Sulejman Starova: Synimi i Partizanit, fitorja e Kupës së Shqipërisë

Publikuar më 08. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Klevis Deda

Trajneri i ri i kryeqytetasve shprehet hapur se skuadra do të përforcohet në merkaton e janarit me emra të rinj për të rritur cilësinë e lojës, Kërkon mirëkuptim me tifozët që janë kundër rikthimit të tij në pankinë

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, deklaroi dje në konferencë për shtyp se objektivi kryesor i skuadrës është fitimi i trofeut të “Kupës së Shqipërisë”. Ai pranoi se grupi aktual që ka në dispozicion nuk mjafton për të arritur objektivat dhe bëri të ditur se në merkaton e janarit do të ofrohen lojtarë të tjerë. Tifozët ishin kundër rikthimit të 61-vjeçarit në skuadër, por Starova shprehet se tifozeria duhet ta ndihmojë klubin të dalë nga kjo situatë. “Falenderoj presidentin dhe gjithë kryesinë e klubit që menduan që vazhdimësinë e punës të ma besojnë mua. Kjo është një kënaqësi dhe respekt, por edhe një detyrim i madh siç është legjenda e Partizanit.

Fillojmë një kampionat me tre faza ditën e mërkurë. Ojektivi është të grumbullojmë më tepër pikë se të gjithë, duke filluar nga Skënderbeu që udhëheq me meritë kampionatin. Kemi tre ndeshje që duhet të grumbullojmë më shumë pikë se ato, po kështu me radhë Kukësi i vendit të dytë dhe të tjerët. Na duhet të jemi akoma më të bashkuar, i bëj thirrje dhe tifozërisë që nuk duhet të mërziten, ose të kalojë mërzitja sa më shpejt, në mënyrë që parulla që nuk e lënë skuadrën asnjëherë vetëm të bëhet realitet. Deri tani nuk ka munguar asgjë sa i përket përkrahjes gjatë 90 minutave, por lojtarët që të japin maksimumin duhet të kenë përkrahjen e tifozëve”, theksoi trajneri. Ai kërkoi nga drejtuesit që të ofrojnë në skuadër lojtarë të rinj në merkaton e janarit. “I kemi të gjitha mundësitë që të realizojmë objektivin që iu thashë me këtë grup që kemi. Nuk ka gjë për të fshehur që skuadra do përforcohet në janar. Por në harkun e tre fazave duhet të jemi të durueshëm. Kthesa nuk bëhet në mënyrë rrënjësore. Kemi një kampionat me tre faza dhe duhet të marrim pikë më shumë se rivalët. Kjo do na ngjitë lart në shkallët e tabelës dhe do na afrojë me ato objektiva madhore që ka Partizani”, u shpreh Starova.

Titulli kampion ishte objektivi kryesor i skuadrës por par startit të dobët tashmë është Kupa, trofeu kryesor për ekipin. “Kryesorja është Kupa, ndërsa tjetra nuk nxitoj të them por duhet të fitojmë më shumë se kundërshtari këto tre faza, por nuk mund ta përcaktoj deri ku mund të shkojmë. Shpresojmë sa më lart në kampionat”, theksoi trajneri.

Në lidhje me kritikat që i janë bërë Moxhit dhe ish-trajnerit Juliano, Starova tha se janë gjëra që ndodhin shpesh në futboll. “Nuk më intereson se çfarë thonë të tjerët. Jam i bindur se Iuliano është trajner i mirë. Ka pasur eksperiencë fantastike si lojtar, por për mosrezultatet, Iuliano nuk është i pari. Të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri nuk kanë kohën e duhur për të njohur futbollin shqiptar. Kjo është arsyeja që ai nuk pati rezultatet e duhura. Skuadra është stërvitur mirë, me disiplinë, ndryshe nga zërat që thonë të kundërtën.

Unë nuk vij nga jashtë, jam i klubit, dhe nuk ka ndarje në grupe në skuadër. Mungesa e rezultateve amplifikon shumë gjëra që nuk ekzistojnë. Kam fjalët më të mira për Iulianon, por edhe për Moxhin që ishte kryesori që më kishte mua kandidaturë të vetme. Nuk i zëvendësuam në nivelin e duhur të larguarit. Tani të bëjmë më të mirën”, theksoi Starova. Për sa i përket rikthimit si trajner ai tha se ishte detyrim pasi ishte brenda klubit. “Kthimi te Partizani është detyrim për mua sepse jam brenda klubit. Kam pasur disa pozicione në klub dhe të gjithë jemi kryesia e klubit”, përfundoi trajneri Starova.