Suela Bako: Arti, rruga e mundimshme në të cilën eci

Foto 1 nga 5 Pas Para

Nga Anila Dedaj

Suela Bako rrëfen pasionin për botën e teatrit dhe kinematografinë, vështirësitë për të bërë art në vendin tonë si dhe pasionin për poezinë. Copëza nga raporti me bashkëshortin Romir Zallën dhe fëmijët e saj, dy fjalë për të qenit artist dhe një mesazh për të rinjtë

Nëse doni të bëni më të mirën për këtë vend, shkoni në punë e bëni atje më të mirën tuaj, por mbi të gjitha duajini njerëzit tuaj. Janë këto fjalët e regjisores, skenaristes dhe aktores Suela Bako, e cila thekson se, gjërat e drejta janë më të vështirat për t’u arritur, por edhe ato që të bëjnë të ndihesh më shumë krenar për veten. Ajo rrëfen se është pikërisht falë dedikimit që i kushtoi rolit të Shpresës në filmin “Bloodlands” që u shpall një vit më parë aktorja më e mirë në “Nashville Film Festival”. Në këtë intervistë për “Shekullin”, aktorja shprehet se ai rol, së bashku me çmimin i dha shpresën se nëse punon me pasion dhe përkushtim, mund edhe të realizosh ëndrra. “Ky është çmimi më i madh që fitova, çmimi ndaj vetes”. Janë dy artist në një familje, së bashku me bashkëshortin Romir Zallën, fëmijët e tyre gjithashtu kanë provuar të luajnë në film, por Bako rrëfen se të bësh art në vendin tonë është tepër e vështirë.

Por a do të ndjekin fëmijët rrugën e prindërve? Nuk e ka të lehtë Suela t’ua këshillojë të rinjve shqiptarë e as fëmijëve të saj këtë rrugë, pasi tek ne arti nuk është një rrugë e shtruar, mundësitë janë të vakëta e, shpërblimi po ashtu… Mirëpo për të, liria dhe pasioni duket se kanë një vlerë të veçantë ndaj për dy fëmijët e saj shprehet: “Nëse ata asetin e tyre më të mirë, do ta kenë talentin dhe vullnetin në këtë fushë, të bardhë e paçin rrugën. “Unë do kisha zgjedhur t’ua kursej rrugën e mundimshme në të cilën eci çdo ditë të jetës sime”. Mirëpo artistja edhe në një situatë jo favorizuese si kjo e vendit tonë për artin, dhe si një njeri që beson në atë që bën dhe në ëndrra, shikon edhe gotën gjysmë plot. Ajo shprehet se fatmirësisht gjuha e artit është e përbotshme, artin secili mund ta çojë kudo dhe pavarësisht vështirësive mund të bëjë me të një magji.

Unë kam provuar të jem magjistare e vetes sime. Mes shumë mundimesh ma ka qëlluar edhe t’ja dal”. I veçantë është gjithashtu raporti që Suela Bako ka me të shkruarin, jo vetëm skenarë, por edhe poezi. Ajo rrëfen se ky është një pasion i ruajtur nga fëmijëria, që ka mundur të mbijetojë, ndoshta mes gjërave që kanë humbur. Të shkruarit, Bako e konsideron si një sfidë me vetveten. Diçka që lindi tek ajo si një dëshirë dhe nevojë për “t’i thënë” vetes disa gjëra me zë të lartë, më pas fakti që i ndante këto ndjesi poetike me të tjerë i falte kënaqësi. Ajo që nuk mund të mos vësh re tek çifti Bako dhe Zalla është pozitiviteti që përcjellin, komunikimi dhe qytetaria, edhe kur bëhet fjalë për të mbrojtur kauza të drejta si ajo e teatrit, apo të tjera. Për këtë dhe të tjera aktorja thekson bindjen e saj se është e pamundur të jesh artist i mirë, pa qenë një njeri dhe qytetar i mirë…

Suela cila ka qenë për ty shtysa për t’u bërë pjesë e botës së aktrimit?

Pasioni. Dëshira për të luajtur në skenë. Dëshira për të luajtur në film. Dëshira për të jetuar më shumë se një jetë, mbase kjo e fundit ca më shumë.

Cilat janë figurat që kanë influencuar tek ju në aspektin profesional, si artiste?

Jam rritur, si çdo vajzë e brezit tim, besoj, e dashuruar me figurat kinematografike të realizuara, nga  Tinka Kurti ( do veçoja nënë Pashakon), Drita Pelingu, Margarita Xhepa. Në teatër kur kam filluar të kuptoj mirë, kam ndaluar tek Yllka Mujo. Meryl Streep me “këput” ende, me sensualitetin dhe ndjeshmërinë, profesionalizmin e thellë. Sofia Loren dhe aroma e saj femërore përzierë me karakterin e fortë dhe talentin më vijnë si copëza influence nga fëmijëria… E di, unë nuk mund të them nëse duhet të përmend emra të cilët kanë influencuar tek unë. Tek unë influencon çdo gjë, çdo kush që më trazon telat e shpirtit.

Jepem e tëra, të qesh dhe të qaj, mund të më kapësh për hunde fare lehtë, boll të më bësh për vete. E them këtë, pasi, duke u përpjekur të gjej kush ka influencuar tek unë, gjej që ka influencuar çdokush, që më ka shoqëruar në hapat që kam bërë në profesionin tim, që nga mësuesja ime e teatrit kur isha fëmijë, mësuesja e letërsisë, që mburrej me mua se sa bukur i recitoja poezitë, pedagogu i mjeshtërisë së aktorit Niko Kanxheri, regjisorët dhe kolegët me të cilët kam punuar. Përpiqem të marr nga pak,  nga çdonjëri më të cilin bashkëpunoj, apo punën e të cilit vlerësoj, jam një vjedhëse e fshehtë energjish krijuese.

Ndihesh më komode në skenë apo në një set xhirimesh?

Ndihem komode, kudo ku bëj atë që dua. Komoditeti në krijimtari për mua, është përkushtimi. Përkushtohem sa mundem për çdo gjë që marr përsipër të realizoj.

Kë do të veçoje si eksperiencën më të vyer në karrierën tënde?

Në film, patjetër që është filmi “Bloodlands” . Roli i Shpresës, një rol i plotë, sfidues, plot ngjyra. Kam jetuar fort, atë kohë që kam xhiruar Bloodlands. Unë  e bëj këtë profesion se dua të ndihem gjallë, dua të kuptoj se deri ku mund të shkoj. Dua të tejkaloj vetveten. Më pëlqen të eksploroj brenda vetes, njësoj siç më pëlqen të eksploroj tek të tjerët. Shpresa, ishte gruaja që doja ta mishëroja, e tani mund të them se ja kam dalë.

Cilat janë vështirësitë që hasen në punën teatrale. Po në një film?

Vështirësitë janë të shumta, të ndryshme tek secili aktor. Unë kam një problem të madh me gjërat e lehta, nëse më ndodh të kem të tilla, i ndërlikoj vetë. Filloj grindem me veten për t’i bërë të vështira, ndryshe më duket proces i dështuar. Teatri ka magjinë, që ti duhet të bësh sikur për herë të parë, diçka që po e bën për herë të 100-të, ka magjinë e të përballurit me publikun në moment, psikofizika jote e momentit është psikofizika e personazhit,  nuk bën dot dubla, nuk vendos dot filtra, nuk bën dot montazh, ama, ti gjithmonë mund ta përmirësosh nesër… Është një proces krijues i cili mund të shkojë drejt perfeksionit, nëse ke qëlluar kërkues ndaj vetes. Filmi ka magjinë e diçkaje që bëhet njëherë e përgjithmonë.

Sigurisht ti mund të përmirësosh veten tënde nga dubli në dubël, por ai mbetet atje, një moment i fiksuar. Me kalimin e kohës ti duhet të përballesh me një moment të krijimtarisë tënde i cili ka ngrirë, ështe “murosur”. Gjithë ç’mund të bësh është që çdo sekondë prej “ka motor” deri tek “cut”,  të jesh në një dimension mes vetes dhe karakterit, pa mundur të gjesh dot ku fillon ai e ku mbaron ti.

Përmenda termin “magji”, në vend të termit “vështirësi”. Procesi i krijimit, është magjik, pavarësisht çdo vështirësie. Magjia qëndron tek vibrimi më i hollë, tek humbja e vetvetes, për t’u rigjetur në një dimension tjetër pas çdo krijimi. Kur çdo gjë ka mbaruar, krizat janë ndonjëherë të papërballueshme,  rënia në tokë mund të jetë sfilitëse, është pjesë e magjisë, edhe kjo.

Përveç skenarëve, shkruani poezi mjaft të bukura. Mund të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj?

Kam shkruar që e vogël. Shumë gjëra i kam humbur. Shumë të tjera i kam të ruajtura. Të shkruaj për mua është një eksperiment me veten, sfidë. Më parë, kam shkruar për t’i thënë vetes disa gjëra me zë të lartë, më pas fillova të më pëlqejë t’i ndaj me njerëz. Ndihem mirë, kur njerëzit i pëlqejnë, ndonjëherë edhe më vjen keq që i hedh idetë e mia “poshtë e lart” por më bën të ndihem mirë. Është një mënyrë, për të komunikuar ndjesi. E konsideroj si puna e pikturës. Varet si unë jam në thellësinë time për të lexuar ngjyrën e poezisë sime.

Ka mes tyre që më duken shumë naive, por jam në atë pikë të pjekurisë sime, që nuk më vjen turp ti pranoj edhe naivitetet apo mungesën e standardit prej poeteje të vërtetë. Unë nuk shkruaj për të qenë poete, shkruaj për të zbuluar veten. Shpesh poezitë i kam si ushtrime që ia bëj vetes, tip detyre shtëpie. Ndihem mire kur e kryej. E ç’rëndësi ka nëse marr notën 7 apo notën 10. Ndonjëherë mund edhe të ngel. Ashtu qoftë! Ama ndërkohë jam rritur një poezi më shumë. Poezitë e mia, janë kapituj të krizave, arritjeve dhe dështimeve të mia. Janë ndërveprime të munguara të qenies.

Do t’ua këshilloje të rinjve shqiptarë artin si zgjedhje profesionale?

Përballë kësaj pyetjeje ndihem e pafuqishme. Unë do këshilloja që çdo njeri të bëjë atë profesion që ka pasion, e thënë ndryshe të bëjë atë që di të bëjë më mirë. Por në lidhje me artin, në vendin tonë është kaq e vështire. Ama, arti ka gjuhë të përbotshme. Çdo njeri që zgjedh të merret me art gëzon të drejtën ta çojë artin e tij kudo ku mundet ta zhvillojë. Kështu me gjithë vështirësitë, edhe pse jo të vogla, secili mund të jetë magjistar i vetes së tij dhe ta shndërrojë artin e tij në magji. Unë kam provuar të jem magjistare e vetes sime. Mes shumë mundimesh më ka qëlluar edhe t’ia dal.

 

Dy aktorë në një shtëpi, thonë se talenti mbarset me genin. Fëmijët kanë pasur disa eksperienca me aktrimin, do të donit të ndiqnin rrugën tuaj?

Pak më sipër ju shpjegova me fjalë të varfra se sa e ndërlikuar është të merresh me këtë profesion. Nëse ata asetin e tyre më të mirë, do ta kenë talentin dhe vullnetin në këtë fushë, të bardhë e paçin rrugën. Unë do kisha zgjedhur tua kursej rrugën e mundimshme në të cilën eci çdo ditë të jetës sime.

A këshilloheni me Romirin për shfaqje të ndryshme? Cili është më kritik?

Po sigurisht. Vaktet dhe kafetë tona shndërrohen thuajse gjithmonë në takime pune, apo thënë ndryshe mbledhje, shpesh e padrejtë për fëmijët, që janë të detyruar të jenë prezent, por është e pashmangshme. Kam frikë se unë jam më kritike se ç’duhet. Ndonjëherë (shpesh) e teproj. Dua gjithmonë më shumë, edhe më shumë, edhe më shumë… Por edhe Romiri nuk mbetet mbrapa, ne jemi kritikuesit më të egër dhe adhuruesit më të flaktë të punës së njëri tjetrit. Por, sigurisht që jemi mbështetje e madhe për njëri-tjetrin.

Çështja e teatrit pa dashje zbuloi edhe një tjetër aspekt tuajin, por edhe të Romirit, ndjeshmërinë. Ne pamë një burrë “gjigant” që u  përlotet në “agore”. Ju po ashtu jeni emocionuar disa herë. A mendoni se të paktën tek artistët ky element duhet të jetë pjesë e tyrja, të jenë më human?

Unë e kam bindje që nuk mund të jesh një artist i mirë pa qenë një njeri i mirë, një qytetar i mirë. E di që bota e artit ka mes vetes edhe njerëz problematikë dhe qytetarë jo të denjë, por ata nuk bëjnë pjesë në parimet e mia mbi vlerat në art.  Kjo vlen dhe për ndjeshmërinë. Po, një artist, (është pak fjalë e madhe dhe unë nuk e kam në fjalor, por le të përkëdhelemi pak), nuk mund të jetë i tillë, pa ndjeshmërinë njerëzore.

Edhe në skenarë ju pëlqen të trajtoni padrejtësitë, në jetë gjithashtu bashkë me Romirin ju kemi parë që mbroni kauza të drejta. E shikoni këtë si një rrugë për ta bërë këtë vend më të mirë?

Nënë Tereza, ka një shprehje që e çmoj shumë, “nëse doni të bëni diçka për paqen në botë, shkoni në shtëpi e duajini njerëzit tuaj”. Nisur nga kjo, nëse doni të bëni më të mirën për këtë vend, shkoni në punë e bëni më të mirën në punën tuaj. Kur them më të mirën, nuk kam parasysh më të lehtën, siç, rëndom ndodh me njerëzit e vendit tim. Gjërat e drejta, janë gjërat më të vështirat për t’u marrë përsipër, por dhe gjërat për të cilat ndihesh më shumë krenar për veten.

Një vit më parë u shpallët aktorja më e mirë në rolin e Shpresës në “Nashville Fiml Festival”, (SHBA). Çfarë personifikon ky vlerësim për ju?

Shpresa, roli kryesor femër në filmin e regjisorit Australian Steven Kastrisios, së bashku bashku me çmimin, si aktorja më e mirë, në një festival të rëndësishëm, në SHBA, në seksionin ‘graveyard’, të filmit horror, më dha shpresën se nëse punon me pasion dhe përkushtim, mund edhe të realizosh ëndrra. Ky është çmimi më i madh që fitova, çmimi ndaj vetes. Sigurisht që nëse do jetoja diku tjetër mbase, do të kisha pasur më shumë mundësi ta çoj më tutje punën time, e të rritem më shumë profesionalisht, të realizoja më shumë role.  Fakti që jetoj këtu e bën të vështirë. Por unë, jam kokëfortë, nuk rresht së kërkuari hapësirën time. Diku, pas dere është, e ndiej!

Biografia

Suela Bako ka luajtur në filma të ndryshëm si “A Shelter Among the Clouds” (roli i Liries), “Bloodlands” një vit më parë ku erdhi si protagoniste, me rolin e Shpresës. Ka marrë pjesë gjithashtu në filmin “Krom”, tek “Bota” në 2014-ën ka qenë në rolin e Majlinda Priftit. Ka pasur po ashtu eksperienca në seri të ndryshme televizive si  “Radio Radio”. Bako ka qenë pjesë edhe e filmave të shkurtër si “Ardit”, “Zheg”, “Vdekja e gjyshit Trifon”. Filma të tjerë në të cilët ajo ka luajtur si aktore janë “Agon”, “ I dashur armik”, “Tideline”, “Letters in the Ëind” etj. Bako ka pasur vlerësime edhe gjatë punës së saj si skenariste dhe regjisore.

Me filmin e shkurtër “Darka” (ku marrin pjesë edhe bashkëshorti Romir Zalla dhe dy fëmijët e saj), ajo ka fituar edhe çmimin e filmit më të mirë në Festivalin e Gjakovës në 2014-ën. Firmën e saj mban edhe filmi “Mëngë këmishe”, me të cilën konkurroi gjithashtu në “Cannes Film Festival” në kategorinë e filmave të shkurtër. Dokumentari “Light”, ku Suela ka shkruar edhe skenarin është realizuar si bashkëpunim i saj me Yllka Gjolleshën. Në vitin 2017 Suela Bako u shpall aktorja më e mirë në “ Nashville Fiml Festival” që mbahet në  Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Karriera e Bakos përfshin gjithashtu angazhimet e saj si regjisore në kanale televizive. Është aktore në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet