Taksat e vitit 2019, zyrtarizohen ndryshimet

Paketa fiskale e vitit që vjen është hartuar nga Ministria e Financave me dokumentet përkatëse. Tatimi mbi të ardhurat prek 15 mijë individë, ndërsa rishikohet tatimi mbi dividentit për korporatat
Neritan Gjergo

Edhe pse konsultimet me biznesin nuk janë mbyllur ende, Ministria e Financave ka gati ndryshimet ligjore të paketës fiskale për vitin 2019. Sipas draftit, ndryshimi më i qenësishëm është ulja e tatimit mbi dividendin në nivelin 8% nga 15% që është aktualisht. Sipas kësaj pakete aplikimi i këtij niveli të ri do të vlejë dhe për fitimet e pashpërndara të vitit 2017. Ndryshim tjetër i rëndësishëm është rritja e fashës së personave që u tatohen të ardhurat me 13% nga 130 mijë lekë në nivelin e ri të 150 mijë lekë. Sipas relacionit të ministrisë ky ndryshim do të prekë 15400 individë. Me tej paketa e re fiskale propozon dhe uljen e TVSH në 10 për qind për transportin publik në ato automjete që kanë kapacitet mbi 10 persona. Si dhe parashikon ulje në 6% të furnizimit të shërbimit të reklamave në media audiovizive. Gjithashtu paketa përmban edhe ndryshime të tjera në nivelin e akcizës për duhanin ku propozohet rritje në masën 6000 lekë/kg nga 4400 lekë/kg që është aktualisht. Për tarifat doganore propozohet unifikim në masën 10%, për të gjitha kodet 8-shifrore të kategorisë 8418 (njësi frigoriferike) të NKM, me qëllim krijimin e një konkurrence të drejtë dhe të ndershme, për të gjithë importuesit që operojnë në këtë veprimtari. Ndërkaq, Një propozim i rëndësishëm ka të bëjë me zgjerimin e bazës së tatimit në vend. Ndryshimet e propozuara synojnë që të ardhurat e realizuara nga shitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e aseteve, të drejtave nga zotëruesit e tyre, pavarësisht kompleksitetit të strukturës së pronësisë, dhe që janë të lidhura me asete/të drejta të vendosura në territorin e Republikës së Shqipërisë, duhet të tatohen në Shqipëri (ashtu sikundër tatohen ndryshimet e pronësisë të drejtpërdrejta brenda territorit të vendit. Qeveria ka menduar edhe disa ndryshime në ligjin e procedurave tatimore që synon lehtësimin e procedurave tatimore, për tatimpaguesit dhe mbylljen e hapësirave për shmangie tatimore apo evazion, si dhe reduktim të kostove për biznesin.

Drafti

Sipas projektligjit, në nenin 33 “Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat”, pika 1 ndryshohet me përmbajtjen si vijon: “1. Të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore e vendore, organizatat jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim nga shuma bruto e pagesave të mëposhtme, që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë sipas shkallëve të mëposhtme: 1.1. 15 për qind për: 1. a) interesat dhe pagesat e ngjashme me to: 2. b) pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale: 3. c) pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet e konsulencës, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit: ç) pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues: 1. d) pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to: 2. dh) pagesat për qiratë: 3. e) pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave, të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre: ë) të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë: 8 për qind për: 1. a) dividendët: 2. b) ndarjet e fitimit”. Në nenin 38 “Dispozita kalimtare”, shtohet pika 9 me përmbajtjen si vijon; “9. Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2017 e më parë, me kusht që këto fitime të mos jenë kapitalizuar”.

Kërkesat e prodhuesve

Ligji për procedurat tatimore duhet të rishikohet pasi ka shumë mbivendosje dhe përplasje të neneve të cilat shkaktojnë probleme për biznesin gjatë inspektimeve. Kjo është një nga kërkesat zyrtare të Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë drejtuar Ministrisë së Financave në kuadër të paketës fiskale. “Mund të jetë hera e nëntë apo e dhjetë që ne e prekim këtë ligj dhe po ta shikoni tek ky ligj çdo ndryshim pasqyrohet me ngjyra të ndryshme. Ka ardhur koha që në mënyrë integrale ta rishikojmë, ta debatojmë, ta konsultojmë dhe të kemi njëherë e mirë një ligj të thjeshtë, një ligj të kuptueshëm, një ligj i cili zbatohet shumë lehtë”, thotë Arben Shkodra, zv/president i Shoqatës së Prodhuesve. Për të qenë më konkurrues me rajonin, prodhuesit shqiptar kanë kërkuar gjithashtu një rishikim të taksës për infrastrukturën dhe taksën e banesës. “Të marrin në konsideratë për një taksim ndryshe të gjitha stabilimentet, ndërtesat, veprimtaritë ekonomike prodhuese në vend duke mos i parë të njëjta si pallatet, apartamentet që ndërtohen apo magazinat, stabilimentet e importuesve”.

Dividenti ulet në 8 %, efektet për bizneset

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, reduktimi i normës së dividendit nga 15 % në 8 %, prezantohet si një masë e cila do ulë ngarkesën fiskale të investitorëve, duke nxitur alokimin më të shpejtë të kapitalit në ekonomi apo shtimin e konsumit. Krahas nevojës për riinvestime dhe rritje kapitali nga ana e shoqërive, është e rëndësishme edhe lëvizja efikase e kapitalit financiar dhe nxitja e diversifikimit të portofoleve nga investitorët. Aktualisht norma e tatimit mbi dividendin prej 15 %, duke u kombinuar me normën e tatimit mbi fitimin korporativ 15 %, prodhon një ngarkesë fiskale prej 27.75 % për investitorët.

Ndryshimet

Neni 1, parashikon se do të konsiderohen të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë, të ardhurat nga pasuria e paluajtshme, të ardhurat që rrjedhin nga të drejtat mbi pasurinë e paluajtshme që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, nga të drejtat për shfrytëzimin e pasurive minerale, nga të drejtat për shfrytëzimin e pasurive hidrokarbure ose nga të drejta të tjera për shfrytëzimin e burimeve natyrore nga toka ose deti brenda sovranitetit të Republikës së Shqipërisë. Pika 2 e këtij neni përcakton si të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe të ardhurat nga tjetërsimi i pasurisë dhe të drejtave, si dhe nga tjetërsimi i aksioneve ose interesave të ngjashme, siç janë interesat në ortakëri ose kudo që ndodhen, në qoftë se, në çdo kohë gjatë 365 ditëve para tjetërsimit, këtyre aksioneve ose interesave të ngjashme ju rrjedh më shumë se 50 për qind e vlerës direkt ose indirekt nga pasuria e paluajtshme, të drejtat ose informacioni, të vendosura në Shqipëri. Gjithashtu, ky nen parashikon qartësimin e konceptit se të ardhurat e një personi jorezident, të përfituara si rezultat i pagesave të kryera nga një person rezident shqiptar, për shërbimet e kryera nga ky person jorezident, do të konsiderohen të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2 përmban zëvendësimin e pasqyrës nr. 1 me pasqyrën nr. 1 që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij, me qëllim ndryshimin e tatimit për të ardhurat nga punësimi për kategorinë e punëmarrësve me të ardhura mbi 130.000 lekë në muaj. Gjithashtu, përcakton se tatimi për të ardhurat nga dividendët për individët bëhet në shkallën 8 për qind.

Neni 3 përfshin në fushën e veprimit të tatimit mbi fitimin çdo person jorezident që aktualisht nuk është pjesë e këtij neni, dhe që nuk i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat”

Neni 4, përfshin në parashikimet për shpenzimet e panjohura dhe shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50 për qind të fondit të pagës bruto vjetore, me qëllim ruajtjen e bazës së tatueshme.

Neni 5, parashikon se nëse gjatë një periudhe tatimore pronësia direkte dhe / ose indirekte e kapitalit aksionar ose e të drejtave të votimit të një personi juridik ndryshon me më shumë se 20% në vlerë ose numër aksionesh, personi juridik trajtohet si të jetë duke shitur një pjesë proporcionale të të gjitha pasurive të tij menjëherë përpara ndryshimit. Personi në këtë rast trajtohet si; a) përfitues i të ardhurave nga shitja, e barabartë kjo me pjesën proporcionale të vlerës së tregut të aktivit në atë kohë; dhe b) riblerës i aktivit për të njëjtën vlerë. Në këtë nen gjithashtu, parashikohet detyrimi për njoftim që personi juridik ka ndaj administratës tatimore në rast të një ndryshimi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të pronësisë prej 10% ose më shumë.

Neni 6, parashikon se një personi jorezident, me qëllim pagesën e tatimit në R.SH., i kërkohet të përgatisë një deklaratë të të ardhurave të tatueshme dhe deklarata duhet të dorëzohet sipas afateve të përcaktuara në Ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat në R.Sh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet