina e parë që ke vizituar?

Kantina e parë që kam vizituar ka qenë në 2014-ën në përfundim të kursit si Sommelier. U organizua një udhëtim në Itali ku patëm mundësinë të vizitojmë disa kantina dhe e para që kam vizituar ishte “Villa a Sesta” në zonën e Toskanës në Firence. Një kantinë e mrekullueshme, me teknologji tepër bashkëkohore, e që mbi të gjitha kishte një karakteristikë shumë të veçantë… Të gjitha muret e jashtme të kantinës ishin të veshura me gurë dekorativë të importuar nga Shqipëria. Drejtori enolog i kantinës, i lindur në Tiranë na organizoi një mirëpritje fantastike, ku na u dha mundësia të degustonim çdo etiketë të kësaj kantine të specializuar në prodhimin e verës “Chianti”.

Çfarë të pëlqen më shumë nga ky profesion?

Gjëja më tërheqëse e këtij profesioni është pasioni me të cilin duhet të punosh çdo ditë. Të jesh sommelier është tepër e vështirë duhet të studiosh shumë gjatë gjithë kohës për t’u bërë një profesionist i vërtetë. Ka persona që mendojnë se për të qenë sommelier mjafton të kesh një nuhatje të mirë, por nuk është aspak kështu. Sommelieri duhet të jetë gjithmonë duke degustuar, duke lexuar e mbajtur shënime për çdo gjë rreth kësaj fushe, por jo vetëm…

Cilën verë do të zgjidhje për një darkë ideale?

Vera ideale për një darkë është diçka që zgjidhet në bazë të darkës. Asnjë verë nuk mund të jetë ideale për çdo lloj ushqimi. Struktura e një pjate mund të përshtatet shumë mirë me disa lloje verash. Një preferencë personale e imja është vera e prodhuar me varietetin “Pinot Noir”.

A ka një sommelier që e ke si model?

Sommelierët, të cilët i shikoj si model e që më motivojnë janë të shumtë. Duke filluar nga z.Dashamir, presidenti i shoqatës sonë,  si dhe shumë sommelierë të tjerë të huaj. Mund t’ju përmend Gerard Basset, kampion botëror sommelierie në 2010-tën, një model që çdo sommelier sipas mendimit tim duhet të përpiqet të prek minimalisht gjysmën e arritjeve të tij. Mandej Arvid Rosengren, kampion botëror në 2019-ën,  i cili është një shembull shumë i mirë që tregon se me punë e përpjekje titulli kampion mund të arrihet në një moshë fare të re.

Cila është gjëja e parë që kërkon apo vëren tek një lloj vere që e provon për herë të parë?

Gjëja e parë që një sommelier dallon tek një verë të cilën nuk e ka provuar më parë, ose etiketën e të cilës mund të mos e ketë fare përballë, ç’ka ndodh shpesh në profesionin tonë, është t’i bëjmë një analizë të plotë verës. Një procedurë që përfshin 3 faza: provën vizuale, provën olfatike (e nuhatjes) dhe provën e shijimit. Pra, ngjyra dhe densiteti i verës janë të parat karakteristika që vëmë re në momentin kur hedhim verën në gotë, ose thjesht kur na ofrohet një gotë vere përballë. Nëpërmjet ngjyrës mund të nxjerrim ose krijojmë një mendim për llojin e verës, vitin, varietetin etj., të cilat me provat e tjera në vazhdim mund t’i vërtetojmë.

Bazuar në eksperiencën që ke krijuar në këtë fushë, sipas teje, a mund të flasim sot për verë cilësore shqiptare?

Vera cilësore shqiptare është një temë mbi të cilën mund të diskutojmë gjatë. Sot pjesa më e madhe e shqiptarëve, 8 në 9 raste do të preferonin një verë italiane ose franceze kundrejt prodhimit shqiptar, duke menduar se cilësia e verërave të vendit tonë është shumë e ulët. Këtë gjë e vë re shpesh edhe në restorantin ku punoj sa herë që sugjeroj një shishe verë shqiptare. Por në realitet disa kantina shqiptare kanë arritur nivele cilësie shumë të larta në një kohë fare të shkurtër. Këto verëra të prodhuara nga varietete autoktone, ose edhe ndërkombëtare mund ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në konkurse ndërkombëtare, siç edhe e kanë bërë në disa raste. Shqipëria ka një potencial shumë të madh për prodhimin e verave cilësore, duke pasur parasysh klimën favorizuese, nëntokën e varietetet autoktone, të cilat i kemi lënë në hije. E vetmja gjë që mungon në shumicën e rasteve është dëshira dhe puna për të arritur një stad ekselence.

Krahas profesionit të sommelierisë jeni gjithashtu student i Inxhinierisë Gjeologjike, ku e shikoni të ardhmen tuaj?

Të qenit një sommelier profesionist ka qenë dhe vazhdon të jetë ëndrra dhe qëllimi kryesor që dua të realizoj.

Çfarë mundësish punësimi mund t’i ofrohen një sommelieri në vendin tonë?

Në vendin tonë kultura e sommelierit në restorante, apo hotele nuk është përhapur ende mirë. Duhet të kemi të qartë faktin se sommelieri nuk është një kamerier i thjeshtë dhe puna e tij shkon përtej të shiturit verë. Sommelieri duhet të tregoj klas dhe të përcjellë kulturën e verës tek klientët. Sot këtë gjë e hasim shumë pak, në disa restorante me emër kryesisht në zonën e Tiranës. Mirëpo për ata që kanë dëshirë dhe nuk ju mungon vullneti mendoj se është e mundur të gjendet edhe një pozicion i favorshëm pune.

Mendon se duhet të investohet më shumë në këtë aspekt? Çfarë do të sugjeroje të bëhej?

Mendoj se Sommelieria Shqiptare duhet të ketë më shumë mbështetje. Qëllimi i OSHS ( Organizatës Shqiptare të Sommelierisë) nuk është thjeshtë të bëjë trajnime e kurse për të nxjerrë sommelierë të rinj. Organizata ka mundur të krijojë bashkëpunime të frytshme me restorante, hotele dhe kantina, duke promovuar produktet ‘made in Albania’ dhe duke u përpjekur të rrisë cilësinë e shërbimeve në mënyrë profesionale, çka e fortifikon edhe atë vetë.

Gjatë fundvitit të 2018-ës pate mundësinë të merrje pjesë në kompeticionin “Best sommelier of Balcan” në Serbi. Si ishte ajo si eksperiencë dhe cilat janë pritshmëritë e tua?

Besoj se në të ardhmen do jem në gjendje dhe nivelin e duhur për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë. Pjesëmarrja në “Best sommelier of Balcan Competition” që u zhvillua në Beograd në 12-14 nëntor shënjoi një eksperiencë të re për mua. Ishte konkursi i parë ndërkombëtar, ku unë isha sommelieri më i ri në garë dhe pata kënaqësinë të merrja pjesë bashkë me z.Bujar Tukuli. Emocionet ishin të shumta dhe niveli shumë i lartë. Ishte një eksperiencë fantastike! Konkursi tjetër i nivelit ndërkombëtar do të jetë Kampionati Botëror i Sommelierisë, që do të zhvillohet në mars në Belgjikë. Mirëpo përtej dëshirës mbetet për t’u parë se kush do të përzgjidhet si përfaqësues i Shqipërisë. Çdo gjë do të vendoset pasi të zhvillohet konkursi mes sommelierëve shqiptarë për të përzgjedhur atë që do të mund të përfaqësojë më mirë vendin tonë. Një tjetër konkurs ku do marr pjesë së shpejti e ku mund të pohoj se kam pritshmëri të mirë është Kampionati “Sommelieri më i mirë shqiptar”, që do zhvillohet në fund të muajit janar 2019.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet