Supozimet e Kodit Zgjedhor që shkelin liritë dhe të drejtat e zgjedhësve

Dr.Av. Sinan Tafaj

 Drejtuar: Bashkëkryetarëve të Komisionit të Kuvendit për Reformën Zgjedhore z. Bledi Çuçi dhe z. Oerd Bylykbashi

Të nderuar zotërinj bashkëkryetarë, si përfaqësues të dy forcave kryesore politike keni marrë përsipër të drejtoni punën e komisionit përgjegjës për reformën zgjedhore. Duke dashur që të kontribuoj në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të zgjedhësve, besoj që do jap një kontribute modest edhe në realizimin e objektivave të komisionit që iu drejtoni.

  1. Kutia e votimit

Referuar nenit 45 te Kushtetutës për liritë dhe të drejtat politike, çdo shtetasi që ka mbushur 18-vjeç qoftë dhe ditën e votimit, i njihet e drejta të zgjedhë dhe të zgjidhet. Po në këtë nen përcaktohet se vota është vetjake. Kodi ynë Zgjedhore ka përcaktuar në mënyrë të qartë se vullneti i çdo zgjedhësi shprehet nëpërmjet hedhjes së fletës së votimit në kutinë e votimit. Kodi ka përcaktuar gjithashtu qartë se kutia e votimit vendoset në qendrën e votimit e cila disponohet brenda ditës në një orar të caktuar. Ajo nuk mund të lëvizet nga vendi përveçse pasi të mbyllet dhe sipas procedurave të dërgohet për numërim në KZAZ. Pra, del qartë se kushdo që dëshiron të shprehë vullnetin e tij si zgjedhës duhet të arrije para kutisë së votimit. Supozim tjetër ligjor nuk ka. Në të kundërt po sipas Kodit, ata që nuk arrijnë të prekin kutinë e votimit nuk duan të shprehin vullnetin e tyre. Ky supozim është i pasaktë dhe antikushtetues. Një numër i konsiderueshëm qytetarësh që dëshirojnë të marrin pjesë në votim si zgjedhës, për arsye objektive, që nuk varen absolutisht nga vullneti i tyre, nuk e arrijnë dot kutinë e votimit. Në këtë rast shtrohet pyetja: A iu mohohet këtyre zgjedhësve e drejta për të votuar? Kush e ka përgjegjësinë e krijimit të mundësisë apo shansit që kutia e votimit të jetë e arritshme për çdo i qytetar që dëshiron të votojë si zgjedhës? Nëse qytetari është në pamundësi objektive të arritjes tek kutia e votimit, atëherë atij i është mohuar e drejta për të votuar. Por kush është përgjegjës për këtë mohim? A është kjo në vetvete një shkelje e ligjit? Sipas supozimeve të Kodit Zgjedhor nuk kemi të bëjmë me ndonjë shkelje. Nëse i referohemi dispozitave të Kushtetutës, qoftë tek parimet, qoftë tek liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, por edhe atyre për liritë dhe të drejtat politike, mohimi i së drejtës për të shprehur vullnetin lirisht për çdo lloj arsye cenon, jo vetëm liritë dhe të drejtat politike, por edhe dinjitetin njerëzor. Unë besoj se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore do të ketë si prioritet shmangien e këtij ngërçi që mos t’i mbetet si barrë për tu zgjidhur nga Gjykata Kushtetuese. Për të thjeshtuar kuptimin e asaj që u tha më lartë, po sjellim si shembull rastet e pamundësisë objektive: A është përgjegjës një para/tetraplegjik që nuk ngjitet dot me karrocën e tij në katin e dytë e më lart për të arritur te kutia e votimit?  A është përgjegjës një i sëmurë kronik apo i paralizuar që për shkaqe reale shëndetësore nuk lëviz dot nga krevati, por dëshiron të shprehë vullnetin e tij për të votuar si zgjedhës?

Po të kërkojmë, gjen edhe shkaqe të tjera objektive.

Me të drejtë forcat politike shqetësohen për pjesëmarrjen në zgjedhje të emigrantëve a banorëve të tjerë jashtë kufirit. Por a janë ata në pamundësi absolute si rastet e lartpërmendura? Ata janë në pamundësi relative dhe mbartësit e sovranitetit të popullit bëjnë shumë mirë që kujdesen për ta, por do sillen në vëmendjen e tyre që të udhëhiqeshin së pari, nga fryma dhe normat e Kushtetutës dhe jo nga interesat politike. Së pari, ata duhet të zgjidhin dhe garantojnë lirinë dhe të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje për shtetasit që janë në pamundësi absolute për të shmangur shkeljet dhe respektuar Kushtetutën dhe pas kësaj lë të merren edhe me aksesin për ata në pamundësi relative siç janë emigrantët dhe banorë të përkohshëm jashtë kufijve të Republikës sonë

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet