Ta gëzoni aeroportin e ri në… xhepat tuaj!

Nga Zef Preçi

Edhe pse kisha vendosur të mos flas në mënyrë të përsëritur për risqet e të ashtuquajturit Partneritet Publik-Privat (PPP), komentin në vijim e ndjej për detyrë ndaj kolegëve ekonomistë dhe ligjvënësve, që në shumicën e rasteve ngrenë dorën në mënyrë të verbër për të “kopsitur me ligj” interesa okulte biznesi në dëm të pasurive dhe interesave publike. Kështu ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit dhe mjerisht as me angazhimet e stërpërsëritura në fushatat elektorale për rishikim kontratash koncesionare apo të PPP-ve, asgjë e re nuk ka ndodhur.

Për të mos thënë se situata është përkeqësuar nga “negocimi” jotransparent i tyre, që më e pakta kanë ruajtur interesat, përndryshe fitimet, e kompanive që i kanë “fituar” në tavolinat e restoranteve ku bëhen bisedime të tilla dhe pak ose aspak në jetën ekonomike të vendit apo në “tregun e lirë”, siç thuhet ndryshe. Të jemi eksplicit: Ky fenomen (shitja e interesave publike në favor të lobeve të biznesit dhe të oligarkisë) nuk është një fenomen, as shqiptar dhe as i lidhur me një forcë të vetme politike qeverisëse…

Që nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit, deri te nxjerrja e përpunimi i naftës dhe mineraleve; që nga ngjyrosja e karburanteve, te skanimi i kontejnerëve në dogana; që nga “check-up”-i i famshëm i shëndetësisë falas, te sterilizimi i përqendruar i instrumenteve mjekësore e privatizimi laboratorëve të shërbimit mjekësor; që nga “zonat e lira ekonomike”, te portet me investimet fantazmë prej miliarda eurosh; që nga vendim-parkimet në qytet deri te djegia me incenerator e mbetjeve urbane me kapacitete sa për të gjithë Ballkanin Perëndimor; që nga mbikëqyrja e lojërave të fatit deri te aeroporti i Vlorës, kontrata e të cilit publikohet në mas-media, kanë vetëm një element të përbashkët: riskun në dëm të ekonomisë sonë kombëtare.

Dmth mënyra se si “fitohen” këto kontrata (me lobim politik në nivelet më të larta); “tipat” e kompanive që i fitojnë (shumica “off-shore” apo të krijuara posaçërisht për qëllimin e “kapjes” së biznesit fitimprurës me risk zero dhe mbështetje buxhetore të garantuar); garancia shtetërore e 10, 20 apo 30 viteve që vijnë, e fiksuar në ligj që riskun financiar (përveç risqeve të tjera) e mbulon buxheti i varfër i vendit më të varfër të Evropës me një qeverisje të dobët dhe problematike, etj., janë ato elementë për të cilat nuk pajtohem dhe i konsideroj risqe në rritje për ekonominë tonë kombëtare.

Nuk po them se shmangia e përfshirjes së Kuvendit në shqyrtimin e kontratave koncesionare që kalojnë mandatin kohor të qeverisë dhe përfshirja e tij vetëm në “blindimin” e përfitimeve të kompanive të këtij lloji po çon në deformime serioze të konkurrencës në treg, gjë që vërehet në shumicën e rasteve, si nga raportimet periodike të KLSH-së, ashtu edhe nga dokumente të rëndësishme teknike të institucioneve financiare ndërkombëtare që monitorojnë dhe asistojnë qeverisjen e vendit dhe progresin e tij në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Dmth po krijojmë monopole me ligj, duke ngushtuar hapësirat për biznes për një numër operatorësh ekonomikë, ndërsa të dhënat e MONITOR për vitin 2016 tregojnë se bizneset e llojit PPP kanë normën vjetore më të lartë të fitimit, pikërisht për këtë shkak, ndërsa raportime të tjera tregojnë se përfitimet e buxhetit të shtetit për njësi prodhimi p.sh. të naftës bruto apo për një ton mineral të eksportuar janë simbolike dhe në rënie të vazhdueshme, pavarësisht ecurisë pozitive të konjukturës ndërkombëtare për disa nga këto mallra “të forta”… dikur.

Nuk po them se të gjitha këto koncesione janë zyrtarisht “propozime të pa kërkuara”, thua se këtu është “Eldorado” dhe mjafton t’i hipësh kalit me revan dhe të ecësh sa të mundësh dhe atje ku ndalon është kufiri i… fitimit tënd të ardhshëm që fillon një ditë më pas… I gjithë ky proces, i shitet një publiku si “politikë zhvillimore për brezat që vijnë” që nuk kupton dhe as reagon, të cilit elita politike drejtuese e vendit i duket e njëjtë, pavarësisht vetë-shpalljes “e majtë” apo “e djathtë”?

Në raportimin e mass-medias ishte nënvizuar me të drejtë fakti se janë qytetarët shqiptarë ata që do ta kenë edhe këtë “vepër” (aeroportin e Vlorës) si kosto shtesë në buxhetin e tyre edhe për nja 30 vjet të tjera, sepse “… riskun e biznesit nuk do ta kenë kompanitë private, por buxheti i shtetit. ‘Top Channel’ ka mësuar se qeveria do t’i garantojë konsorciumit privat, një nivel dysheme të ardhurash vjetore…

Nëse kjo e ardhur nuk arrihet nga shfrytëzimi i aeroportit, atëherë qeveria i paguan kompanive private diferencën nga buxheti i shtetit. Synimi i qeverisë është që ndërtimi i aeroportit të nisë sa më parë, mundësisht brenda majit të këtij viti.

Kjo për dy arsye. Së pari që vepra të përfundojë sa më shpejt, dhe qeveria të marrë përfitimet politike para publikut për një premtim të realizuar. Ndërsa arsyeja e dytë ka lidhje me ekonominë”. Ta gëzoni aeroportin e ri të Vlorës në xhepat tuaj! Kështu të paktën ndihmojmë kompanitë turke që të fuqizohen financiarisht, paçka se shteti shqiptar do të marrë para borxh për të garantuar të paprekur fitimet e tyre… Deri atëherë, qytetarët do të “ushqehen” me përrallat naive rreth vetive çudibërëse të veting-ut (dmth amerikanëve dhe evropianëve që vijnë dhe zgjidhin problemet e shqiptarëve në drejtësi, politikë, polici, etj).

Të tjera

Dyert e mbyllura

Nga Enver Robelli Ka 100 arsye për të kritikuar politikat e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit. Në vitin 2003…

Abissnet