Të flasësh kundër klasës politike

Nga Sulejman Abazi

Situata që kalojmë kudo në trojet shqiptare, veçanërisht në tre qendrat më të mëdha politiko – administrative, në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup, po e trazon shumë jetën tonë. Periudha 27 vjeçare që ka sjellë shumë ngjarje historike në jetën e kombit, ka sjellë edhe pasojat e një politike pa kockë e pa bosht. Nuk çuditemi kur bëjmë analizën e një periudhe kaq të gjatë që na ka kushtuar kaq shumë.

Qëndrimet që vazhdojnë të cënojnë interesat kombëtare, kundër akteve të korrupsionit dhe kriminalizimit në institucionet qeverisëse, kundër varfërimit të jetës dhe grabitjes në përmasa të pasurisë kombëtare, kundër nëpërkëmbjes së dinjitetit dhe të lirive tona njerëzore, rënimit të shëndetit moral të shoqërisë dhe plagëve të rënda sociale që po na nxijnë jetën çdo ditë, janë bërë të hapura, publike, por vetëm deri këtu.

Jemi kundër shumë gjërave mbrapsht dhe fenomeneve që kriminalizojnë dhe diskriminojnë një shoqëri të tërë. E natyrisht, të gjithë në kor fajin ia hedhim me të drejtë politikës, asaj politike që i kemi besuar drejtimin e jetës tonë. Politikanët shqiptarë kurrë nuk dhanë llogari për përgjegjësitë e tyre kombëtare dhe shtetërore dhe aktualisht mbeten të pandëshkuar, arrogant dhe ambiciozë për të qenë akoma në politikë. Historikisht çdo herë e kemi pasur botën kundër për shumë arsye, ndërsa sot jemi kthyer kundër vetvetes në mënyrën më të çuditëshme.

Politika me dinakëri na ka gjetur “pikën e dobët” brenda psikologjisë dhe vetëdijes tonë, për të na mashtruar dhe ata të vazhdojnë të mbijetojnë në perandorinë e tyre të krimit politik dhe korrupsionit të thellë. Na ka ndarë në pabësi në dy kampe agresive. Deri këtu nuk po themi diçka të panjohur për opinionin e gjerë.

Ajo që na bën përshtypje, është perversiteti i politikanëve shqiptarë, të cilët nga majat më të larta të pushtetit apo të ish pushtetit të tyre, flasin me “gjuhën e popullit të thjeshtë”, a thua se qeveritë shqiptare dhe partitë politike përgjegjëse, deri tani i kanë drejtuar “ufo-t apo marsianët” nga jashtë Shqipërisë!! Befasohemi nga deklaratat e disa presidentëve e ish-presidentëve.

Bujar Nishani në Tiranë flet sikur të mos ketë qenë president apo anëtar i PD-së asnjë ditë. Hashim Thaçi “kritikon politikën ruse” për trazimin e Kosovës, Sali Berisha flet akoma “në emër të popullit” që e hodhi në zjarr disa herë, Lulëzim Basha ripërtyp si lopa me thirrje histerike “dëshirën e madhe për kryeministër”, Ilir Meta vazhdon të flaës për “konsensuse, demokraci dhe unitet”, Ali Ahmeti vazhdon në deliret e madhështisë së “komandantit”, Bilall Kasami “falet çdo ditë” i ulur rehat mbi paratë e Erdoanit, Monika Kryemadhi “kritikon klasën politike shqiptare”. Këtë lësh e kë të zësh. Këta janë bërë ca si shumë.

Ka shumë për të thënë në këtë racë njerëzish që s’kanë as cipë, as nder, as dinjitet dhe nënëvetëdije, as turp, as moral, të korruptuar dhe të pasuruar mbi varfërinë e popullit. Nga majat e pushtetit, këtij soji politikanësh njërëzit që reagojnë çdo ditë, u duken shumë të vegjël. Në Tiranë ulërijnë majtas e djathtas, PS, PD, LSI për korrupsion, krim, për gjithçka që ka pësuar Shqipëria dhe shqiptarët deri tani, pa gjykuar që janë liderët e tyre që kanë përgjegjësinë më të rëndë kombëtare për gjendjen në të cilën e sollën shtetin shqiptar deri këtu. Shteti dhe shoqëria po mbahen peng në gjendje reanimacioni.

Në Prishtinë uzurpatorët e pushtetit, që po i heqin “tullat” një e nga themeleve të Pavarësisë së Kosovës, dhe po ia çojnë Kosovën Serbisë “si frut të pjekut në pjatë”, e kërkojnë përgjegjësinë jashtë pushtetit të tyre të kompromentuar rëndë. Aleancat qesharake vetëm për të mabtur pushtetin, po i bën ata më qeshrak se sa janë. Në Shkup, partia e Ali Ahmetit, bashkpërgjegjëse për drejtimin 13-vjeçar të Maqedonisë së bashku me Nikolla Gruevskin, shfaqet sikur të mos ketë ekzistuar dhe gjithçka mund të fillojë pa asnjë problem nga e para, për të vazhduar qeverisjen me LSDM-në. Ngjarjet e rënda politke vazhdojnë të dhunojnë popullin çdo ditë pa mëshirë. Vetëm përgjegjësi dhe fajtorë nuk ka askund.

Çdo herë shfaqet “fajtor” populli që voton, populli që kërkon, populli që denoncon, populli i pakënaqur dhe i ndarë më dysh! Çdo herë populli është dhe do të mbetet “fajtori më i madh”, për “vuajtjet” që përjeton klasa politike dhe politikanët shqiptar! “Fajtorë” janë shqiptarët që vazhdojnë të braktisin trojet e tyre dhe duan të ikin sa më larg kësaj murtaje politike!

“Fajtorë” janë naftëtarët në Fier e Ballsh, janë banorët e Verrisë dhe fshatrave përreth, janë studentët që kërkojnë të drejtat e tyre, janë ata që duan të mbrojnë antikitetin tek Veliera, janë gazetarët seriozë “të kazanit”, janë intelektualët që denoncojnë, janë të gjithë ata që e duan Shqipërinë. “Fajtorë” sot janë ata që duan të zbatohet reforma në drejtësi, ata që duan të rihapin dosjet. Ata që duan të çojnë kriminelët para drejtësisë, janë ata që duan t’i kthejnë sovranitetin e politikës qytetarëve!

Vetëm politikanët shqiptarë nuk kanë faj!! Bukur edhe kështu. Do të vazhdojmë t’i dëgjojmë akoma në delirin e tyre mental. Sa herë ndihen të rrezikuar, politikanët “kritik”, kërkojnë që popullin “fajtor” ta bëjnë fajtorin më të madh. Ia kanë arritur, po, po ia kanë arritur me sukses.

Rruga e mbijetesës i ka mësuar të dinë të mashtrojnë, të keqpërdorin, të gënjejnë, të hedhin njerëzit në përplasje dhe pas tyre, të inskenojnë edhe ngjarje makabre për t’i bërë të besueshme gjithçka që lidhet me demagogjinë dhe hipokrizinë e tyre. Në Shqipëri gjithmonë mendohet që faji mbetet jetim, por për politikanët tanë ky fajtor i madh mban emrin popull! Deri kur kështu? Urojmë që njerëzit që e duan Shqipërinë ndryshe, të kenë nxjerrë mësime.

Të tjera

Abissnet