Taksa progresive edhe mbi të ardhurat, sa do të mbahet

Publikuar më 07. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Sipas skemës së re, të gjitha të ardhurat bashkohen në një bazë të vetme, mbi të cilën pastaj zbatohet taksa progresive 0, 13 ose 23 për qind. Formula me shembujt se si do të vilet taksa sipas rastit

Qeveria po planifikon që të zgjerojë taksimin progresiv edhe mbi të ardhurat e tjera shtesë, përpos pagave. Lajmin e ka bërë të ditur dje nga Komisioni i Ekonomisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili, duke iu referuar projektligjit që po hartohet, tregoi edhe bazën e llogaritjes sipas nivelit të të ardhurave. “Do të përfshijë të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo si tani të fragmentuara. Çdo e ardhur do të përllogaritet si një e tërë në periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma”, deklaroi ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Mënyra sesi ndryshon barra e taksës varet nga niveli i të ardhurave. Por, përgjithësisht, për një individ që ka të ardhura nga paga dhe qiraja mbi 160 mijë lekë në muaj, barra rritet.

Ndërsa për ata që i kanë të ardhurat nën këtë nivel, taksa ulet. Më konkretisht qeveria propozon se, nëse një person, i cili aktualisht ka një pagë 130 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja 30 mijë lekë në muaj. Për këtë individ, taksa rritet. Ajo shkon nga 17 mijë e 500 lekë në muaj, që është aktualisht, në 19 mijë e 900 lekë në muaj. Pra, 2 mijë e 400 lekë më shumë në muaj. Rasti i dytë është një individ tjetër, i cili e ka pagën 60 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja po 30 mijë lekë në muaj.

Për këtë qytetar, taksa ulet. Ajo shkon nga 8 mijë e 800 lekë në muaj, që është aktualisht, në 7 mijë e 800 lekë, duke u ulur me 1 mijë lekë në muaj. Aktualisht, qeveria takson progresivisht vetëm pagat, ndërsa të ardhurat e tjera, si qiraja apo e drejta e autorit taksohen me normë fikse, 15 për qind. Sipas skemës së re, të gjitha të ardhurat bashkohen në një bazë të vetme, mbi të cilën pastaj zbatohet taksa progresive 0, 13 ose 23 për qind, në vartësi të nivelit të të ardhurave.

Debatet

Në debatin për që u zhvillua për buxhetin, opozita ka kundërshtuar paketën fiskale për 2018. Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë deputetët demokratë janë bërë pjesë e diskutimeve të ndryshimit të taksave. Nënkryetarja Jorida Tabaku kërkoi që lehtësirat fiskale në sektorin e turizmit të bëhen edhe për bizneset e vogla, gjë që u mbështet edhe nga të majtët.

Për të gjithë paketën fiskale sigurisht që vota jonë është kundër ashtu sikurse është kundër dhe për buxhetin. PD do të marrë masa për të shkuar disa nga këto ligje edhe në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Tabaku. Rezerva deputetët kanë pasur edhe për aplikimin e taksës së banesës. Mazhoranca ka kërkuar që pensionistët të mos përfshihen. Mos do të ishte më mirë që kjo taksë të vendoset pasi ta kemi plotësuar këtë kadastër, të shohim efektet që do të sjellë kjo taksë për zona të ndryshme dhe kategori të ndryshme”, tha deputeti i LSI-së, Edmond Haxhinasto.

Më pas, mbledhja vijoi me qëndrimin e relatorit  të projektbuxhetit të vitit 2018, Anastas Angjeli, i cili tha se  projektbuxheti është pjesë e programit buxhetor afatmesëm dhe përcakton në mënyrë të harmonizuar politikat dhe treguesit për vitin e ardhshëm bazuar në politikat e tre viteve 2018-2019-2020. Gjatë fjalës së tij, Angjeli theksoi se projektbuxheti vjen në përputhje me kuadrin ligjor, rregullator për financat publike, ku bëjnë pjesë strategjia e menaxhimit financiar 2014-2020, kuadri makroekonomik, programi i qeverisë, politikat dhe prioritetet dhe ligji për menaxhimin e sistemit buxhetor.

“Ne jemi një vend që aspirojnë hapjen e negociatave me BE dhe që gjatë këtyre 27 viteve bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare në të gjitha drejtimet ka qenë edhe i domosdoshëm edhe i nevojshëm, dhe padyshim është realizuar. Në këtë mënyrë edhe në fushën ekonomiko-financiare, sidomos për dokumentin kryesor të shtetit, kemi opinionin e këtyre institucioneve ndërkombëtare që mbështesin objektivat kryesore makro ekonomike, financiare dhe të zhvillimeve sociale në vend. Kështu që dokumentet kryesore të KE, FMN, BB dhe opinioni i tyre, është një mbështetje tjetër për të garantuar objektivat e përfshirë në projektbuxhetin e viti4t 2018”,  vuri në dukje relatori Angjeli.

Shembujt

Rasti i parë është një individ, i cili aktualisht ka një pagë 130 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja 30 mijë lekë në muaj. Për këtë individ, taksa rritet. Ajo shkon nga 17 mijë e 500 lekë në muaj, që është aktualisht, në 19 mijë e 900 lekë në muaj. Pra, 2 mijë e 400 lekë më shumë në muaj.

Rasti i dytë është një individ tjetër, i cili e ka pagën 60 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur nga qiraja po 30 mijë lekë në muaj. Për këtë qytetar, taksa ulet. Ajo shkon nga 8 mijë e 800 lekë në muaj, që është aktualisht, në 7 mijë e 800 lekë, duke u ulur me 1 mijë lekë në muaj.

Rasti i tretë është një individ i cili siguron të ardhura nga paga plus qiraja, ose vetëm nga kjo e dyta, 30 mijë lekë në muaj. Ky qytetar nuk do të paguajë taksë mbi të ardhurat nga qiraja.