Të braktisur pas tërmetit, banorët: Nuk vjen asnjë inspektor 

Foto 1 nga 7 Pas Para

Reportazh/ Banorët e zonës së Kombinatit në Tiranë, vazhdojnë ‘jetën’ në çadra. Ata shprehen për “Shekulli”-n se deri më tani nuk ka shkuar askush të inspektojë banesat. Pallatet e reja rezultojnë më të dëmtuara

Enida Vërça

Tërmeti i 26 nëntorit vazhdon të ndihet ende në këmbët e çdo shqiptari. Pasiguria, ankthi dhe vazhdimi i ditës së nesërme, mbetet pikëpyetja më e madhe në familjet tona. Ajo që ka mbetur një javë më pas nga lëkundjet vrastare, është vetëm frika dhe pyetja se ku do të strehon qindra familje. E tillë është edhe zona e Kombinatit në Tiranë. Kjo zonë mbetet nga më të prekurat në kryeqytet, të cilët vazhdojnë ende të qëndrojnë jashtë banesave të tyre si pasojë e mos inspektimit nga autoritet dhe neglizhencës së këtyre të fundit. Banorët shprehen për “Shekulli”-n se që prej ditës së tërmetit dhe sot vazhdojnë ende të jetojnë në çadrat që kanë ndërtuar vet në oborret e pallateve dhe askush nuk ka shkuar ti vizitojë, të bëjë inspektimet që duhen për të konfirmuar nëse duhet apo jo të jetojnë brenda atyre mureve. Hysni Rama, një prej banorëve që jeton në një prej blloqeve të këtyre pallateve në Kombinat, thotë se ndërtuesi i pallatit të tyre është Aqif Hoxha, të cilit ia ka blerë hyrjen vetëm 5 vite më parë. Ai thotë se pallati është i ri dhe nuk ka shumë vite që është ndërtuar, por pavarësisht kësaj, duket se nuk ka mundur t’i shpëtojë dëmtimeve të dy tërmeteve, atij të 21 shtatorit dhe atij të ndodhur një javë më parë, që tronditi gjithë vendin.”E vetmja kërkesë që ne kemi është të vijnë autoritetet të bëjnë inspektimet. Nëse shtëpia është e pabanueshme ne dalim nga aty. Në tërmetin e 21 shtatorit pallati pësojë dëmtime, por askush nuk erdhi për të parë situatën nga afër. Edhe me ketë tërmetin e dytë, që ishte edhe më i madh, akoma nuk ka ardhur njeri. Jetojmë me frikë çdo ditë”, shprehet i moshuari. Në fjalën e tij nuk mund të lërë pa përmendur edhe situatën me të cilën u përballë gjatë tërmetit 6.4 të shkallës Rihter. Edhe pse i moshuar, i cili ka kaluar edhe tërmete të tjerë në jetë, sipas tij ky ishte më i frikshmi, pasi në banesë ndodhej vetëm me nipin dhe mbesën. “Ka qenë një tmerr i vërtet. Isha në shtëpi me nipin dhe mbesën mëngjesin e 26 nëntorit. I traumatizuar i thirra nipit dhe mbesës që të dilnin jashtë, të mos me prisnin mua, por ata nuk pranonin, pa më marrë dhe mua. Më morën dhe dolëm jashtë banesës sa u qetësuan lëkundjet. Më pas nuk hymë më atë mëngjes në shtëpi. E gdhimë jashtë. Tmerr o bijë!”, tregon ai.

Inspektimet

Me qindra pallate kanë pësuar dëmtime në këtë zonë. Me qindra familje kanë mbetur në rrugë dhe me qindra të tjera shpresojnë që post-lëkundjet të jenë të lehta, duke mos rrezikuar jetën. Sofie Mehmetaj është një tjetër banore e cila jeton në këtë zonë, teksa thotë se e vetmja gjë që kërkojnë janë ekspertët. “Pallati jonë ka pësuar shumë dëmtime, por ajo që duam të dimë është se këto janë dëmtime strukturore apo jo. Vetëm këtë duam që të sigurohemi. Mbrëmë kemi qëndruar në çadër. Me fëmijë, me pleqëri, në të ftohtë. Shteti duhet të vijë, të na sigurojë nëse jetohet apo jo. Jemi në pritje. Kanë dalë thonë në terren po vëzhgojnë. Po ku janë? Deri më tani asnjë ekspert nuk ka ardhur. Edhe më tërmetin e parë, patëm dëme dhe nisëm t’i rregullojmë vet. Çuam dokumentet ku bëmë kërkesën për të bërë vëzhgimet, askush nuk erdhi. Edhe sot që flasim bashkë, është e njëjta gjë. Nuk duam ndihma, asgjë, por të sigurojnë nëse jetohet këtu apo jo. Na ka hyr frika në palcë. Në shtëpi shkojmë vetëm për nevojat personale dhe gjithë kohës jemi në çadër. Për të ngrenë na ka sjell Imami i xhamisë këtu, po ashtu edhe batanije e shtretër, nga njeri tjetër nuk kemi pasur asnjë ndihmë”, thotë Mehmetaj.

Katundi i Ri Tiranë

Festim Shatrolli, banor në Katundin e Ri, deklaron se i kanë kërkuar ekspertët në tërmetin e 21 shtatorit dhe askush nuk e ka marrë për bazë shqetësimin e tyre. Ndërkohë me tërmetin e dytë, situata është rënduar edhe më shumë, duke rrezikuar jetën e tyre. “Na premtuan se do të vinin ekspertë që në tërmetin e parë. Pritëm dhe kjo gjë nuk ndodhi, hymë prapë në banesë, se nuk kishim ca të bënim. Me ketë tërmetin e fundit, situata u rëndua edhe më shumë. Plasën muret, ranë tavanet. I kam bërë fotot, i kam dërguar në komunë dhe presim që të bëhen vlerësimet. Me frikë po jetojmë. Çdo lëkundje na i ka kthyer jetën në makth, meraku më i madh është për fëmijët. Janë tmerruar nga kjo ngjarje”, thotë ai.

Histori

Teksa ecën në rrugët e kësaj zone, historitë janë të ndryshme, por shqetësimet janë të njëjta. 70-vjeçarja Myrvete, jeton e vetme në një pallat të dëmtuar nga tërmetet e fundit. Banorët tregojnë se e moshuara ka humbur të gjithë fëmijët dhe i vetmi njeri që kujdeset për të është mbesa. Ne ishim të pranishëm në shtëpinë e saj, por lëndimet e marra nga jeta e bënin të moshuarën të mos reagonte për asgjë. E vetmja gjë që ne morëm prej saj ishin lotët dhe lëngimet. Sipas banorëve, natën e tërmetit 70-vjeçarja kishte qenë e vetme dhe nuk kishte dalë jashtë banesës, me shpresën se kësaj radhe do të vdiste nga lëkundjet. Erind Kota, banorë i të njëjtit pallat, teksa tregon dëmtimet që ka marrë banesa e tij, thotë se për nënë Myrveten kujdesen të gjithë banorët, por ajo ka nevojë për më shumë. Babai i tre fëmijëve, i cili është i papunë dhe shpreson që kjo ngjarje të mos përsëritet, bën apel për ndihmë për këtë nënë të moshuar. “Ne kujdesemi për të. Ajo është pa jetë. I ka humbur të tre fëmijë. Nuk del kurrë jashtë dhe shpesh e dëgjojmë të qaj dhe ulërasë me zë të lartë. Po çfarë mund të bëjmë ne? Nuk kemi asgjë në dorë. Unë jetoj në kushte të vështira dhe me frikë të madhe për fëmijët, pasi shtëpia ka pësuar shumë dëmtime”, thotë ai. Ashtu si në shumë zona të tjera edhe pse në Kombinatin e kryeqyteti, kësaj radhe nuk humbi jetën njeri si pasojë e tërmetit, nëse kjo dukuri natyrore përsëritet, do të shkaktojë viktima nëse nuk nisin kontrollet serioze. Banorët nuk kërkojnë asgjë përveç sigurimit të banesave, që darkën ta kalojnë të qetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet