“Takimi me 80 studentë ‘Kristalit’ dhe tre zyrtarët që menaxhuan diplomat”

Nga Lindita Bushgjokaj

Ish-ministrja e Arsimit, Mirela Karabina fajëson Ministrinë e Arsimit se nuk ka zbatuar ligjin në mënyrë të qëllimshme, se paligjshmëria ishte kthyer në normalitet dhe dhe dokumentacioni është përdorur në mënyrë selektive

Ish-ministrja e Arsimit Mirela Karabina në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tregon sesi ka funksionuar MASR me procedimin e diplomave false në kohën kur drejtonte këtë institucion. Ajo pohon se me problemin në fjalë është njohur pasi në ministri kanë ardhur 80 studentë të “Universitetit Kristal” për të verifikuar emrat e tyre, të cilët ministria nuk i ka ndihmuar duke nxjerrë pretekste të ndryshme. Ndërsa dyshimet që të shpien drejt mundësisë së bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit me “Kristalin, lidhen me faktin se dokumentacioni është mbajtur i fshehur nga ministria në mënyrë të qëllimshme, duke e përdorur në mënyrë selektive dhe në kundërshtim me ligjin, tha Karabina.

Znj.Karabina si ka proceduar Ministria e Arsimit me fenomenin e diplomave false në kohën kur ishit ministre e këtij institucioni?

Realisht, me këtë problem jam njohur në muajin korrik 2017 nga disa studentë të Universitetit “Kristal”, të cilët kërkuan ndihmë që të verifikonim emrat e tyre në regjistrat që ndodheshin në ministri, pasi deri në atë kohë nga ministria nuk i ofrohej ndihmë duke nxjerrë pretekste të ndryshme. Ishin 80 studentë që kërkonin të verifikonin emrat. Studentët paraqitën kërkesën zyrtarisht. Bazuar në konsultime dhe informacionet që morëm në lidhje me regjistrat, punonjësja e arkivës u ngarkua të verifikonte emrat dhe regjistrat që ishin në arkivë.

Cila është arsyeja që situata ka dalë jashtë kontrollit?

Në Ministrinë e Arsimit paligjshmëria ishte kthyer në normalitet. Për aq kohë sa ligji interpretohet dhe nuk zbatohet, shumë gjera kanë dalë jashtë kontrollit, në mënyrë të qëllimshme. Pra, ministria nuk vinte në dispozicion të studentëve shqiptarë regjistrat ose në mënyrë selektive, që të verifikonin emrat e tyre dhe numrat e matrikulimit.

Por, e rëndësishme është t’i jepen përgjigje disa pyetjeve: Përse ishte krijuar kjo artificë e dhënies së vërtetimit nga ministria? Përse duhet të pajiseshin me vërtetim nga ministria studentët që gëzonin një diplomë? Përse regjistrat e universiteteve jo publikë të mbyllur qëndronin në Ministrinë e Arsimit? A duhej këto të ishin në arkivën e shtetit?

Fakti që nga vetë ministria përgjigja, edhe ndaj Urdhrit të Farmacistit, ishte se këto regjistra nuk ndodheshin në ministri, të çon në dyshimin e arsyeshëm se mund të jenë përdorur në kundërshtim me ligjin.

Si i shpjegoni akuzat ndaj MASR qe nuk ka dërguar ne prokurori 86 rastet e diplomave fallco?

Mendoj që këtu ka një paqartësi. Lexova një prononcim të MASR në lidhje me verifikimin e emrave të studentëve dhe besoj që bëhet fjalë për verifikimin që bëmë ne, atë që trajtova më lart. Zyra e njehsimit te diplomave në ministri, me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm, deklaronte se MASR nuk dispononte regjistra të “Kristalit”, jo vetëm për individë  të ndryshëm, por dhe Urdhrit të Farmacistit  nuk i ofronte ndihmë për verifikimin e studentëve. Pasi ne bëmë verifikimin e 80 emrave dhe disa individëve të tjerë, sipas gjendjes faktike në regjistra, zyrtarisht Urdhri i Farmacistit  kërkoi ndihmë  t’i vinim në dispozicion këtë listë. Pasi mori këto lista, Urdhri i Farmacistit i drejtohet përsëri ministrisë (në fund të gushtit) dhe kërkon saktësim të vlefshmërisë për secilin emër, jo thjesht gjendje në regjistër. Ato ishin të shqetësuar sepse kishin dyshime me një rast konkret dhe kërkonin patjetër verifikimin e emrit. Studenti ishte pajisur me vërtetim nga Ministria e Arsimit. Kjo ngrinte dyshimin e mundësisë së rasteve të tjera. (Në fillim të shtatorit ministrat teknikë mbaruam mandatin, dhe nuk kemi informacion sa zgjati procedura e verifikimit, pasi në atë kohë Urdhrit të Farmacistit iu tha që do të duhej 3-6 muaj për verifikim)

Ka zëra që thonë se, pronari i “Universitetit Kristal” ju thoshte te interesuarve për diploma se “janë të regjistruara ne MASR, se kam njerëz aty”. A mendoni se është e vërtetë?

Për këtë, nuk kam asnjë informacion. Grupi i 80 studentëve që kërkonin verifikimin ka qenë i shoqëruar nga përfaqësues të “Universitetit Kristal”. Mendoj që gjithçka është e verifikueshme.

Ka konstatime se ka një rrjet korrupsioni brenda MASR që kanë bashkëpunuar me “Universitetin Kristal”. Mendoni se është i implikuar një person i vetëm apo një rrjet, si ka funksionuar?

Regjistrat e “Kristal” dhe të universiteteve të tjera që u mbyllën, sipas pohimeve të punonjësve të ministrisë, janë menaxhuar nga Sekretari i Përgjithshëm, z. Plarent Ndreca, Drejtor i Shërbimeve të Brendshme, z.Alqi Kushi, punonjësja e arshivës , znj. Elsa Malo. Nëse është shkelur procedura ligjore, ka mënyra për ta verifikuar. Përsëri lind pyetja: Pse këto regjistra menaxhohen nga ministria? I kujt është interesi?

Mendoni se mund të kenë lëshuar diploma të tilla edhe universitetet e tjera që u mbyllën në të njëjtën kohë me “Kristalin”?

Nuk kam informacion për këtë dhe nuk di ndonjë rast. Por, ajo që më shqetëson është deformimi i së vërtetës dhe konfuzioni i qëllimshëm që krijohet në publik. Mirënjohje dhe respekt për çdo investim që bëhet në arsim. Ne jemi një popull arsimdashës. Ministria e Arsimit ka detyrimin institucional dhe moral të ndihmojë studentët dhe familjet Shqiptare për zgjidhjen e shumë problemeve që solli mbyllja e menjëhershme e universiteteve jopublike, pasi ministria ka përgjegjësinë në mbylljen e pa menduar. Prindërit investojnë për fëmijët e tyre për t’i bërë qytetarë të mirë, dhe ministria duhet të respektojë këtë sakrificë dhe mundim të tyre. Por, mbyllja e menjëhershme ka krijuar shumë problematika të cilat ende sot nuk i kanë zgjidhur. Askush nuk mendoi për studentët. Epo, detyrimin ligjor nuk mund ta anashkalojë ministria, prandaj është për të zgjidhur problemet, dhe për të ndihmuar fëmijët Shqiptarë.

Gjatë kohës që ishit ministre a keni pasur ndonjë informacion nga punonjësit tuaj apo burime të tjera që “Universiteti Kristal” po lëshonte diploma false?

I vetmi informacion është ai që përmenda më lart. Pra, vumë në dispozicion regjistra që përdoreshin në mënyrë selektive dhe ishte informacion i fshehur për publikun. Imagjinoni se si mund të zgjidhë problemet kjo ministri që deklaron si sukses që mbylli institucionet arsimore, por mban të fshehur dokumentacionin e këtyre institucioneve?

Deklaruam që regjistrat janë aty dhe që regjistrat menaxhohen nga Ministria e Arsimit.

A mendoni që ka sot punonjës në Administratën Shtetërore të punësuar me këto lloj diplomash?

Informacione të paqarta  me qëllim që të na konfuzojnë. Në një shtet ligjor, nëse një institucion shkollor është i ligjshëm, atëherë dhe diplomat janë të ligjshme. Nëse ka shkelje, ato janë lehtësisht të verifikueshme bazuar në përcaktimet ligjore.

Sipas mediave dhe portaleve të ndryshme ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ka mbaruar masterin në “Universitetin Kristal”. A mund të mendojmë se këtu ka një bashkëpunim?

Në një shtet ligjor asgjë nuk mund të fshihet. Përcaktimet ligjore nuk lënë hamendësime. Shqetësimi është, pikërisht, lënia peng e shumë problematikave që kanë disa universitete jo publike të mbyllura, me numrat e matrikulimit dhe me ngjyrën e diplomave. Këto problematika, me kosto për familjet Shqiptare zgjidhen, nëse krahas detyrimit institucional është dhe detyrimi moral: Zgjidhja e problematikave të studentëve në hapësirën mbarëshqiptare. Janë problematika që zgjidhen, por duke mos gjetur zgjidhjen as studentët ne Shqipëri dhe as studentët shqiptar të Kosovës që kanë studiuar në këto universitete, rruga e tyre është përtej kësaj hapësire, mërgimi, dukë lënë pas një komb që lëngon nga dhimbja.

Të tjera

Abissnet