Taksa e re e Rrugës së Kombit

Publikuar më 07. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Azem Parllaku

Së shpejti, secili drejtues automjeti që hyn dhe del nga Rruga e Kombit, do të paguajë 5 euro në shkuarje e 5 të tjera në kthim. Taksa e Rrugës së Kombit është një diskriminim i papranueshëm dhe një masë që varfëron edhe më tej Shqiptarët. Taksa e Rrugës së Kombit do t’i vendosë në karantinë, një pjesë të mirë të banorëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Pse jo dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë dëshmuar se janë të lidhur fuqishëm me Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Taksa e Rrugës së Kombit është taksë e re politike.

Nëse Rruga e Kombit realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro, pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore, shtetasve nga Kosova dhe bizneseve që tranzitojnë e eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro.

Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ndërsa pagesa e dytë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë taksat që shkojnë për interesat e huasë mbi 300 milionë euro që u mor për ndërtimin e saj. Kjo elitë politike që qeveris vendin në këto 27 vite di vetëm të marrë borxhe, të rrisë taksat dhe të bëjë korrupsion.

Vetëm ZGJIDHJA ka vizionin, projektin dhe aftësinë të nxjerrë vendin nga kjo situatë e rëndë dhe e pashpresë ekonomike, sociale dhe politike dhe të sigurojë paratë që na duhen jo nga rritja e taksave dhe borxheve, por nga ritja dhe lulëzimi i ekonomisë reale.

#ZgjidhjaPërShqiptarët

*Autori është Sekretar ekzekutiv i Zgjidhjes për Bashkinë e Tiranës