Superiorja, fiton Kamza, konfirmohet Kukësi

Publikuar më 12. 10. 2017 nga Dionis Xhafa

Janë luajtur sot në orën 14.00 tre ndeshje të vlefshme për Kategorinë Superiore të Shqipërisë. Surpriza ka qenë skuadra e Kamzës. Ekipi periferik kryeqytetas ka fituar 2:1 në fushën e Luftëtarit të Gjirokastrës. Fillimisht për Kamzën shënoi Racic dhe pjesa e parë u mbyll 0:1. Në pjesën e dytë reagoi Luftëtari që shënoi gol me anë të Bregut në minutën e 63 të takimit. Në fund ka gabuar ekipi vendas. Miraka nga Luftëtari ndërhyri keq në mbrojtje dhe kështu Kamza fitoi penallti. Kjo e fundit u ekzekutua nga ana e Racic, i cili bëri që ekipi nga Tirana të mund të fitojë këtë ndeshje dhe të marrë tre pikë të vlefshme.

Pas fitores, Kamza ka 6 pikë në 5 ndeshje, Luftëtari në 5 ndeshje ka po kaq pikë. Kukësi fitoi kundër Lushnjës në qytetin jugor. Dy golat janë shënuar në pjesën e dytë të takimit nga Guri dhe Aliev. Për momentin Kukësi ndodhet në vendin e dytë me 10 pikë pas Skënderbeut, kurse Lushnja në vendin e fundit me 2 pikë. Në orën 17.00 luhen dy ndeshje të tjera të Superiores. Skënderbeu luan kundër Laçit, ndërsa Teuta sfidon Partizanin në Durrës.

/D.Xh/