“Takohemi në Vlorë”, një qendër e re kulturore për artdashësit

Foto 1 nga 3 Pas Para

Hapet në Vlorë qendra kulturore “Resonancë” me promotor dirigjentin Thanas Çaçi. Streha e re do të mbledhë artdashësit vlonjatë me projekte e ide artistike. Mbahet mbrëmje koncertale në teatrin “Petro Marko”

Theodhori Proko

“Takohemi në Vlorë” është një ftesë e sinqertë kulturore, për të gjithë artdashësit, nga një grup artistësh, të cilët kudo ku jetojnë dhe punojnë, qytetin e lindjes, Vlorën, e kanë dashurinë e parë të zemrës së tyre. Dhe siç thuhet në refrenin e një kënge të njohur “Dashuria e parë nuk harrohet…!”. Për t’i kthyer qytetit, që tani duket sikur ka rënë në “qetësinë e një përgjumjeje” kulturore, gjallërinë e mëparshme, për të ruajtur e zhvilluar më tej trashëgiminë e pasur, që nuk mungon, ashtu si djemtë e Vlorës së dikurshme, në kushte të vështira të një kohe të vështirë, krijuan klubin “Labëria”, edhe këta artistë me shpirt patriotik, krahas angazhimeve të tyre profesionale, vendosën të krijojnë qendrën kulturore “Resonancë”. Kjo qendër e një lloji të veçantë, do të përfaqësojë një tendencë të parisë artistike vlonjate, e cila ka për objekt të veprimtarisë së saj, realizimin e projekteve artistike, letrare, shkencore e argëtuese në interes të publikut, duke “resonuar” kulturën e kësaj treve edhe jashtë kufijve të saj gjeografik.

Realizmi

Ideatori dhe promotori i realizimit të saj, është dirigjenti Thanas Çaçi, një personalitet muzikor i njohur jo vetëm në Vlorë dhe skenat e vendit tonë, por edhe në ato të vendeve të tjera, pinjoll i një familjeje të njohur me tradita muzikore që gëzon respektin e artdashësve vlonjatë. Genin muzikor e trashëgoi nga i ati, Thomai, pjesëtar i orkestrës frymore të qytetit dhe themelues e drejtues i shkollës së parë të muzikës në Vlorë në vitet 1959-1960, në bankat e së cilës mori mësimet e para të solfezhit e pianos edhe vet Thanasi. Prej asaj kohe shumë gjëra kanë ndryshuar në formimin dhe realizimin e tij profesional, por ajo që ka mbetur e pandryshuar brenda vetes është pasioni për muzikën dhe dëshira e përkushtimi për ta përhapur atë, për ta lëvruar e zhvilluar më tej e për ta vënë në shërbim të edukimit dhe argëtimit të qytetit e njerëzve të tij artdashës. I rikthyer në qytetin e lindjes nga ku nisi së pari rrugëtimin e tij artistik, pas një përvoje të pasur e të suksesshme, mendoi që si “prolog” të veprimtarive të qendrës kulturore të sapo krijuar të shërbente ajo që ai e ka më shumë për zemër, ngritja e formacionit orkestral “Vlora Philarmoni”, me pjesëmarrjen e krijuesve, instrumentistëve e interpretuesve me formim të lartë profesional, të aftë për të realizuar shfaqje dinjitoze për një publik elitar.

Organizmi

E po të mendosh se i gjithë organizimi i këtij formacioni bëhet mbi bazën e një bashkimi vullnetar, vetëm me dëshirën dhe përkushtimin qytetar për të rijetësuar atë që u mungon prej disa kohësh spektatorëve, nuk është diçka e thjeshtë. Fatmirësisht, duke e diskutuar gjatë këtë mendim me shumë shokë e miq të vetë, duke rrahur mendime e duke parë e riparë “skica” projektesh, ata përveç e mirëpritën u treguan dhe të gatshëm për të dhënë ndihmesën e tyre. Falë kësaj gatishmërie, u krijua dhe bordi artistik, i cili mori mbi “shpatullat” e veta programimin dhe realizimin e veprimtarive, ku veç nismëtarit Thanas Çaçi, marrin pjesë edhe tenori me famë botërore Josif Gjipali, violonçelisti që ka interpretuar në shumë skena të botës, deri në Japoninë e largët, Vlorent Xhafaj, kompozitori Enis Mullaj dhe producenti muzikor Sokol Marsi. Të gjithë së bashku, menduan që siparin e veprimtarive ta hapin me një “Mbrëmje Koncertale”, që u realizua këto ditë në skenën e teatrit “Petro Marko” të qytetit, e që u mirëprit dhe u duartrokit nga artdashësit e shumtë që e shijuan “live” në sallën e mbushur plot. Kënaqësinë dhe mirënjohjen e shprehin edhe fjalët që tha njëri prej tyre pas shfaqjes: “Kishim kohë që e prisnim një koncert të tillë. Na kishin munguar artistët tanë që dikur i ndiqnim dhe i admironim për interpretimin në koncertet e tyre”. E për t’i dhënë më shumë bukuri e gjithëpërfshirje, bordi kishte ftuar në këtë mbrëmje edhe mezzo-sopranon nga Tetova, Besiana Mehmedi, solistët instrumentistë nga Elbasani Zeqir Sulkuqi, Martin Kushi, Igli Zeqiri dhe dirigjentin Altin Babameto.

Repertori muzikor

Repertori i zgjedhur me kujdes dhe shije artistike përfshinte pjesë nga kompozitorë austriakë, italianë, rusë, francezë, gjermanë e shqiptarë, që u interpretuan me mjeshtëri profesionale nga orkestra. Atmosferë të këndshme krijuan me zërat melodiozë dhe interpretimet skenike edhe këngëtarja lirike Erina Balla dhe këngëtari amator me profesion jurist, Hektor Sinanaj, që interpretoi dy këngë të vështira edhe për një profesionist të vërtetë nga muzika italiane, “Caruso” të këngëtarit të dëgjuar Luço Dalla dhe “Con te partiro” të Francesco Sartini. I gjithë koncerti u mbyll me një “finale” emocionuese të interpretuar nga tenori Josif Gjipali, ku salla e shoqëroi me duartrokitje gjatë gjithë kohës që ai këndonte “Nessun Dorma” nga Giacomo Puçini. Emocione deri në përlotje u shfaqën edhe në sytë e atij vet, që rikthehej pas një mungese të gjatë në skenën e qytetit ku nisi të këndojë që kur ishte ende  fëmijë, në festivalet e atëhershme. Duartrokitjet e spektatorëve nuk reshtën për asnjë çast edhe kur në skenë u ngjit violinçelisti Vlorent Xhafaj, i ardhur enkas nga Parisi, për këtë mbrëmje koncertale, ku ai dhe Enis Mullaj u nderuan me titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës.”

Kontributi dhe bashkëpunimi nga krijuesit dhe interpretuesit

E gjithë kjo “mbrëmje koncertale” nuk do të mund të realizohej me sukses nëse nuk do të kishte pasur “prapa kuintave” mbështetjen e sponsorëve gjeneralë, zotit Bujar Leskaj, një përkrahës i përhershëm i artistëve, zotit Vullnet Sinaj, Hektor Sinanaj dhe atyre që me të drejtë u quajtën “Miqtë e orkestrës” Gëzim Lila, Kreshnik Çipi, Nino Sharra, Arben Breshani, Hotel “Paradise” e ShPK Brilant. Falë dashamirësisë dhe bujarisë së tyre dhe punës këmbëngulëse të bordit artistik e drejtorit ekzekutiv Thanas Çaçi, “Vlora Philarmoni” u bë “lajmëtarja” e parë e veprimtarive artistike të programuara nga qendra kulturore “Resonancë”. Bashkëpunimi i ngushtë midis forcave krijuese dhe interpretuese nga njëra anë dhe mbështetësve financiarë pas tyre, si një suport sigurie, krijojnë një model unikal kulturor, që do të vazhdojë me moton: Jo thjeshtë të ekzistojmë, por të krijojmë, duke “resonuar” gjithandej kulturë. Pas suksesit të parë, artistët nismëtarë për krijimin e saj, janë optimistë se me mbështetjen morale të publikut të pasionuar vlonjatë dhe përkrahjen e miqve të orkestrës, të tjera veprimtari të larmishme do ta ndjekin këtë fillim të mbarë.  Të tjera plane, të tjera projekte, kanë nisur të marrin “udhë” që tani në mendimet e tyre. Dhe kështu, “Takohemi në Vlorë” do të mbetet një ftesë e përhershme për publikun e këtij qyteti, jo vetëm me tradita historike, por edhe kulturore e artistike.

Tiranë, “Annie”, një shfaqje me mesazhe sociale për të gjithë familjen

Annie” vlerësuar si një shfaqje për të gjithë familjen rikthehet mbrëmjen e sotme për publikun në “arTurbina”. Me regji nga Adelina Muça kjo shfaqje teatrore sjell në role jo vetëm artistë të njohur teatrit, por dhe aktorë të vegjël, si dhe balerinët e Shkollës së Baletit. Kjo vepër, është projektuar për një publik familjar dhe materiali i veprës shpjegon se është shfaqja perfekte për të bërë bashkë të gjitha brezat jo vetëm në një sallë, por edhe në skenë, duke bashkuar aktorët e vegjël të talentuar dhe fëmijë jetim e me aftësi ndryshe, me aktorët më të njohur të teatrit. Në shfaqjen “Annie” në role janë Gert Ferra, Erjona Kakeli, Monika Lubonja, Donald Shehu, Jaho Guma, Xhuliano Brisku, Vladimir Saliu. Noha Çuli vjen në skenë në rolin e Annie. Në shfaqje janë 21 aktorë të vegjël nga mosha 6 deri 13 vjeç, si dhe 32  balerinë nga Shkolla e Baletit. “Annie” është historia e një vajze të vogël  9 vjeçare jetime, e cila nuk e ka humbur shpresën, se një ditë ajo do ti gjejë prindërit e saj. Ndryshe nga vajzat e tjera të jetimores, Annie, me një kombinim perfekt të inteligjencës dhe optimizmit, ngroh zemrat e audiencës teksa e shohim ngjitjen e saj, nga një jetë që nuk i dha asgjë, përveçse një shtrat në një jetimore, në një jetë plot dritë dhe me një të ardhme që e meriton çdo fëmijë.

Prishtinë, “Udha e Qumështit”, në festivalin “FemArt”

Festivali “FemArt” ka nisur edicionin e shtatë në Prishtinë. Edhe këtë vit festivali bën bashkë artiste dhe aktiviste të vendeve të ndryshme. Festivali veç shfaqjeve që prezanton ka dhe të tjera aktivitete në ditët e tij. Në festivalin “FemArt” mbrëmë u prezantua shfaqja “Udha e Qumështit”. Shkruar dhe me regji nga Armand Bora veprën e solli në skenë aktorja e njohur Egla Ceno. Para shfaqjes në teatrin “Oda”, aktorja u shpreh se është hera e dytë që merr pjesë në këtë festival, që zhvillohet prej vitesh. “Është viti i shtatë për festivalin dhe i dyti për mua që marr pjesë. Vjet isha me shfaqjen “Natën ma”. Këtë vit jam me “Udha e Qumështit” dhe “shpatullat e mia i mban” La Skampa i them unë, teatri “Skampa” Elbasan”, shprehet mes të tjerave aktorja, duke shtuar se marrin pjesë trupa nga vende të ndryshme të botës. Për këtë vepër që e shënoi premierën në teatrin “Skampa”, më herët regjisori Armand Bora është shprehur se është pjesë e trilogjisë së të Mbijetuarve me “Ata hyjnë pa trokitur” dhe “Domino”. Tema e veprës merr nga koha e para viteve ‘90. “Udha e qumështit” është një monoperformancë, që zgjat rreth 1 orë e 20 minuta dhe aktorja Egla Ceno, rrëfen historinë e një gruaje që u procesua vetëm sepse theu shishen në radhën e qumështit. Por këtë ajo e bën duke kaluar në 33 situata të ndryshme e “veshur” me karakteret 33 personazheve. Ndryshe nga dy veprat e tjera që janë drejt një teatri tradicional për pjesën “Udha e Qumështit” regjisori Armand Bora ka treguar se në vetvete përmban një eksperiencë të veçantë, që nuk është bërë ndonjëherë të paktën në Shqipëri. Bëhet fjalë për një histori të shkurtër, një histori që ka ndodhur para viteve ‘90 me një personazh konkret real. Vepra mbrëmë u shfaq në teatrin “Oda” në Prishtinë në kuadër të festivalit “FemArt” dhe më herët regjisori ka pohuar se dhe pse tema është nga periudha e diktaturës ky teatër nuk pretendon të jetë dokumentaristik apo muzeal apo të tentojë të sjellë kohën. “Më shumë se sa të merret me çështjet ideologjike apo politike, vepra merret me raportin njeriu me njeriu apo njeriu me shoqërinë. Përpiqet që të tregojë se çfarë është në gjendje ti bëjë njeriu njeriut. Se si merret dhe shkatërrohet jeta e një personazhi dhe kalon në situata sa komike dhe dramatike”, ka pohuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Stadiumi “Rama Ik!”

Arben Rrozhani Ditari (a)politik Mijëra shqiptarë ishin mbrëmë në stadiumin “Air Albania”. Por protesta e tyre me baner e pagëzoi…

Abissnet