Tatuazhi më i vjetër në botë, zbulohet në… (Foto)

Shkencëtarët kanë zbuluar tatuazhet më të vjetëra në botë me figurat e kafshëve në duart e dy mumjeve të lashta egjiptiane, bënë të ditur Muzeu Britanik.

Mumja e mashkullit kishte tatuazhin e demit dhe deles mbi bërryl ndërsa mumja e femrës kishte motive lineare dhe të lakuara mbi bërryl dhe në shpatullë.

Tatuazhet e shikuara në dritë natyrale i ngjanin njollave të errëta, por shkencëtarët në Muzeun Britanik dhe Fakultetin e Shkencave Orientale pranë Universitetit të Oxfordit, me ndihmën e fotografisë infra të kuqe zbuluan se fjala është për tatuazhe.

“Kjo në fakt na jep njohuri krejtësisht të reja për qëllimin e tatuazhit”, tha kuratori në Muzeun Britanik,Daniel Antoine.

“Vendndodhjet e këtyre tatuazheve mbi bërryl dhe shpatullë sugjerojnë se ato duhet të kenë qenë shumë të dukshme,” tha ai, duke shtuar se dëshmitë e deri tanishme të tatuazheve të para në Afrikë ishin mijëra vjet më të reja.

Mumjet u zbuluan para njëqind viteve në qytetin egjiptian Gebelein, rreth 40 kilometra në jug të Luxorit të sotëm. Janë nga viti 3351 deri në vitin 3017 para Krishtit, që është dhe periudha e Egjiptit të lashtë para se të bashkohej me Faraonin e parë

Shkencëtarët thonë se tatuazhi i gruas mund të ketë simbolizuar statusin, kurajon ose njohurit mistike, ndërsa tatuazhet e burrit sipas të gjitha gjasave kanë simbolizuar burrërinë dhe forcën.

Para këtij zbulimi, arkeologët besonin se në Egjipt vetëm gratë kishin tatuazhe, sepse tatuazhet ishin vetëm me figura femrash nga ajo periudhë.

Tatuazhet më të vjetëra që mbijetuan ishin gjeometrike, në kufomën e mumifikuar Otzi i cili ka jetuar para 5.300 vjetëve, dhe u zbulua e u ruajt në Alpet italiane në vitin 1991.

Hulumtimi u krye nga Antoine dhe Renee Friedman nga Oksfordi, dhe rezultatet u publikuan më 1 mars në Journal of Archaeological Science.

Të tjera

Abissnet