Tare përmend dy emra, blerja më e mirë dhe pengu i merkatos

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Drejtori Sportiv më i vlerësuar në Itali, shqiptari Igli Tare ka dhënë një intervistë për “Radio 6” ku ka zbuluar disa nga goditjet e tij të suksesshme në merkato, si dhe ato që mund të konsiderohen si “pengje”.

Kur pyetet për emrin më të rëndësishëm që ka firmosur së fundmi me Lacion, Tare e ka përgjigjen në majë të gjuhës.  “Sigurisht Milinkovic Savic. Jo vetëm se është një prej talenteve më të mira që qarkullojnë sot në futbollin evropian, por edhe sepse arrita që të finalizoj një marrëveshje besimi që në fillim. Nuk ka as më të voglin dyshim që kjo është Lacio më e fortë që kam ngritur”.

Ndërsa, sa i takon emrave për të cilët ndjen keqardhje, Tare përmend emrin e bomberit të PSG-së Edinson Cavani.

“Padyshim keqardhja më e madhe është Cavani. Në atë periudhë nuk kishte politika të sakta për të realizuar një transferim nga Palermo te Lacio”.

Ndërkohë duke qëndruar tek e tashmja, Tare ka në duar një kontratë që nuk e ka mbyllur ende dhe është pikërisht ajo e qendërmbrojtësit holandez De Vrij. “Është e rëndësishme që të kemi grupin të bashkuar. Kritikat janë gjithnjë konstruktive. Është e gabuar të pranosh me kokë ulur, pas vështirësive të para. Por edhe kjo rrit kualitetin. De Vrij do të qëndrojë dhe do ta shihni që kështu do të jetë”, përfundoi Tare.