Taksa e banesës/ Shtyhet me një muaj afati i vetëdeklarimit

Afati për të vetëdeklaruar të dhënat e banesës shtyhet edhe me një muaj. Këto të dhëna do të nevojiten për të llogaritur taksën e banesës e cila do të aplikohet në faturën e ujit.

Më parë, ishte lënë data 15 shtator si afati i fundit për të vetëdeklaruar të dhënat e banesës por ky afat është shtyrë sërish për në datën 30 tetor 2019.

Llogaritja e taksës së banesës do të bëhet në bazë të vlerës së ndërtesës shumëzuar me shkallën në përqindje të taksës së miratuar me ligj për kategorinë e ndërtesave për banim që është 0.05%.

Pra nëse një apartament me sipërfaqe 70 m², shumëzuar me çmimin vlerësues 60.000lek/m² shumëzuar me 0.05%, taksa vjetore që duhet paguar llogaritet 2 100 Lek, ku për çdo muaj vlera që duhet paguar është 175 lek.

Vlera e ndërtesës x 0,05% = Taksën Vjetore të Ndërtesës

Shembull:

Apartament me sipërfaqe 70 m² x çmim vlerësues 60.000 lek/m²) x 0.05% = 2 100 Lek/vit

2 100 Lek (Taksa Vjetore): 12 muaj = 175 Lek/muaj

Vlera e Taksës mbi Ndërtesën përfshirë në faturën mujore do të jetë 175 lek.

Në momentin që shkon për të vetë deklaruar të dhënat, dokumentet që nevojiten janë :

1. Karta e Identitetit.

2. Certifikata e Pronësisë me kartelën e pasurisë/ kontrate shitblerje, dhurimi ose shkëmbimi, akt privatizimi apo vetëdeklarimi të ALUIZNI-t, rivlerësim të fundit të pasurisë nëse ka.

3. Libreza e ujit apo një faturë UKT.

Ndërkohë, gjatë procesit të vetëdeklarimit kryhet edhe përllogaritja e taksës vjetore për ndërtesën e banimit. Për të gjitha deklarimet e bëra për banesën do të nisin verifikimet në terren, ku do të kryhen edhe korrektime në regjistrin e bazës së të dhënave.

Në rast se vlera e vetëdeklaruar nga taksapaguesi rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim e vlerësuar, të përcaktuar në metodologjinë e miratuar me VKM nr.132, datë 07.03.2018, si vlerë e bazës së taksës do të merret vlera më e lartë-thuhet në njoftimin e UKT.

Ujësjellësi i Kanalizimeve Tiranë njofton se për banesat që nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja, do të aplikohen vlerat referuese. Për ndërtesat e ndërtuara pas vitit 1993, do të vlerësohen me 100 metra2, ndërsa për ndërtesat e ndërtuara para këtij viti do të vlerësohen me 70 metër2.

Nga taksa e banesës e cila do të shtohet në faturën  ujit, janë disa kategori të cilat përjashtohen.

Më konkretisht, do të përjashtohen pensionistët kryefamiljarë, të cilët nuk kanë të ardhura të tjera veç pensionit, si dhe ata që trajtohen me pension social.

Po ashtu edhe kryefamiljarët të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike nuk do të duhet të paguajnë taksën e banesës.

Taksa nuk do të aplikohet as për banesat të cilat në bazë të marrëveshjeve me bashkitë, përdoren si banesa sociale si dhe për ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre.

Taksa do të aplikohet dhe për garazhet e mbyllura, bodrumet dhe për çdo ndërtesë tjetër të ngjashme, mbi apo nën tokë, që nuk përdoret apo shfrytëzohet për qëllime të tjera veç banimit.

Pikat ku mund të paraqiteni

  1. Pika UKT, Njësia Nr. 1- Rr. “Bardhyl” – E hënë- shtunë 08:00-20:00.
  2. Pika UKT, Njësia Nr. 2- Rr. “Petro Nini Luarasi”, pranë Tregut Elektrik- E hënë- shtunë 08:00-20:00.
  3. Pika UKT, Njesia Nr. 5 – Rr. “Llazi Miho”, Kombinat- E hënë- shtune 08:00-20:00.
  4. Pika UKT, Rr. e “Kavajës”, pallatet Delijorgji – E hënë- shtunë 08:00-20:00.
  5. Pika UKT, Drejtoria Rajonale, Sauk – E hënë – premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  6. Pika UKT -Rruga “Muhamed Deliu”, pranë Freskut – E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  7. Pika UKT Rruga “Budi”- E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  8. Pika UKT Rr. “Aleksandër Moisiu”, përballë Min. se Kulturës- E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  9. Pika UKT, Blv. Zhan D’Ark, përballë Maternitetit të Ri – E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  10. Pika UKT, Rruga “Teodor Keko”, pranë Astir- E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  11. Pika UKT, Kodër Kamëz – E hënë- premte 08:00-17:00 dhe të shtunen 08:00-13:00.
  12. Njësia Nr. 3 – Rr. “Jusuf Vrioni”, Blloku Vasil Shanto – E hënë- premte 08:00-15:30 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  13. Njësia Nr. 4- Rruga “Artan Lenja”, Pranë Rep. të Zjarrfikseve- E hënë- premte 08:00-15:30 dhe të shtunën 08:00-13:00.
  14. Zyrat Qëndrore UKT, Rruga e “Kavajës” – E hënë- premte 08:00-16:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet