Takimi me bankat/ Sejko: Informaliteti një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik të vendit

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në takimin me bankat renditi disa nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot sistemi bankar në vend.

Sejko deklaroi se situata aktuale është e ndryshuar nga ajo e disa viteve më parë, duke shtuar se ka ende probleme. Sipas tij, një ndër sektorët ku duhet punuar më shumë është ai i kredi dhënies, duke thënë se po ulet treguesi i kredive me probleme.

“Situata aktuale është e ndryshme nga ajo e disa viteve më parë. Treguesi i kredive me probleme po ulet, bilancet e sistemit janë sot të vlefshme dhe çmimet e kreditetit janë ulur sot në nivele historike. Gjashtë mujori i parë i vitit 2016 e gjen sistemin bankar më të suksesshëm. Kemi arritur rezultate konkrete, gjendja financiare paraqitet sot më e shëndetshme. Ka ardhur momenti që kredidhënia të zërë vendin që i takon dhe kjo kërkon përkushtim. Sistemet bankare të pazhvilluara krijojnë çrregullime në stabilitetin e vendin. Revolucioni i madh teknologjik ka eliminuar barrierat fizike. Përfshirja dhe edukimi financiar janë dy sfidat tjera në sistemin tonë, që duhen zhvilluar më tej. Roli i bankave është mjaft i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm për sa i përket kreditimit financiar.” U shpreh Sejko.

Gjithashtu, Sejko u ndal edhe te lufta ndaj informalitetit, që për të është një element thelbësore, sipas tij, ky është një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik të vendit, ndërsa ofroi mbështetjen e BSH në këtë aksion.

“Informaliteti, rrezik serioz për stabilitetin ekonomik të vendit. Roli i sistemit bankar është tejet i rëndësishëm, sa i takon bilanceve të kompanive. Reforma ndaj informalitetit është ndër më prioritaret të qeverisë, ne do ofrojmë ndihmesë. Mbështetja e BSH do jetë e pakufizuar në këtë drejtim. Bashkëpunimi do thellohet më tej mes ekzekutivit dhe bankave”, tha Sejko.