Tatimet u kërkojnë bizneseve të deklarojnë pagat reale të punonjësve

Publikuar më 04. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Pas kontrolleve në terren, tatimet, që janë në kulmin e aksionit antiinformalitet, e kanë përqendruar vëmendjen tek deklarimi i punonjësve dhe pagave reale të tyre.

Në një njoftim që u është dërguar së fundmi bizneseve, tatimet i kanë ftuar subjektet që të përmbushin vullnetarisht detyrimet tatimore, përmes vlerësimit të deklaratave. Konkretisht subjekteve u kërkohet ulja e tepricës kreditore; rritja e numrit të punonjësve të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore si dhe deklarimin real tëp agave të punonjësve të specializuar dhe të administratës.

Edhe më herët drejtues të tatimeve kishin paralajmëruar se do të përqendroheshin në deklarimin e pagave reale të punonjësve. Drejtoresha rajonale e Tatimpagueve të Medhenj gjatë një takimi pak javë më parë me Dhomën Amerikane pohoi se për sa i përket punësimit, kontrollet s’do të jenë më për sigurimin, por për nivelin e pagës.

Evazioni me mosdeklarimin e pagës reale është tepër i lartë në vend. Shumë subjekte i deklarojnë punonjësit me pagë minimale, ose me paga që janë larg asaj reale. Shqipëria mbledh si kontribute të sigurimeve shoqërore vetëm 5% të prodhimit të brendshëm bruto, niveli më i ulët jo vetëm në Europë, por edhe në rajon. Në vendet e rajonit kontributet e sigurimeve sjellin më shumë se 10% të PBB-së.

Ndonëse punonjësit sot mund të jenë të kënaqur me deklarimin e pagave më të ulëta, pasi marrin më shumë para cash, kjo mund t’u kthehet në bumerang në të ardhmen, pasi përfitimet për barrëlindjet për femrat dhe kur të dalin në pension do të jenë minimale. /Monitor/