“Taso” dhe rezistenca e Gaz Lekës: Jemi të varrosur në GKA, fondi në vilat e pushtetarëve!

Publikuar më 15. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Piktori Gazmend Leka prezanton ekspozitën personale “Taso”. Nëpërmjet jetës artistike, të piktorit pogradecar Kostandinit, ai rrëfen se çfarë ndodh me një artist në periferi. Ndalet edhe te problematikat, që e shqetësojnë përsa i përket artit pamor.

“Historia është e thjeshtë! Një vit më parë, kur buzë gjolit të Pogradecit, dy miqtë e vjetër Gazi dhe Taso u takuan, një fotografi e zakonshme, si çdo foto e realizuar pa mendje (gati vjedhurazi), u premtua si subjekt për pikturë. E sikurse ndodh zakonisht, subjekti i kapërceu shpejt pritshmëritë e vetvetes, duke u shpërbërë në shumë copëza, si një hetim ekzistencial mbi vetë fenomenin”. Kjo është gjeneza, që kuratori Ermir Hoxha rrëfen për ekspozitën “Taso”, të cilën piktori Gazmend Leka e ka çelur në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Gazmend Leka rrëfen se kur është njohur për herë të parë me piktorin pogradecar Anastas Kostandini (Taso). Ai në tregon se kjo ekspozitë vjen dhe si kundërpërgjigje e lajmit: “Shqipëria po zbrazet!”. Një lajm, që artisti e konsideron të tmerrshëm, pasi sheh se nga vendi i tij po ikin intelektualët dhe doktorët. Por Leka nuk e lë me kaq, ai ndalet edhe te problematikat, që e shqetësojnë, si artist, për shkak të politikës, që ndihet në artet pamore.

Zoti Leka, riktheheni me ekspozitën “Taso”. Cila është zanafilla e kësaj ekspozite?

Taso për mua është një figurë polivalente. Me të jam njohur në Lice Artistik. Ishte një vizatues i jashtëzakonshëm, vizatonte si Rafaeli. Njihemi prej 40 vitesh, por kjo ekspozitë, nisi para një viti. Së pari, sepse kemi ruajtur një raport të ngushtë me njëri-tjetrin, si miq. Së dyti, sepse Taso është një njeri, që rri në provincë, sepse dëshiron që provincën ta kthejë në qendër. Së treti, sepse Taso është dhe një qytetar shumë i ndërgjegjshëm.

Kjo ekspozitë vjen në një ditë, si kjo e sotmja (dje), ku unë dëgjova një lajm të tmerrshëm se: “Shqipëria po zbrazet!”. Mendova se ky është momenti i duhur, sepse tregoj se si një njeri po reziston në pozicionin e tij, si familjar dhe një qytetar i mirë. Shpeshherë ne i kemi ofruar këtij piktori të vijë në Tiranë, por ai do të rrijë në qytetin e tij, Pogradec, sepse edhe pse e konsideron veten një piktor të provincës, ai thellë-thellë e di shumë mirë, që artistët kanë një fuqi aq të madhe, sa periferinë mund ta bëjë qendër, ashtu siç e kanë bërë Mitrushi dhe Lasgushi në letrat e tyre.

A është kjo ekspozitë, një mënyrë për të evidentuar vlerat e një artisti, pavarësisht se ku jeton ai?

Ekspozita ime titullohet “Taso” dhe është për një piktor të identifikueshëm, megjithatë sërish jam marrë shumë me simbolet. Tason e zgjodha, si një piktor  paraekselencë, sepse për mua edhe pse është maja e artistit unë sërish e quaj një simbol apokrif, që nuk është ende i dukshëm, aq shumë sa e njoh unë. Vepra që ruan në studio do të njihet më vonë.

Pra modestia e Tasos, si individ ka ndikuar në hapjen e kësaj ekspozite?

Taso është një intelektual me sensibilitet shumë të lartë, por është shumë modest. Ai kur të përshkruan gjërat këtë e bën me një frekuencë shumë të lartë intelektuale. Modestia që e karakterizon lidhet me mençurinë e tij. Për këtë e respektoj dhe më shumë.

Ju jetoni në qendër, keni privilegje për këtë, si artist?

Sot nuk ka ndonjë ndryshim të madh se ku jeton! Me një makinë Taso vjen këtu për dy orë dhe kthehet sërish në vendlindje. Ne nuk është se gjithë kohës shkojmë në opera apo në aktivitete të tjera artistike, prandaj dhe ai kur dëgjon për diçka të mirë vjen dhe i shikon. Taso ka shumë kontakte dhe me botën jashtë vendit, shpeshherë shkon në Francë. Atje gjithë kohës vizaton dhe kur kthehet vjen me një pasuri shumë të madhe. Por Taso është komplet një artist i pavarur, që e njeh shumë mirë territorin, gurët vendit dhe vendin ku jeton. Taso e do natyrën shumë, është tamam si fëmijët e vegjël, që prishin dhe bëjnë lojërat, sipas mënyrës së tyre. Është shumë ekologjikë. Ndonjëherë i them me shaka se ka mbetur eseist i përjetshëm, student i përjetshëm, sepse raportin me objektin jashtë tij e ka shumë të madh, shumë mistik. Në gjithçka sheh natyrën.

Më lartë përmendët një titull lajmi, që iu ka ngacmuar: “Shqipëria po zbrazet!”. Si dhe sa e ndieni këtë në fushën e artit?

Ajo, si shprehje është e tmerrshme! Sigurisht që, kjo është një zbrazje numerike dhe cilësore. Kjo nuk diskutohet. Por njerëzit që kanë mbetur këtu mund ta përballojnë shumë mirë Shqipërinë, nëse ky vend drejtohet mirë. Njerëzit që jetojnë këtu janë të gatshëm të sakrifikojnë, sikundër kanë bërë tërë jetën. Unë nuk mendoj se kam sakrifikuar jetën për ndonjë akt heroik, sepse pothuajse gjithë jeta jonë është e ndarë në akte heroike; vështirësitë e jetës janë të ndryshme. Por kemi bërë punën tonë, si shumë njerëz të tjerë, që kanë kontribuar për këtë vend. Kështu që nga kjo pikëpamje, Shqipëria nuk ka për t’u zbrazur kurrë. Por kur ti dëgjon se po ikin doktorë dhe intelektualë, për të cilët Shqipëria ka aq shumë nevojë për ta, thjesht më vjen shumë keq. Jam i tronditur nga kjo gjë!

Gjithashtu po afron edhe ekspozita ndërkombëtare “Onufri”. Kësaj here drejtohet nga një kurator i huaj, i vetmi që konkurroi. Çfarë po ndodh me këtë aktivitet, që ju keni qenë kuratori i saj i parë?

Na larguan!

Kush ju largoi, sepse pjesëmarrja është e hapur për këdo?

Nuk e di, por na larguan institucionet! Dikur “Onufri” ka qenë një manifestim i arteve figurative në Shqipëri. Në ato ditë unë si Gazmend Leka shihja dhe një piktor, që ishte në Konispol edhe një që ishte në Vermosh. Mua më interesonte, që të dija shumë, se arti nuk bëhet vetëm në Tiranë apo te “Blloku”. Kjo më intereson mua, qoftë dhe për raportin që kam me këtë vend, por ata e bën ndërkombëtar. Për këtë nuk kam qenë asnjëherë dakord. E kam kundërshtuar dhe kam sugjeruar, por në këtë mënyrë prenë krahët e shumë artistëve, të cilët nuk marrin dot pjesë. Duke e bërë aktivitet ndërkombëtar dominon një tjetër zë. Ata sjellin edhe parashutistë, që zbresin në këtë vend, pa njohur asgjë! Mund të jenë dhe personalitete në vendet e tyre, por këtë unë nuk e di, sepse më intereson më esencialja këtu. Ky kurator, që vjen këtu dy-tre ditë, merr ca para edhe i fut në xhep. Ndërton një ekspozitë, sipas qejfit të vet dhe nuk merr parasysh absolutisht asgjë se çfarë ndodh në Shqipëri. Në radhë të parë nuk ka kohë, që të vizitojë studiot e artistëve apo të shikojë dosjet e tyre. Unë nuk kam marrë asnjë ftesë që të dorëzoj dosjen në konkursin “Onufri”.

Pjesëmarrja është e lirë?

Mbase është bërë shpallje publike, ose unë jam i pavëmendshëm, sepse kur institucioni qëndron ftohtë ndaj teje, këtë do ta bëj edhe unë. Por nëse këtë e bëj unë që jam shumë aktiv në jetën artistike, mendoni për një njeri që jeton më tutje. Këto sugjerime që u kam bërë, nuk ua bëj më, sepse nëse nuk të dëgjojnë, përse duhet që ta bësh më këtë gjë. Unë kam qenë kuratori i parë i “Onufrit”, por për mua nuk është më ai që kemi bërë apo që ndërtuam.

Po përsa i përket veprave të artistëve, që ruhen në fondin e GKA-së, çfarë mendoni?

Sot kati i tretë i Galerisë Kombëtare është bosh. Nëse hyn shikon vetëm një pikturë, që ka qenë në vitet ‘900, atë të realizmit socialist që është plot dhe një pavijon shumë i mirë që më në fund është bërë për vizatimet. Por nuk ka asnjë vepër të pas viteve ’90-të, të duket sikur Shqipëria ka vdekur dhe nuk ka më artistë. Dikur i jam drejtuar ministres së Kulturës, duke i thënë: “Ne jemi si Zombi as të kësaj bote dhe as të asaj bote, ne kemi vepra në GKA, por ato vepra janë të varrosura. Me emër, që jemi atje njihemi, por ne jemi të varrosur. Kjo është një gjë shumë e thjeshtë, që pikturat të merren edhe të vendosen nëpër muret e GKA-së, që edhe një i huaj, që vjen të kuptojë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Unë mendoj, të më falë se kujt i djegë lëkura, por që kjo është bërë me qëllim. GKA nuk ka blerë një vepër në kaq vite. Unë këtë e quaj masakër, që të marrësh fondin e GKA-së për t’i çuar nëpër vilat e pushtetarëve lart e poshtë nëpër Shqipëri. Kur e dëgjova për herë të parë se po mblidheshin veprat, thashë: “Shyqyr!”. Por më thanë: “Po, u mblodhën 100, por po shpërndahen 200”. Kjo nuk normale. Duhet që të bësh porosi dhe të kesh fondin tënd, jo të marrësh fondin e GKA-së. Kjo gjë bëhej në kohën e Enverit, që ishte pronë e partisë edhe e qeverisë, ndërsa tani GKA është një institucion.

Dhe së fundmi, me çfarë do të merreni pas “Tasos”?

Kur bëra Tason kam bërë edhe një cikël paralel, që i kam titulluar “Jeta si teatër”, por kam bërë dhe disa punë sporadike, ku me një prej tyre do të marrë pjesë tek ekspozita “Nëntori”.