Tatimet: Nxitoni, 30 dhjetori, afati i fundit për fshirjen e detyrimeve tatimore

Publikuar më 30. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

30 dhjetori është afati i fundit ku bizneset përfitojnë fshirje të plotë apo të pjesshme të detyrimeve që i kanë administratës tatimore nga implementimi i ligjit të faljes.
“Ju kujtojmë se data 30 Dhjetor 2017 është dita e fundit e zbatimit të Ligjit nr. 33/2017 “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes /shuarjes së detyrimeve tatimore”, për këtë qëllim të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore do të punojnë me orar të plotë zyrtar në të gjithë territorin”, shkruan DPT.
Administrata Tatimore i bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të shfrytëzojnë mundësinë e fundit për të përfituar nga falja e gjobave dhe kamatëvonesave, duke paguar më parë detyrimin tatimor (principalin e tatimit)./scan.tv