Të bojkotosh dhe refuzosh krimin elektoral të radhës

Publikuar më 04. 06. 2017 nga Denis Tahiri

Nga Arben Rrozhani

Pas tri javësh shqiptarët me të drejtë vote do t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur 140 anëtarët e parlamentit të ardhshëm. Data e 25 qershorit ishte vendosur përdhunshëm pas paktit mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha, si pjesë e paketës së kompromisit për të nxjerrë opozitën nga “çadra e lirisë”, evituar qeverinë teknike me një kryeministër teknik dhe shtyrjen e zgjedhjeve për në vjeshtë, kohë e majftueshme që të bëhej reforma zgjedhore, të mundësohej votimi dhe numërimi elektronik dhe votat të numëroheshin nga një trupë zgjedhore shtetërore, në vend të komisionerëve partiakë që kanë mbi dy dekada që shqyejnë dhe trafikojnë votat e shqiptarëve.

PD-ja ishte e detyruar ta bënte këtë pakt që la të zhgënjyer shumë idealistë që shpresonin se “Republika e re” do t’i jepte fund përpara fundit të mandatit 4-vjeçar, qeverisjes abuziviste të Edi Ramës. Kundër Lulzim Bashës dhe drejtuesve të tjerë të PD-së, që mbronin linjën e ashpër të mosbindjes civile, qeverisë teknike dhe me një kryeministër teknik dhe krijimin e kushteve për zgjedhje në vjeshtë, u vendos gjithë faktori ndërkombëtar, opinion i brendshëm, madje edhe zyrtarë me peshë brenda opozitës.

Qëndresa e tyre zgjati deri më 18 maj, kur ata u dorëzuan dhe pranuan të nënshkruanin paktin e bashkëqeverisjes me Edi Ramën, i cili vijoi të ishte kryeministër, por u la disa përfaqësues politikë të veshur si teknikë në disa ministri dhe drejtori të rëndësishme. Basha dhe njerëzit e tij harruan luftën që kishin nisur prej 18 shkurtit në “çadrën e lirisë” për zgjedhje të lira dhe të ndershme, votim dhe numërim elektronik dhe u bënë pjesë e një plani që shtynte me vetëm një javë zgjedhjet e refuzuara të 18 qershorit 2017, të cilat nuk ofrojnë asnjë përmirësim në standardin e zgjedhjeve shqiptare dhe prej shumë vitesh, cilësohen me probleme dhe të pranueshme në raportet e OSBE/ODIHR-it.

Me këtë veprim PD-ja e drejtuar tashmë prej Lulzim Bashës tregoi se nuk ka as kurajon dhe as dëshirën që të ndahet nga krimet elektorale që ka konsumuar prej dekadash duke mbjellë modelin e vjedhjes, shitblerjes dhe trafikimit të votës së shqiptarëve. Me këtë pazar politik, Edi Rama e shtoi edhe 4 muaj jetë qenies së vet si kryeministër, me një patericë të djathtë, duke i dhënë fund bashkëqeverisjes së majtë të ngjizur me shumë mund dhe negociatat në marrëveshjen e 1 prillit 2013 mes PS-së dhe LSI-së dhe tani kemi një bashkëqeverisje mes PS-së dhe PD-së, një qeverisje që ka bërë bashkë paditësit e krimeve me autorët e këtyre, akuzuesit dhe të akuzuarit. Kjo qeverisje e çuditshme që ka lënë vendi pa pozitë, si askund tjetër në botë, tregoi se çfarë mund të bëjë një kryeministër dëshpërimisht i kapur pas karriges për të mos e lëshuar atë.

4 vite më parë Rama denonconte dhe premtonte burgun për Berisha &CO, tani ai është në bashkëqeverisje me të; mallkonte koncesionet skllavëruese të partë aardhësit, por për katër vite e ka dhënë gjithë ekonominë shqiptare me koncesion te privatët; premtonte luftë kundër krimit të organizuar dhe trafikut, por e ktheu qeverinë e majtë në një kartel droge që ishte kujdestare e krimit të organizuar që bëri ekonominë e zezë të kanabisit; premtoi 300 mijë vende, por po aq shqiptarë mendohet se i janë shtuar mërgatës shqiptare të shpërndarë anekënd botës; premtoi mbi të gjitha Rilindje për shqiptarët, por gjithkush që ka dy pare mend në kokë dhe mundësi është gati të ikë nga sytë këmbët prej vendit të “rilindur” nga qeverisja e Edi Ramës.

Këto premtime tashmë janë harruar dhe zëvendësuar me të tjera për një mandat tjetër 4-vjeçar në emër të “bërjes së kryereformave”, por që premtohen se do të bëhen me po këtë frymë skllavëruese dhe prej po këtyre qeveritarëve të sotëm. “Republika e re” e premtuar nga Basha nuk bind dhe është kompromentuar pa hedhur themelet prej pazareve politike që bëri me pushtetin aktual. Të dyja partitë e mëdha përballë votuesit tregojnë në çdo takim elektoral, në çdo premtim që bëjnë për të ngritur adrenalinën e votuesit, se janë në agoni programore dhe ideore, nuk kanë një ide se ku do të jetë Shqipëria pas 1, 2 apo katër vitesh, si dhe sa do të zhvillohet ajo, si dhe sa do të pasurohen shqiptarët, të vetmit që janë varfëruar ndër kombet e tjerë të rajonit dhe të botës.

PS dhe PD po kërkojnë edhe një katër vjeçar tjetër për të zgjatur agoninë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Partia ZGJIDHJA e kishte parashikuar se ky do të ishte skenari më ogurzi për zgjedhjet shqiptare. Ajo kishte kërkuar shtyrjen e tyre në vjeshtë, bërjen e reformës zgjedhore, mundësimin e votimit dhe të numërimit elektronik në qendrat e votimit dhe krjimin e një administrate shtetërore zgjedhore. Ndaj partia ZGJIDHJA propozon që votuesit të mos marrin pjesë dhe ta bojkotojnë këtë proces të pistë elektoral, të njëjtë me paraardhësit, të mos u japë votëbesimin kryetarëve të partive që kanë privatizuar dhe pronësuar gjithçka, që nuk lënë zgjedhësit shqiptarë, si askund në botë, që të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në kuvend, pushtet vendor, gjyqësor dhe kudo, që të lejohet të bëjë referendume dhe të shprehet lirshëm e të vendosë për çështjet e rëndësishme të jetës së vendit. ZGJIDHJA është e vetëdijshme se shumë shqiptarë janë të kërcënuar me bukën e gojës, vendin e punës dhe ekzistencën, që të shkojnë dhe të votojnë më 25 qershor për partinë në pushtet.

Por edhe ata e kanë një mundësi se si ta zhbëjnë atë votë që duan ta marrin me përdhunë: një Z e madhe në gjithë fletën e votimit, duke bërë një votë proteste ndaj partitokracisë që ka kapur për fyti demokracinë shqiptare. Bojkotimi dhe refuzimi i kësaj farse zgjedhore është të mos marrësh pjesë në krimin elektoral të radhës, ku bashkautore dhe bashkëfajtore janë dy partitë e mëdha, si gjithnjë.

Rrallë ndodh në historinë e një vendi që të kalojë plot 100 vjet dhe të jetë akoma duke u endur në të njëjtët ujëra zhvillimesh shoqërore siç ndodh rëndom në Shqipërinë tonë të dashur. Natyrisht, si racë e zgjuar që jemi, gjithmonë kemi një arsyetim, gjithmonë kemi një kokë turku për të fajësuar për dështimin tonë sistematik.

Dikush, me dashje apo jo, na detyron që të gabojmë, të veprojmë kundër interesave tona të sotme, dhe të ardhme. Dikund nëpër vitet e shumta të historisë shekullore kemi pasur figura që janë munduar të gjejnë fajin tek vetvetja, të gjejnë dështimin tek paaftësia për vetëkorrigjim, të gjejnë zërin e arsyes që do mund të udhëhiqte brezat e ardhshëm të cilët do mundnin që megjithëse me shumë sakrifica dhe kohë të gjatë të mund të ndërtonin atë që Ilirët, një popull që lanë gjurmë në historinë e Europës, lanë pas.

E megjithatë, jetojmë në 2017, pothuaj 105 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe përsëri jemi ata që ishim para 1912. Popull me fjalë të mëdha, aspirate të mëdha, konflikte të brendshme sociale, dhe ajo që është më problematike për zhvillimin tonë,me ndjenjë të theksuar skllavërie jo ndaj skllavopronarëve historikë, por ndaj atyre që kanë në pronësi shpirtrat dhe mendjen e një populli partë tërë.

Edhe sot pas 105 vitesh shtet i pavarur dhe sovran, ne mbetemi vasale të injorancës intelektuale ( sepse të tillë janë të gjithë ata që shesin intelektin e tyre për interesa te ngushta monetare, te momentit), mosveprimit kolektiv ndaj padrejtësisë, po ashtu kolektive, dhe vasalë të kultit të individit i cili lejohet të jetë edhe bujk, edhe intelektual, edhe doktor edhe kasap, edhe njeri i Zotit edhe vrasës. Pra, të gjithë jemi fajtorë, sepse asnjë nuk pranon të sakrifikojë “të sotmen”, edhe ashtu copë-copë, për një të ardhme më të mirë, më të qetë, me më shumë prosperitetet.

Sot jemi në fillimin e një fushate, e cila filloi si ato lindjet pas një shtatzënie shumë të komplikuar, mund të konsiderohet e tillë vetëm në sensin formal, sepse shqiptarët dëgjojnë premtime fushate çdo ditë të vitit që nga 1990. Tashmë jemi mësuar që sa herë të shohim një surrat me kostum firmato që zbret nga një makinë extra luksoze, apo i rrethuar nga kokë zbathur dhe çadrambajtës, apo me një paraqitje fizike të shëmtuar nga dhjami i pasurisë së vjedhur këtij populli, gjithmonë do dëgjojmë sharje, ofendime, akuza nga më monstruozet për të gjithë kundërshtarët e tij, a thua se ky individ është i dërguari i Zotit e të tjerët janë ambasadorët e djallit.

Sot kemi arritur të marrim medaljen e vendit qe dështoi tre herë radhazi për të marrë një status që në kushtet e sotme ekonomike dhe sociale të BE-së është më tepër një status simbolik sesa ajo që ata me kostume dhe jelekë, apo me 1 kg krem në surrat mundohen t’ua servirin shqiptarëve. Por servirja vazhdon sepse populli (narodi siç e quajnë ata tek të cilët shumë prej politikanëve tanë të lartë përgjigjen në mënyrë të vazhdueshme) e shijon mashtrimin që i bëhet. Asnjë prej kostum e krem mbajtësve, nuk pranon që të ndërtojë një sistem vlerash dhe institucionesh që do ti shërbejnë popullit të cilit ata pretendojnë se i përkasin.

Asnjë prej tyre, nuk pranon të japë dicka nga vetja për ato mijëra familje që enden në kufijtë e shuarjes, sepse s’kanë mundësitë më elementare të jetesës. Një shoqëri është e shëndoshë dhe prosperuese kur funksionon me institucione të pavarura dhe demokratike, institucione që nuk raportojnë tek interesat politike të ngushta dhe të lidhura me individin “udhëheqës” por me Kushtetutën e vendit. Sot, Shqipëria jonë vuan nga mungesa e institucioneve demokratike, mungesa anemike e një shoqërie civile efektive, mungesa e një sistemi gjyqësor profesional dhe të pavarur, mungesa e zërit të pakënaqësisë dhe mungesa e rebelimit demokratik ndaj keqmenaxhimit të pasurive njerëzore e natyrore të këtij vendi të bukur, të mbushur me mutacione gjenetike të shqiponjave të lira të dikurshme.

Të gjithë fajësojnë kundërshtarët e tyre për dështimet e deritanishme, a thua se nuk janë pot ë njëjtët që pas perdeve bëjnë ndarjen e bizneseve, ndarjen e fondeve, ndarjen e zonave, ndarfrymë jen e votave, ndarjen e bursave të studimit jashtë, ndarjen e vendeve të punës nëpër shërbimet diplomatike, ndarjen e vendeve të punës edhe në ndërmarrjet e pastrimit……Të gjithë premtojnë dhe flasin me mallëngjim sa herë shkojnë për të kërkuar votat e radhës duke kërkuar që njerëzit të harrojnë se që nga vizita e fundit e kostumeve dhe krembajtësve plot 4 vjet më parë, ishin po këta që i lanë të përmbyten, të vuajtur, e borxhlinj tek dyqanet e lagjes, fshatit….

Sot, nuk sheh dhe as nuk dëgjon që ndonjë prej këtyre skllavopronarëve të sotëm të kërkojë falje publike për varfërinë, vitet e humbura kot, vëllavrasjen, akuzat monstruoze ndaj njëri-tjetrit, shkatërrimin e së ardhmes së një populli të tërë. Sot, askush nuk përkrah, dhe as që bëhet llaf të kërkojë zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli në mënyrë të drejtpërdrejtë larg listave të kryetarëve respektive. Vetëm në këtë mënyrë Presidenti nuk do ishte kukull e ndonjë maxhorance parlamentare, por garanti më i mirë i popullit që e zgjedh. Nuk do ishte një person me aftësi të kufizuara në ushtrimin e detyrës, por do ishte një element aktiv në garantimin e të drejtave themelore.