Të gjitha tokat bujqësore me qira, qeveria kërkon investitorë

Qeveria vendos kritere për kontratat e tokave të mbetura djerr. Me çmim qiraje nga 5000 deri në 27 mijë lekë në vit për ha, vendosen edhe afatet e përdorimit. Rishikohen çmimet e kontratave aktuale

Tokat bujqësore në pronësi të shtetit do të jepen me qira. Përmes një vendimi, Këshilli i  Ministrave ka miratuar kritere të reja përmes të cilave kërkon që tokat në dispozicion të shfrytëzohen e të mos mbeten djerrë, siç janë aktualisht. Në fakt, përpos  tokave të lira, parashikohet edhe rishikimi i kontratave ekzistuese, të cilave do t’u rishikohen vlerat e qirasë, në varësi të normës së inflacionit.  Tokat do të lëshohen për të interesuarit me procedurë ankandi, ndërsa për periudhat e zënies së tyre, afatet do vendosen në varësi të investimit në kultura bujqësore, 10, 30 dhe 99-vjeçare.

Çmimi

Tarifat minimale të qirasë vjetore do të variojnë në varësi të kategorisë e bonitetit të tokës. Pika 5 e vendimit, citon se “vlera vjetore e dhënies me qira të tokës bujqësore në pronësi të shtetit, si në rastet kur për të njëjtën sipërfaqe paraqitet më shumë se një ofertë, ashtu edhe në rastet kur rezulton një ofertë e vetme, përcaktohet në bazë të kategorisë së bonitetit, nga 5000 deri në 27 mijë lekë për hekatër në vit”. Ndërkohë, për të përcaktuar çmimin e qirasë, do të jetë një komision përgjegjës, që do të miratojë atë gjatë shpalljes së procedurës konkurruese. “Ky komision, në përcaktimin e vlerës fillestare të qirasë, merr parasysh karakteristikat në lidhje me bonitetin e tokës, gjendjen e infrastrukturës ujitëse dhe kulluese të saj, distancën nga tregjet, nivelin e industrisë agro-përpunuese si dhe shkallën e zhvillimit të infrastrukturës rrugore të zonës. Po  ku do të shkojnë paratë që do të vilen nga qiramarrësit për këto toka? Vendimi cakton se ato do të arkëtohen për llogari të buxhetit të shtetit, ndërkohë që qiramarrësi parapaguan vlerën vjetore të qirasë, brenda tremujorit të parë të vitit përkatës.

Kush merr tokë

Kërkesa për marrjen me qira të tokës bujqësore, mund të bëhet nga çdo person, fizik ose juridik, vendas apo i huaj si dhe pa shtetësi, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit,  ndërsa për të siguruar parcelat, që Ministria e Bujqësisë ka në dispozicion, të interesuarit duhet të paraqesin në komision një sërë dokumentesh. a) Vetëdeklarimi për ekstraktin e regjistrit tregtar të personit fizik apo juridik, që ka paraqitur ofertën; b) Një përshkrim të përgjithshëm të projektit për veprimtarinë bujqësore që do të zhvillohet mbi tokën, objekt kërkese për qiramarrje, në të cilën të specifikohen kulturat bujqësore ose speciet e bimëve që do të mbillen, teknologjitë, që do të aplikohen në kultivimin e bimëve dhe përpunimin e produkteve, investimet në infrastrukturë (kullim, ujitje, sistemim etj.), të shprehura në tregues fizikë e monetarë, tregun e shitjes, aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit të shprehura në vlerë, që garantojnë investimet, ndikimin e veprimtarisë në shtimin e numrit të të punësuarve. Dokumentet që vërtetojnë aftësitë financiare, kreditë dhe burimet e financimit duhet të jenë të lëshuara nga institucionet e ngarkuara nga ligji për këtë qëllim; c) Plani i biznesit të aktivitetit që do të ushtrohet, sipas modelit të miratuar me udhëzim të ministrit; ç) Raporti i vlerësimit të ndikimit në mjedis, të hartuar nga specialistë mjedisi të licencuar; d) Projekti i investimeve, të hartuar nga një specialist arkitekt i licencuar; dh) Afati i përdorimit të tokës për qiramarrje, në varësi edhe të kulturave bujqësore ose specieve të bimëve që do të mbillen; e) Vetëdeklarimi që nuk ka detyrime financiare ndaj organeve tatimore qendrore e vendore, nuk është në ndjekje penale dhe nuk ka detyrime ndaj qiradhënësit; ë) Koha e fillimit e të mbarimit të mbjelljes së tokës me kultura bujqësore, në rastin e qiramarrjes së saj për pemëtore, vreshta dhe ullishte; f) Niveli i çmimit (lekë/ha në vit) që ofron për marrjen me qira të tokës bujqësore; g) Sigurimin e ofertës në vlerën e qirasë së një muaji, duke e llogaritur me vlerën e shpallur në njoftimin për konkurrim.   Ofertat paraqiten në një zarf të mbyllur, i cili duhet të përmbajë një kopje origjinale ose të noterizuar të dokumentacionit të ofertës dhe ku të përcaktohen qartë identiteti dhe adresa e personit, fizik apo juridik të interesuar.

Afatet

Tokat bujqësore do të jepen me qira në 3 afate kohore.

Deri në 10 vjet-  në rast se në to përdoruesit do të kultivojnë bimë të arave, bimë eterovajore dhe bimë dekorative.

Deri në 30 vjet – kur përdoruesit lidhin kontratë për kultivimin e vreshtave; për krijimin  e pemëtoreve me specie dru-frutorësh, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje kultivimi dhe me rentabilitet ekonomik;  ndërtim serrash e kultivim të bimëve në to si dhe fidanishte.

Deri në 99 vjet – kur qiramarrësit i destinojnë për krijim ullishtash; për krijim pemëtoresh me dru frutorë si kulturat arrore dhe specie të tjera, mosha biologjike e të cilave përkon me këtë kohëzgjatje.

Në çdo rast, madhësia e sipërfaqes së tokës bujqësore që jepet me qira nuk mund të jetë më e vogël se madhësia e sipërfaqes së parcelës sipas së cilës ajo rezulton e regjistruar në dokumentacionin kadastral të Drejtorisë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet