“TAP shkeli të drejtën e pronës në kompensimet e fermerëve shqiptarë”

Publikuar më 04. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Ivana Dervishi

Rrjeti i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mjedisit në Europën Qendrore dhe Lindore dhe Komiteti i Helsinkit në Shqipëri vërejnë parregullsi procedurale të shumta nga Gazsjellësit Trans-Adriatik. Detyruan fermerët që të pranojnë kompensimin përballë kërcënimit për shpronësim nga shteti

Një raport i publikuar të enjten nga Bankëatch zbuloi se pronarët shqiptarë të tokave të prekura nga Gazsjellësi Trans-Adriatik, TAP janë kompensuar në mënyrë të zhdrejtë dhe jotransparente. Sipas monitorimit të kryer në maj 2017 nga rrjeti i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mjedisit në Europën Qendrore dhe Lindore, Bankëatch, dhe Komiteti i Helsinkit në Shqipëri u vërejtën parregullsi procedurale të shumta nga ana e TAP. “Përveç niveleve të pamjaftueshme të kompensimit, shkeljet që kemi mësuar varionin nga procesi jo-transparent i kompensimit te mungesa e ndihmës ligjore dhe administrative dhe te intimidimi dhe parregullsitë e dyshimta në procesin e certifikimit të tokës, ku kompania është përfshirë,” thuhet në raportin e Bankëatch.

“Bazuar në gjetjet tona, TAP ngre shqetësime serioze në lidhje me përputhjen me të drejtën themelore të pronës së individëve,” vazhdon raporti. Bankëatch thotë se ashtu si në vitin 2016, edhe në 2017-ën ende shumica e fermerëve ishin të pakënaqur dhe pretendonin se kompensimi nuk mbulonte humbjet e të ardhurave të tyre dhe pronës. Mungesë transparence është vërejtur nga raporti edhe në normat e kompensimit në kontratat individuale të fermerëve, ku nuk është i qartë kompensimi për hektar apo pemë. Marrëveshjet e kompensimit të paraqitura te fermerët nuk përmendin fitimin e munguar nga asetet e patundshme, të cilat duan një kohë të gjatë të sjellin përfitime.

“Ndryshe nga deklaratat e TAP, asnjë nga dhjetëra oferta kompensimet e ofruara nga TAP nuk ofrojnë detaje për asetet e kompensuara, por vetëm një shumë totale të parcelës së prekur,” thotë raporti. Kontaktuar nga BIRN, TAP argumentoi se i përmbahet besimit të vet për transparencë, dialog dhe krijimit të marrëdhënieve afatgjata me të gjitha komunitetet e prekura. “Personat e prekur janë konsultuar në lidhje me të drejtat e kompensimit dhe mënyrën e llogaritjes,” u shpreh zyra e Gazsjellësit Trans-Adriatik në Shqipëri, duke listuar fazat e krijimit të normave të kompensimit, prezantimit të tyre, gjatë inventarit të aseteve personale, në takimin e komunitetit për kompensimin dhe takimet individuale të kompensimit. Tubacioni Trans-Adriatik është pjesa më perëndimore e Korridorit Jugor të Gazit, një projekt gazsjellësi që synon të dërgojë gazin nga Azerbajxhani në Europë. Gazsjellësi TAP kalon në Greqi, Shqipëri dhe përmes detit Adriatik shkon në Itali. Në të tjera vendet, njerëzit e prekur kanë shprehur kundërshtime ndaj projektit.

Duke qenë se konsiderohet një “projekt me interes të përbashkët” nga BE dhe Unioni Energjetik, projekti aktualisht po merret në konsideratë për të huazuar një kredi gjigande prej 2.5 miliard eurosh nga Banka Europiane e Zhvillimit dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Për të përfituar nga kjo kredi, TAP duhet t’u nënshtrohet standardeve të institucioneve financiare ndërkombëtare për kompensimin, sipas të cilave kompensimi duhet të llogaritet në bazë të vlerës së tregut dhe të përfaqësojë zëvendësim të plotë të vlerës, përfshirë humbjen e të ardhurave derisa të kthehet toka në prodhim të plotë dhe të ofrohen investimet e nevojshme fillestare si farat e reja dhe infrastruktura bujqësore.

Raporti i Bankëatch ngre të tjera dyshime lidhur me certifikatat e pronësisë, ku TAP pati akses në Zyrën e Regjistrimit të Pasurisë së Patundshme për të krijuar dhe përditësuar të dhëna kadastrale brenda korridorit të gazsjellësit. Raporti thotë se pati raste të ndryshimeve të kufijve dhe madhësisë së tokës në certifikatat e reja që lanë të pakënaqur dhe pa shpjegime pronarët. Ai vëren se pronarëve të tokave iu shkel e drejta e pronës sipas ligjit shqiptar dhe të drejtave ndërkombëtare përmes deprivimit arbitrar të pronës.

Raporti ngre pikëpyetje pse TAP pati akses në ndryshimin e të dhënave kadastrale në përfitim të vet pa autoritet mbikëqyrës dhe pse nuk iu dha shpjegime personave të prekur për ndryshimet dhe kompensimet e humbjes së tokës. Pa ndihmë dhe pa mundësi ankimi, personave të prekur nga gazsjellësi nuk iu ofrua ndihmë ligjore dhe administrative e paanshme, thotë Bankëatch, duke shtuar se në disa raste fermerët që i rezistuan nënshkrimit të marrëveshjes me TAP u kërcënuan se do t’u shtetëzohej prona. “Rezistenca u pakësua nga TAP përmes referimit të procesit kombëtar të shpronësimit që do të aplikohej në rast të refuzimit të kompensimit. Kjo u konsiderua si kërcënim nga fermerët, të cilët hoqën dorë nga ankimet nga frika e dhunës së autoriteteve shtetërore,” thotë raporti.

Nga ana e tij, TAP i tha BIRN se i përgjigjet të gjitha ankesave brenda 7 ditëve dhe merr kohë për të hetuar çështjet e tyre dhe për të kthyer një përgjigje përfundimtare brenda 30 ditëve nëse e lejon natyra e ankimit. Projekti ndërkombëtar TAP kalon në Greqi, Shqipëri dhe Itali, ku duke krahasuar metodologjinë e kompensimit fermerët shqiptarë pretendojnë se janë diskriminuar krahasuar me fqinjët e tyre grekë. Sipas Bankëatch parimet e përgjithshme të kompensimit të propozuara nga TAP janë thuajse të njëjta në të dyja vendet dhe nuk ka asnjë shpjegim përse ka dy formua të ndryshme për këto vende në lidhje me kompensimin. Së fundmi, Bankëatch i bëri thirrje institucioneve financiare europiane që të mos e mbështesin një projekt që shkel të drejtat e njeriut.

“Bazuar në gjetjet tona në Shqipëri, TAP ngre shqetësime serioze në lidhje me respektimin e të drejtës thelbësore të pronës,” thotë ai. Rrjeti Bankëatch rekomandoi që të krijohet një grup pune që do të shqyrtojë metodologjinë e kompensimit në mënyrë që projekti TAP të mos dëmtojë mjetet e jetesës së personave të prekur. Gjithashtu “TAP dhe kompania AG duhet të ofrojë kompensime shtesë për rastet kur pronarët nuk kanë marrë kompensimin e plotë bazuar në vlerën e tregut, përfshirë humbjen e të ardhurave deri në prodhimin e plotë dhe investimet e nevojshme fillestare”. Bankëatch gjithashtu kushtëzon TAP në marrjen e borxhit europian derisa të informojë të prekurit për mekanizmat e ankimimit, si dhe derisa të rishqyrtojë marrëveshjet me pronarët e tokave në mënyrë që këto të respektojnë standardet shoqërore dhe ligjin ndërkombëtar, përfshirë të drejtën e pronësisë. Rrjeti i kërkoi TAP AG të japë informacion për ankesat e marra dhe mënyrën si janë zgjidhur ato.