Tanja Porja: Kujdes nga moti, ky dimër do të jetë i çuditshëm

Publikuar më 02. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Xhensila Demollaj

“Meteoalb” jep lajmin e mirë  se më e keqja ka kaluar, por sërish duhet të kemi kujdes. Sipas sinoptikanes  dimri do të jetë me kohë të paqëndrueshme, çka do të thotë se duhet të përgatitemi edhe për ditë me shumë shi, po ashtu edhe për temperatura shumë të ulëta

Znj. Porja si do të jetë moti në ditët në vijim?

Reshje të pakta do të ketë në zonat veriore dhe pjesën më të madhe të qendrës, ndërsa zonat jugore dhe një pjesë e qendrës, ajo pjesë e lumit Shkumbin mbeten të mbërthyera nga shirat e intensitetit mesatar dhe të larta. Pas mesnatës pritet që reshjet të pakësohen dukshëm në Veri dhe në qendër, ndërsa juglindja mbetet ende me reshje të intensitetit mesatar. Gjatë natës dhe mëngjesin e ditës së shtunë, moti paraqitet i vranët dhe shirat do të jenë të paktë në pjesën më të madhe të territorit.

Mbrëmja e të shtunës dhe kryesisht mesnata sjellin një fuqizim të përkohshëm të reshjeve në gjithë territorin, por kryesisht në zonat veriore dhe qendrore, ndërsa pjesa tjetër e territorit mbetet me reshje të pakta. Sigurisht që gjatë ditës së shtunë do të kemi edhe kthjellime të përkohshme të motit. Ndërsa, temperaturat do të kenë një rënie me 2-3 gradë të shtunën dhe të dielën. Kjo rënie vijon graduale edhe gjatë javës së ardhshme duke rikthyer në zonat malore edhe temperature 3-4 gradë nën zero.

Si do të jetë java e ardhshme?

Të hënën do të ketë vranësira dhe reshje të pakta të izoluara në territorin. Gjatë pjesës së dytë të së hënës ka një përmirësim të dukshëm të motit në të gjithë vendin. E marta, e mërkura dhe deri të enjten në mbrëmje pritet që moti në Shqipëri të jetë i kthjellët, por relativisht i ftohtë.

Sa ka qenë mesatarja e reshjeve në disa zona?

Në zonat qendrore, reshjet e rëna gjatë ditës së djeshme kanë variuar nga 110-160 milimetër. Ndërsa, pas mesnatës dhe deri sot në mbrëmje kanë shënuar nga 50-70 milimetër. Në një total reshjet e kësaj ngjarje, zonat qendrore kanë marrë deri në 170 milimetër shi. Ditën e djeshme zonat jugore kanë pasur reshje të pakta dhe mesatare. Deri në mesnatë kanë marrë diku nga 20 milimetër juglindja deri në 70 milimetër, Vlorë, Saranda dhe Gjirokastra, ndërsa pas mesnatës, deri në këto momente që flasim, reshjet kanë kaluar 108 milimetër në Vlorë, rreth 117 milimetër në Sarandë dhe 130 milimetër në Gjirokastër vetëm sot, por deri në mesnatë kjo zonë kap 200 milimetër. Në Veri, reshjet kanë rënë kryesisht gjatë ditës së enjte, ndërsa sot ka pasur reshje të pakta maksimalisht 40 milimetër, ndërsa verilindja ka qenë rreth 70 milimetër shi.

A është ky shiu më i madh që ka rënë në këto zona, të paktën dy vitet e fundit?

Është i krahasueshëm, ndërkohë presim të përfundojë kjo periudhë që të marrim edhe të dhënat e sakta, por janë shumë të ngjashme me reshjet e vitit 2015.

Një lajm të mirë për kohën, kur vijnë ditët me diell?

Dielli rikthehet të hënën, pasdite vonë. Nga e marta, e mërkura dhe e enjtja do jetë shumë ftohtë. Ky dimër kështu do jetë, fut xhup, nxirr xhaketë, deri në mars.