“Të jemi të sinqertë, niveli i arsimit në Shqipëri ka rënë shumë”

Nga Lindita Bushgjokaj

Zëvendës dekani i Fakultetit të Drejtësisë, tha se ka rënë niveli i arsimit shqiptar, për shkak të fenomenit negativ të diplomave false të “Kristalit”, e cila e ktheu arsimin në biznes, si dhe mungesa e programeve në gjuhë të huaj. Risitë që do kenë doktoraturat

Erjon Muharremaj, zëvendësdekan në Fakultetin e Drejtësisë, tha për gazetën “Shekulli” se këtë vit ka patur vetëm një studente italiane me orgjinë shqiptare dhe nga trojet që zgjodhën Universitetin e Tiranës për të kryer ciklin e tyre të studimeve. Kjo problematikë vjen si pasojë e mungesës së programeve mësimore në gjuhë të huaj, një problematikë edhe për studentët e juridikut, e cila kërkon njohje shumë të mirë të gjuhës për qëllime akademike. Ndërsa, thekson se ka pasur rënie të nivelit të studentëve për arsye ekonomike dhe politike. Për këtë i referohet skandalit të “Kristalit”, i cili ka krijuar perceptim negativ te studentët, pasi ekzistojnë mundësi të shpejta për të përfituar një diplomë, e cila të garanton dhe punësimin, u shpreh ai. Sipas tij, doktorantët nuk do kenë më luksin që të punojnë në administratë në të njëjtën kohë që janë dukë ndjekur studimet shkencorë.

Z.Muharremaj, keni pasur studentë të huaj që kanë zgjedhur Fakultetin e Drejtësisë për studime?

Këtë vit është regjistruar vetëm një student nga trojet, ndërsa te bachelori kemi pasur 5 kuota, por kanë qenë të pakta prurjet. Kjo ndodh për faktin se universitetet e tyre janë forcuar. Janë hapur universitete private dhe atje japin mësim shumë pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë.

Cila është arsyeja që zgjedhin të studiojnë në Universitetin e Tiranës?

Në fakt, Universiteti i Tiranës ka pasur reputacion më të mirë krahasuar me Universitetin e Prishtinës. Në fillim të viteve ‘90 kemi pasur 10-20 studentë nga trojet shqiptarë në fakultetin tonë, në kohën që nuk i kishin të fuqishme institucionet e tyre. Fuqizimi i institucioneve dhe rritja e tarifave në universitetet tona e ka pakësuar numrin e studentëve që vijnë nga vendet e tjera. Duke qenë se mësimdhënia është në gjuhën shqipe krijon pengesa për këta studentë që të ndjekin studimet. Më e mundur në sajë të ERASMUS puls do të ishte shkëmbimi për një semestër. Kemi një studente që ka ardhur nga Sapienza e Italisë, e cila ka origjinë shqiptare, por me shtetësi italiane.

Cili është fokusi i studimeve të saj në Shqipëri?

Ajo do të bëjë një kërkim shkencor për të dënuarit në Shqipëri, por vetëm një student është një numër shumë i vogël. Edhe në procesin e akreditimit u theksua që ka mungesë të ardhjes së studentëve, për shkak të njohjes së gjuhës shqipe. Ajo që ka ardhur flet shqip për shkak të prindërve të saj, përndryshe një italian çfarë mund të studiojë në Shqipëri, përveç universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” që japin mësim në italisht. Ka shumë italianë që zgjedhin këtë universitet, sepse është më lirë dhe kriteri i hyrjes është më lehtë se në Itali.

Cilat janë arsyet sipas jush që pengojnë ardhjen e studentëve të huaj në Universitetin e Tiranës?

Kjo do të bëhej i mundur nëqoftëse do të hartohen programe në gjuhë të huaj, e cila është fare e mundur. Më shumë është çështje angazhimi dhe do një përpjekje fillestare. Të gjithë pedagogët i kanë programet në gjuhën e tyre, duke krijuar vështirësi edhe për studentët tanë në njohjen e gjuhëve të huaja, e cila kërko tjetër nivel për qëllime akademike. Terminologjia juridike është dyfish më e vështirë dhe nuk është aspak e thjeshtë. Që të jemi të sinqertë niveli i arsimit në Shqipëri ka rënë shumë. Këtu ndikojnë disa arsye si; zhvillimi shoqëror, ka rënë interesi te studentët, ka rënë shtysa për shumë faktorë ekonomikë dhe politikë. Shumë studentë mund të thonë se, “pse të thartojmë trutë pesë vite në universitet, ndërkohë që mund të blejmë diploma të gatshme te “kristali” dhe fillojmë punë menjëherë në administratë, duke qenë se ka të njëjtën vlerë.

Mendoni se kanë më shumë prioritet universitetet private krahasuar me shtetërorin?

Unë e shikoj të shëndetshme konkurrencën dhe privati në vetvete e ka ekzistencën falë universitetit publik. Ata janë fuqizuar dhe kanë filluar të kenë statusin e tyre akademik, por gjithë stafi i Universitetit të Tiranës ka dhënë mësim te universitetet e tjera private, dikur 100%, ndërsa sot në një masë më të vogël.

Cilat janë pasojat që i kanë sjellë arsimit shqiptar fenomeni i diplomave false?

Mesa di unë me Vendim të Këshillit të Ministrave u mbyllen 19 prej tyre. Ishte shumë i drejtë ky vendim, sepse pati një dëm të jashtëzakonshëm në Institucionet e Arsimit të Lartë, i cili u kthye në biznes. Arsimi është shërbim publik, pavarësisht nëse e ofron një institucion jo publik. Nëse kthehet në biznes ka humbur çdo lloj kriteri. Ju e dini për të birin e Umberto Bosit që nuk kishte shkelur asnjë ditë të vetme në Shqipëri dhe është diplomuar në “Universitetin Kristal”.

Cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë studentët që duan të ndjekin ciklin e tretë të studimeve?

Sapo ka dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave për doktoraturat, ku përcaktohen kriteret jo vetëm për doktoratura, por edhe për tituj akademik; profesor i “asociuar” dhe profesor “doktor”. Studimet për doktoraturat do të bëhen pranë njësive bazë të fakulteteve. Ne duhet të përcaktojmë kuotat, sepse nuk janë shpallur ende, pasi sapo na ka ardhur VKM-ja. Ndërkohë kemi një beacklom të trashëguar nga e kaluara për studentët e doktoraturës, të cilët janë ende në proces. Ata do t’i përfundojnë studimet sipas kritereve që kanë qenë në fuqi, në kohën kur kanë filluar studimet. Vitet e fundit nuk kemi marrë studentë të rinj, pasi numri i atyre që kanë nisur studimet më parë për ciklin e tretë është më i madh. Për doktoraturat duhet të miratohen kuotat e reja që të fillojmë studimet, por nuk kam ende një datë zyrtare për këtë. Ka pasur aq shumë kuota, sa gjykoj që Shqipëria ka raportin më të lartë të personave të diplomuar dhe me një gradë të lartë shkencore, sesa vendet e zhvilluara.

Ka pasur ndonjë ndryshim specifik në doktoraturat e reja që pritet të hapen?

Duke u atashuar pranë një departamenti, studenti e kryen aty kërkimin shkencor. Ligji bën vetëm një përjashtim për studentët e ciklit të tretë të studimeve që janë të angazhuar në një universitet tjetër, mund t’i kryejnë studimet në distanca. Nuk lejohet më që dikush të bëjë punë në administratë dhe të jetë njëkohësisht student i doktoraturës. Ai duhet të jetë patjetër i atashuar pranë departamentit, siç ndodh në të gjithë botën. Unë kam kryer studimet në Londër dhe Budapest. Studenti i doktoraturës ishte i atashuar pranë departamentit, aty kryen kërkimin shkencor dhe angazhohet në mësimdhënie. E njëjta gjë po aplikohet edhe në Shqipëri.

Zv/dekani

“Ndryshime te mënyra e aplikimit për maturantët këtë vit”

Për maturantët që zgjedhin Fakultetin e Drejtësisë duhet të plotësojnë disa kritere që ndryshojnë nga vitet e kaluara. Ata do të përzgjidhen në bazë të mesatares së Maturës Shtetërore dhe tre viteve të studimit, ndërsa do të jenë 750 kuota të shpallura për këtë vit, bën me dije zëvendës dekani Muaharremaj.

Cilat janë ndryshimet që keni këtë vit për Maturën Shtetërore?

Ka ndryshime te mënyra e aplikimit për maturantët këtë vit. Ne i dërguam qendrës së Shërbimeve Arsimore kriteret e pranimit për vitin 2019-20. Ndryshimi që do të ndodhë është se te kriteret kemi një grup lëndësh që kemi kërkuar për të aplikuar në juridik. Kemi gjuhën shqipe dhe letërsinë, që më përpara kanë qenë një lëndë e vetme, tani janë dy të ndryshme; gjuha dhe letërsia. I japim 10% gjuhës së huaj të parë që mund të kenë italishten, anglishten ose frëngjishten. Gjimnazi “Sami Frashëri” ka frëngjishten, pasi ka një projekt për këtë gjuhë. Kemi lëndën e qytetarisë që i japim një 10% tjetër dhe ekonominë, të pesta kanë nga 10% për të aplikuar te Fakulteti i Drejtësisë. Në bazë të mesatares së tre viteve dhe Maturës Shtetërore zgjedhim fituesin. Kuotat e pranimit, si vjet dhe sivjet do jenë 750. Nuk ka asnjë ndryshim të kuotave të pranimit as të tarifës së studimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet