Të aktrosh opozitën me tezat e partisë “Zgjidhja”

Publikuar më 29. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Arben Rrozhani

“Shqipëria bëhet”-deklaronte ish-kryeministri Sali Berisha pak orë para protestës së 27 janarit. Po ashtu edhe kreu i saj, Lulzim Basha. Të shtunën nuk bënë Shqipërinë, as kanë ndërmend ta bëjnë, por bënë “qokën” e radhës së një opozite të dobët dhe pa vizion përballë një shumice arrogente. Forca më e madhe opozitare, me histori që nga dhjetori ’90, doli në protestë me parrullat e partisë më të re në spektrin politik shqiptar, ZGJIDHJA. Nuk ka asgjë të keqe të marrësh një slogan, apo ide, veçanërisht kur ruhet copyright-i, (të cilën as e ka bërë, edhe pse është detyrim) apo kur ajo i shkon për shtat atij që e merr. “Shqipëria bëhet! Ne jemi Zgjidhja!” është slogani në pjesën e pasme të kartave të anëtarësisë së partisë ZGJIDHJA, prej gati një viti.

Lideri i saj, Koço Kokëdhima, e thekson në çdo foltore, apo studio se Shqipëria bëhet, se shqiptarët nuk duhet të ikin duke e braktisur vendin, por të rrinë këtu, të qëndrojnë fort dhe të rrëzojnë nga froni partitë e vjetra që u kanë hipur në qafë prej 27 vitesh. Tani del njëra prej këtyre partive, që ka bërë ç’është mundur që ky vend të mos bëhet, që ua ka neveritur shqiptarëve sa herë dalin në ekrane apo rrugë duke premtuar se do ta bëjë këtë vend, kur ata që ikin, kanë, përveç arsyeve ekonomike, edhe ato politike: se ky vend ka qeverisjen më të keqe të tranzicionit dhe se nuk ka opozitë.

Nuk duhen shumë prova për ta vërtetuar këtë. Shikoni reagimet pas protestës që u mbars se do të bënte namin politik, se do ta shkundte nga themelet “narkoshtetin” dhe “kumbarin” e tij, por që përfundoi një xhiro masive e denjë për ato të viteve ’80 të tiranasve në bulevard. Mes qindra reagimeve të tilla po përmend njërin, shkruar nga një aktivist i djathtë: “Shkova ne protestë. Dolën disa burra dhe pak gra në pudium të m’tregu hallet e mia! I dëgjova derisa mbaruan. Më pas unë i hypa bicikletës shkova ne shtëpi, ata ju hypën makinave. Disa shkuan në kafe, disa në restorante ca të tjerë për udhëtime jashtë shtetit”. Fatkeqësisht kështu ndodh dhe nëse sot Shqipëria është në ditët e saj më të zeza, faji bie edhe mbi opozitën inekzistente, e cila nuk ka ide se si do ta përballë një rregjim të cilin ajo e akuzon sit ë lidhur me kriminelët dhe mafiozët.

Partia e drejtuar nga Basha nuk arrin as të bindë, as të frymëzojë. Përgjatë vitit të fundit ajo ka luajtur opozitash, duke keqpërdorur tezat e partisë ZGJIDHJA. Kur “Zgjidhja” ndërmori nismën ligjore ‘Unë zgjedh deputetin që dua!”, ftoi shqiptarët që të firmosnin një peticion për të ndryshuar mënyrën se si zgjidhen përfaqësuesit e popullit nga kryetarët e partive, të cilët vendosin se kush do të jetë deputeti, kryetari i bashkisë, anëtarët e këshillave bashkiake dhe çdo drejtues tjetër në vend. “Zgjidhja” propozoi që këto t’i zgjidhte anëtarësia e partisë, përmes zgjedhjeve paraprake, ku çdo kush që donte të konkuronte dhe nëse merrte bakimin e bazës le të vijonte rrugën më tej, një praktikë të ndiqet në të gjitha demokracitë e zhvilluara.

Lulzim Basha, e rrëmbeu menjëherë këtë tezë dhe që një vit më parë premtoi se do t’ua kthente të drejtën qytetarëve shqiptarë, që t’i caktojnë ata vetë kandidatët për deputetë dhe në mënyrë ironike ftoi elektoratin që të bëjë propozime me shkrim për kandidatët për deputetë, por në fund do t’i zgjidhte “partia”. Ai e ka vijuar edhe më tej këtë tezë, për të fashitur revoltën brenda dhe jashtë partisë për cilësinë e dobët të grupit parlamentar, “Zgjidhja” ka kërkuar një reformë urgjente zgjedhore që të jetë e gatshme për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Mes të tjerave ajo veçon votimin dhe numërimin elektronik në qendrat e votimit. PD e mori edhe këtë tezë dhe bëri të sajën vetëm këtë pjesë, por jo çfarë vjen më pas për çlirimin e zgjedhjeve nga kthetrat e partive. Partia e Bashës, ashtu si ajo e Ramës nuk e përmend dhënien fund të emërimit të komisionerëve prej partive, sepse duan që ende të shqyejnë vota dhe t’i trafikojnë me njëritjetrin, siç bënë me votat në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, kur një rinumërim në Tiranë tregoi se 99 për qind e tyre ishin çapëlyer nga komisionerët e katër partive. Ndërsa “Zgjidhja” kërkon që këto komisione të jenë shtetërore dhe të mbushen me djemtë dhe vajzat më të mirë, më të ditur dhe më të ndershëm të vendit. Mbështetësit e ZGJIDHJA-s nuk iu bashkuan protestës së 27 janarit, ashtu si shumica e shqiptarëve, që nuk shohin ende te PD-ja e Lulzim Bashës, forcën politike që lufton për të mirën e popullit.

Kështu do të jetë në sytë e të gjithëve derisa ajo të mos distancohet hapur dhe realisht nga krimet që ka bërë PD-ja e Saliut në gati dy dekada pushtet. Asnjë qytetar nuk i beson Lulzim Bashës se po bën opozitë, jo aq për faktin se dje mori avionin për fluturimin e radhës, kur të shtunën vajtonte popullin e uritur, se sa për faktin se ai nuk ka dhënë garanci se do të bëjë sërish si më 18 maj marrëveshje nën rrogoz për të diktuar bashkë me Ramën zgjedhjet dhe për të mos kryer reformën zgjedhore, siç po bëjnë që nga nisja e legjislaturës së re në shtator 2017. Kjo parti e madhe opozitare do të bëhet e besueshme dhe propopullore, jo duke rrëmbyer dhe keqpërdorur tezat e “Zgjidhjes”, por duke i zbatuar realisht ato, me qëllim demokratizimin e qeverisjes dhe të shoqërisë shqiptare, kur kryetarët të lëshojnë nga thonjtë sovranitetin politik, për t’ua kthyer qytetarëve të thjeshtë. Tezat e “Republikës së re’, me të cilat Basha i mbajti njerëzit 90 ditë në “Çadrën e lirisë” , janë fiks tezat e “Zgjidhje”- s.

Kjo partia nuk është xheloze, dhe as ndihet e vjedhur nga PD-ja se ai merr tezat. Por ndjehet keq kur shikon se si qëllimi nuk është zbatimi i tyre, por t’i bastardojë ato dhe të manipulojë opinion publik. Është në dorën e këtij të fundit që të zgjedhë mes projektit real që ofron ‘Zgjidhja” dhe mashtrimeve që ofrojnë ata që duan të bëjnë përfitimet politike, sërish në kurriz të popullit. “Zgjidhja” nuk gaboi me qëndrimin e saj për të mos iu bashkuar protestës së 27 janarit dhe postprotesta, vërtetoi drejtësinë e qëndrimit të saj, se kjo protestë nuk bëhej për popullin, por për stanet e partive politike. Ajo i ftoi të bashkoheshin në protestat e naftëtarëve të Ballshit që duan vetëm punë dhe bukën e gojës, me fshatarët e Verrisë që nuk duan t’u helmohet jeta nga inceneratori i qeverisë, me studentët që nuk kanë me se të jetojnë dhe të paguajnë shkollën. Kjo është protesta ku duhet të jetë një opozitë e përgjegjshme dhe popullore.