Tahiri në kundërsulm: Kërkesa që i bëra Mimi Kodhelit për radarët

Ish-ministri i Brendshëm mbrohet dy orë në seancën gjyqësore. Mohon lidhjet me kushërinjtë Habilaj në Vlorë dhe nxjerr korrespondencën me ish-ministren e Mbrojtjes që kundërpërgjigjet. Dhe një sulm për dhomën 900 euroshe të Lindita Nikollës

 Xhentila Gjoshi

U deshën më shumë se 2 orë, që Saimir Tahiri të përfundonte mbrojtjen e tij përballë trupës gjykuese duke justifikuar akuzat për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Çdo pretendim ishte shkruar në 80 faqe, por që Tahiri zgjodhi të fliste nëpërmjet një tabele duke shpjeguar të gjitha episodet e hetimit të dosjes. Përgjimet dhe hetimet e organit të prokurorisë, ish-ministri i cilësoi gënjeshtër dhe asgjë të vërtetë. Në përfundim, ai kërkoi nga Gjykata që të shpallej i pafajshëm për tri akuzat e ngritura nga Prokuroria.

Mbrojtja e Saimir Tahirit

“Nisim me katër episodet e trafikut, që dhe unë akuzohem. Ato, sipas prokurorisë kanë ndodhur më 25.10.2013, 27.02.2014, 29.07.2014 dhe episodi i katërt më 02.05.2015. Detyrën si ministër unë e kam marrë më 11 shtator 2013, pra 1 muaj para se të kryhej trafiku i drogës në episodin e parë të përmendur nga prokuroria. Në dosje thuhet se “Habilajt” janë të paprekshëm. Unë ju them se ndaj vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj, janë regjistruar katër procedime për vepra të ndryshme penale. Nëse ata do të kishin imunitet ndaj policisë, atëherë ndaj tyre nuk kishte pse të niste procedimi penal nga ana e policisë. Por, ka qenë prokuroria ajo që nuk ka kryer hetime. Më datë 13.03.2014, Florian Habilaj është referuar në prokurori për përdorim të një makine të vjedhur. Ndoshta kjo nuk është vepër e rëndë penale, por ama ata nuk ishin të paprekshëm, ashtu siç edhe i ka cilësuar prokuroria. Po ashtu, di të them se më datë 18.03.2014, Moisi Habilaj, Florian Habilaj dhe Artan Habilaj i janë ushtruar një kontrolli në vijën e dytë të pikës së kalimit kufitar. Përsëri del në pah fakti që Habilajt nuk ishin të paprekshëm në kohën kur unë isha ministër. Unë ministri që bëja trafik droge, punoja shumë që të rregulloheshin radarët në Vlorë që të kapeshin trafikantët. Unë që shfrytëzoja hapësirat detare për trafik droge, i kam bërë ministres Mimi Kodheli në atë kohë një kërkesë të cilën e kam dhe këtu, që në QNOD të qëndronte një punonjës i Guarda di Finanzas 24 orë monitorim. Unë që sipas prokurorisë përfitoja miliona euro nga trafiku, kërkoja të rregulloheshin radarët. Në të gjithë dosjen, prokuroria nuk ka arritur të më tregojë rolin që unë kam patur në këtë bandë që bënte trafik droge. Nga ato që gjendjen në dosje nga hetimet e prokurorisë, del që unë janë zari më i fundit në grup. Pra, mund të them që unë, isha ndihmësi i ndihmësit, që ishte Jaeld Çela. Më tej, prokuroria pretendon se Habilajt nuk janë proceduar asnjëherë më parë nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Do ju them një diçka shumë të rëndësishme dhe që unë e kam këtu (i referohet dokumenteve). Më datë 9 shtator 2016, Policia e Vlorës i dërgon një shkresë sekrete prokurorisë, ku i thotë se Moisi Habilaj dhe Florian Habilaj kanë hapur tokë për kultivim droge. Po në këtë datë, Posta e Selenicës organizon një plan operacional dhe janë shkatërruar parcelat e drogës. Po ashtu, policia ka thënë se dy shtetasit e mësipërm ka rekrutuar njerëz për të punuar aty. Ky denoncim është bërë nga vetë Jaeld Çela, i cili tani është i bashkëpandehur me mua në këtë proces. A mund të ma shpjegojë mua Prokuroria se si mund të denonconte Jaeldi personat me të cilët bënte trafik droge, madje duke i shkatërruar edhe parcelat. Ai ka denoncuar Moisi Habilaj, si mund të jetë pjesë e këtij grupi? Janë gati pesë shkresa sekrete të firmosura nga Jaeld Çela, për plan operacioni për shkatërrimin e parcelave të drogës. Moisi dhe Florian Habilaj, janë proceduar katër herë.

Më datë 20 prill, prokurori Dritan Prençi që është pjesë e treshes së prokurorëve, ka marrë informacion me e-mail për trafik dhe kultivim droge për Moisi dhe Florian Habilaj. Ky e-mail është dërguar nga Gjegji Kohila. Pra, ne si bandë kemi bërë denoncime ndaj njëri-tjetrit, në të njëjtën kohë kur edhe vepronim si bandë për trafikun e drogës.

Por, pse kanë ndodhur të gjitha këto (u drejtohet prokurorëve)? Policia i ka referuar katër herë Habilajt në prokurori. Pse nuk i kanë arrestuar? Tani unë mendoj se këta (prokurorët) mund të kenë bashkëpunuar me ta. Kjo sepse, urdhër-arrestet i pret vetë prokuroria, dhe policia nuk ka ku ta dijë se kush do të arrestohet. E theksoj këtë fakt sepse, prokuroria thotë se Jaeldi ka ndihmuar trafikantët.

Më 11 shtator 2013, unë kam marrë detyrën si Ministër i Brendshëm. Kur janë bërë tri episodet e para të trafikut të drogës, Jaeld Çela nuk ka qenë fare me detyrë në Vlorë. Ka qenë një specialist në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Dhe unë nuk kisha nga ta njihja Jaeldin dhe të bashkëpunoja me të, për të ndihmuar një bandë trafiku. Gjergji Kohila, nuk ka qenë në asnjë episod trafiku në Vlorë me detyrë. Nuk di sesi prokuroria i ka bërë këto hetime. Nuk di se çfarë është hetuar ndaj meje. Me kë e kam bërë unë këtë bandë trafiku. Kë kam urdhëruar unë që të krijonte lehtësira Habilajve. Del që unë kam qenë pjesë e një grupi kriminal me dy policë që nuk kanë qenë fare drejtues në Vlorë. Si e kam lehtësuar unë aktivitetin? Prokuroria nuk thotë asgjë se çfarë kam bërë unë në ndihmë të tyre. Prokuroria ka gjetur zero komunikime në celularin tim, zero takime me të pandehurit, zero pasi të luajtshme e të paluajtshme. Prokuroria ka bërë kërkime në Greqi, Itali, Mal të Zi, Maqedoni për pasuri të miat. Por nuk rezulton asgjë, sepse unë nuk kam pasuri. Hoteli më i shtrenjtë që unë kam fjetur ishte 140 euro nata. Një trafikant nuk mund të flejë në një hotel me 140 euro. Me 900 euro flinte ajo tjetra (i referohet ministres së Drejtësisë, Lindita Nikollaj). Prokuroria gënjen vetëm që mbajë një akuzë të falsifikuar. Prokuroria nuk shkon as në një standard, pasi një prokurori me standarde kryen hetime të hollësishme dhe jo të mangëta. Pse prokuroria nuk bëri hetime për fikjen e radarëve në Vlorë, kur kishte dyshime se bëhej trafik droge. Pse prokuroria nuk u çua e të pyeste, si fiken këta radarë. Por nuk vërtetoi asgjë. Ka vënë disa fjali aty dhe i ka lënë aty të rrinë. Prokuroria ka thënë vetëm gënjeshtra. Gjatë gjithë ushtrimit të detyrës sime, unë ka respektuar drejtësinë dhe institucionet. Bëra të pamundur që të luftoja kriminalitetin dhe të zhdukja drogën. Nuk dua të zgjatem shumë, dhe unë nga kjo gjykatë kërkoj drejtësi. kërkoj pafajësi ndaj këtyre akuzave që ka ngritur prokuroria ndaj meje”, ka përfunduar ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Reagimi

Kodheli: Radarët nuk janë fikur asnjëherë nga dhjetori 2013

Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka folur pas përfundimit të seancës gjyqësore ndaj Saimir Tahirit në “News24”, për çështjen e radarëve që u përmend nga ish-ministri. Ai tregoi se i ka dërguar një letër sekrete ministres Kodheli. Ndërkohë deputetja e PS-së sqaroi se nuk ka pasur nevojë për asnjë letër, pasi radarët kanë qenë pjesë e akuzave që socialistët atëherë në opozitë drejtonin ndaj qeverisë Berisha dhe e dinin që ishin të fikur. Kodheli theksoi se ajo si ministre ka përgatitur një draft projekt për rifillimin e punës së radarëve që është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe nga dhjetori i 2013 ata kanë qenë në punë pa u fikur asnjëherë. Ish-ministrja sqaroi se radarët e ushtrisë janë ndryshe nga ata të policisë. Kodheli foli edhe për gjuajtje nën brez. “Nuk më është dashur as letra e zotit Tahiri që daton tetor i vitit 2013, pra ne kishim vetëm një muaj që ishim futur në zyrë për të kuptuar që radarët nuk punonin sepse çështja e trafikimit të paligjshëm apo të mosfunksionimit të vrojtimit të bregdetit shqiptar ishte një nga shtyllat e luftës sonë politike kur ne ishim në opozitë me qeverinë e Sali Berishës. Nuk ishte e nevojshme të vinte një letër pas një muaji sepse ne e dinim. Ne gjetëm shumë çka më keq se ato që ne mendonim se do të gjenim. Për të qetësuar të gjithë, mund të them që në muajin nëntor të po atij viti, duke përcaktuar ruajtjen e kufijve tanë detar si një prioritet absolut unë kam përgatitur me urgjencë një draft projekt që i është prezantuar këshillit të ministrave, pra dy muaj pasi kishim hyrë në zyrë dhe është miratuar”, është shprehur ajo.

Dosja

Skafi i Tahirit, Maisi Habilaj e dërgoi në Itali për servis

Ardit Bani, me detyrë Inspektor i Drejtorisë Detare në Vlorë, ka deklaruar para prokurorëve të çështjes se më datë 9 shtator 2014, Moisi Habilaj ka marrë skafin e ish-ministrit për të shkuar në Itali.

“Më datë 09.09.2014, rreth orës 08:40, tek unë si Inspektor në Zyrën e Leje Nisjeve, një agjent i një agjencie, ka përgatitur dokumentacionin për mjetin “Auras” me flamur Shqiptar, me kapiten shtetasin Moisi Habilaj duke kërkuar leje nisje për në Brindizi, Itali. Pasi unë kam kontrolluar dokumentacionin, në bazë të certifikatës së regjistrit ju dha leje nisje për në Brindisi, me itinerar turistik nga linja Mali i Zi-Kroaci, jo më shumë se 3 milje nga bregu, pasi mjeti sipas certifikatës së regjistrit, nuk mund të lëvizte direkt për në Itali. Unë nuk mbaj mend se kush ka qenë, agjenti apo agjencia që kishte plotësuar praktikën, për lëvizjen e këtij mjeti ujor “AURAS”, por nga ana e tyre disponohej i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për t’i lëshuar leje-nisje. Mbaj mend se kapiten ka qenë shtetasi Moisi Habilaj, me tre persona në bord bashkë me kapitenin. Mbaj mend se një ditë më parë, sipas shënimeve në regjistër dhe si më ka treguar kolegu im Genci Hasanaj, po i njëjti person, pra shtetasi Moisi Habilaj, ishte paraqitur më datë 08.09.2014, për të kërkuar leje nisje, por nuk ka pasur prokurë të posaçme të lëshuar nga pronari i mjetit dhe për këtë arsye nuk i ishte dhënë leje nisje. “Nuk kam dijeni për faktin nëse policia kufitare e ka regjistruar apo jo këtë rast konkret, nuk kam dijeni se nga ka ardhur, por dua të theksoj se në atë periudhë regjistrohej çdo mjet ujor që futej në portet e Vlorës, regjistrohej patjetër nga ana e policisë kufitare dhe nga ana e Kapitenerisë Vlorë si në hyrje ashtu edhe në dalje”.

Letërporosia

Të dhënat e deklaruara më sipër mbështeten nga aktet e ekzekutimit të letërporosisë dërguar autoriteteve Italiane të drejtësisë, më datë 02.05.2018, ku ka rezultuar se: I pandehuri Moisi Habilaj ka mbërritur në portin e Brindizit, Itali, më datë 09.09.2014, në bordin e anijes “Auras”, si kapiten. Gjithashtu, në bord kanë qenë dhe shtetasit Naim Brahimaj dhe Aurel Konakciu. Kontrollet kanë mundësuar daljen në pah që anija ka qenë e ankoruar pranë Kantierit Detar Danese te Giovanni Danese, me qëllim kryerjen e punimeve të riparimit të impiantit të komandave. Nga data 09.09.2014-12.09.2014, këta shtetas janë akomoduar në hotel “Aprofo”, që ndodhet në Brindizi, ku kanë paguar në dorë shumën prej 145 euro, sipas mandatit tatimor të administruar, datë 12.09.2014”

Skafi

“Nga deklarimi i shtetasit Orges Liperi, pronar i mjetit lundrues ‘Auras’ rezulton se mjetin lundrues e bleu tek një shtetas italian me ndërmjetësimin e një mikut të tij, Roni Shqopa. Blerja u bë në Durrës dhe në ditën kur dorëzoi lekët, mori mjetin lundrues që ndodhej në Portin Durrës dhe që ishte i pajisur me karrel. Nuk i kujtohet të ketë përpiluar kontratë shitje në Shqipëri. Me procedurat e zhdoganimit dhe regjistrimit të mjetit të kryera më datë 06.08.2014, u mor agjencia doganore dhe për kryerjen e tyre me shpejtësi ndikoi Roni Shqopa, i cili paraprakisht, i kishte kërkuar që këtë mjet t’ia linte në përdorim ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Nuk kujton të ketë përpiluar dokument për lënien në përdorim të mjetit dhe nuk tregoi interes për të. Mjetin nuk e përdori por, në ndonjë rast pagoi tarifë për lëvizjen e tij me vinç. Mjetit lundrues, në vitin 2016 ose 2017, iu bë servis në Itali dhe pagesat u kryen nëpërmjet llogarisë bankare në emrin e tij. Ishin shtetasit Boge Bodini dhe Roni Shqopa që e njoftuan për servisin e bërë dhe i sollën edhe faturat. Faturat iu paguan një servisi në Jug të Italisë dhe kishin vlerën 30 000 euro. Ndërsa nuk njihte shtetasit Artan e Moisi Habilaj, shtetasin Naim Brahimaj kishte mundur të fiksonte si personin që merrej me mjetin lundrues, të regjistruar në pronësinë e tij. Para disa muajsh (referuar ditës së dhënies së deklarimeve), pas njoftimit të Roni Shqopës për urdhrin që ndalonte qëndrimin e mjeteve lundruese në port, mjeti lundrues i tij u dërgua në një vend ruajtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet