Studimi për Fan Nolin dhe tezat e tij për gjuhën shqipe

Publikuar më 11. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Dr. Entela Komnino sjell librin “E vërteta për Nolin”. Ajo mendon se pushteti i letrave shqip dhe botimeve, ka qenë pushteti i vetëm i qartë, që shpjegonte koordinatat e Shqipërisë së asaj kohe. Sipas saj, kontributi i Nolit është unik, jo thjesht për botën e letrave shqip, por edhe për mendimin retorik botëror

Ligjërimi – Fjala shqip që tregon historinë e fjalës ose kodi të bërit “shqiptar”.

Një libër i ri për Fan Nolin, por sidomos një vështrim i ri për shqipen me të cilën Noli u bë shqiptar kanë hyrë së fundmi në tregun e mendimit shqiptar. Dr. Entela Komnino, autore e librit “E vërteta për Nolin”, rezervohet të thotë se përfundimet e arritura pas një shqyrtimi retorik të Fan Nolit, janë unike, jo thjesht për botën e letrave shqip, por edhe për mendimin retorik botëror.

Dhe kjo për faktin e thjeshtë se faktet e mbartura nga gjuha shqipe janë unike dhe i bëjnë të tillë të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë. Por mesa duket edhe në shpjegime të thjeshta, fakti gjuhësor i shqipes dëshmon gjurmë të krijimit e formulimit të mendimit nga më të hershmet në një gjuhë të gjallë sot.

Zonja Komnino, ju jeni shfaqur së fundmi me librin “E vërteta për Nolin”, i cili paraqitet të ngrejë teza të reja jo vetëm për ligjëruesin më të madh të kohëve moderne të shqiptarëve, por edhe për vetë gjuhën shqipe. Si mbërritët ju në këto përfundime?

Rrafshi retorik i Fan Nolit kapërcen shumëfish veprën e tij dhe arsyet gjenden jo vetëm në njohjen dhe zbatimin po të shumëfishtë të retorikës prej tij, por sidomos në proceset e “shqipërimit” të vetë Nolit, kur hyri në botën shqiptare, fillimisht si publicist. Situata që i “prodhoi” publicistët shqiptarë të fundfillmshekullit XIX-XX, ishte ajo që mua më rezultoi se më shpejt mund të bëheshe publicist shqiptar sesa shqiptar vetë. Koordinatat e vetme të Shqipërisë së asaj kohe gjenden të qarta vetëm në pushtetin e letrave shqip dhe botimeve, dhe ky ishte pushteti i vetëm i qartë i Shqipërisë atëherë. Kështu, kushtet sociobiografike të Fan Nolit, si autor nuk ishte e vështirë të të çonin tek Ligjërimi i tij, por me pikëpyetjen e madhe se çfarë përfaqësonte ky ligjërim që mbajti gjallë Shqipërinë dhe e bëri shqiptar Nolin e lindur në Turqi dhe jetuar kryesisht në SHBA.

Si e proceduat ju këtë pyetje të madhe?

Skema retorike për shqyrtime të këtij niveli u përpunua me ndihmën e Prof. Juergen Schutte në Freie Universitet Berlin. Atje u plotësua dhe shqyrtimi teorik për të treguar se cilat kushte biografike ndikojnë në tipologjinë e figurave retorike. Por ky proces u gjend përpara një befasie të madhe, kur një përdorim gjuhësor i Nolit nga shqipja e vjetër përkoi me një funksion të hershëm retorik (e ashtuquajtura “dhanorja etike” e shqipes krahasimisht me premium të retorikës). Befasitë u bënë të njëpasnjëshme kur fjalët shqip u vendosën në shqyrtime funksionale sipas kuptimeve që mbartin dhe me të cilat përdoren ende sot, duke dalë tek të vërteta për të cilat bota shkencore ka ndalur me hamendësime shkaqesh gjuhësore që vetëm shqipen nuk e konsiderojnë.

Është kjo e vërteta që kërkon të na tregojë titulli?

Çdo shqiptar ligjëron sot, pa e ditur se me këtë akt dhe fjalën “LIGJËRIM” të këtij akti përcjell fillimet e gjuhës dhe mendimit njerëzor. Ligjërimi, me të cilin është lidhur si sinonim fizik Fan Noli, mbart ende sot me tinguj e kuptime të folurin dhe gjykimin njëkohësisht, pra mendimin e artikuluar. Një shqiptar ligjëron kur flet, por edhe ligjërohet ose përligjet për të drejtën e paraqitur me ligjërim, këndon kur ligjëron si bilbil e madje mund të qajë me ligje. Prania e rrënjës “ligj” në fjalën që paraqet të folurën në shqip, është si një inskenim i historisë së retorikës që pranohet të ketë lindur nga mbajtja e fjalës për t’u mbrojtur ose për të akuzuar në poliset greke.

Vendimi që ka dalë pas aktit ligjërues, ka patur të bëjë me proceset dhe ligjet e para njerëzore. Të gjitha proceset pasqyruese të fjalës LIGJËRIM rrugëtojnë edhe kalimet nga Deus legislator (si krijuesi I parë) tek ligji i natyrës dhe natyra e ligjit, që shkencëtarët e kanë të vështirë ta ndajnë sot. Fjala shqipe “LIGJËRIM”, e shpjegon edhe këtë proces përmes argumentit gjuhësor ndërkombëtar që gjurmon rrënjën Logos dhe Leg (si fjalë dhe ligj) në fjalët e gjuhëve kryesisht të vdekura. Në shqip sipas frymës e germës qëndron “LIGJËRIM”, me të dy kuptimet kryesore të Logos e Leg në një fjalë si akt i të folurit dhe gjykim.

Noli zbulon kapacitetet e retorikës në shqip

Tezat tuaja janë koncepte të reja, apo vështrime të reja të figurës së Nolit dhe kulturës shqipe?

Studimi i Nolit sipas skemës retorike të përshkruar më lart, nxiti proceset e vlerësimit të gjuhës shqipe, fillimisht në termat ose funksionet retorike, për të nxjerrë risitë e Nolit në terrenin e letrave shqipe. Po befasitë e përfundimeve prekin edhe vetë emrin ‘retorikë’, të shpjeguar deri tani nga fjala greke ‘retor’ që tregon atë që mban fjalën, por jo se nga del gjuhësisht procesi i të mbajturit të fjalës. Pra shpjegimi ngec tek një fjalë që duhet shpjeguar vetë përsa kohë është personi që e ushtron këtë cilësi. Në fakt rrënja ‘tor’ që krijon asosacione tingullore dhe kuptimore me procese të treguara të Kullës së Babilonisë, në shqip gjendet brenda fjalës ‘torua’ (arsye, shteg guxim), madje në variantin që e ke humbur atë, siç përkon legjenda kur gjuhët u ngatërruan.

Më tepër se përkime tingullore, janë bartjet situative të përdorimit të fjalëve e kuptimeve të lëna në to, ato që çelin shtigje të paneglizhueshme më në shpjegime për përkime tingullore të shqipes me gjuhë të tjera që edhe njerëzit e thjeshtë i gjejnë se janë. Pra kur konstatojmë retorikën e Nolit, nuk është thjeshtë çështje ushtrimi të shumëfishtë të saj prej tij, se sa zbulimi përmes Nolit të kapaciteteve të retorikës në shqip. Kodi i të bërit shqiptar është shfaqur në skajshmërinë e vet në kohën e rilindasve shqiptarë. Ata jo vetëm që u bënë të tillë, por ekzistuan përmes publicistikës e kulturës shqipe edhe për gjithë pushtetet e tjera të munguara të Shqipërisë.

“Shqipja, nga gjuhë e mbijetuar e shqiptarëve të mbijetuar, në një retorikë gjithëshpjeguese”

Pra ju konstatoni praninë e politikës në këto zhvillime që kalon automatikisht edhe në tezat kulturore?

Në terma më konkretë është ajo që unë e kam konstatuar si konsiderim i faktorit ‘troje’ si substancëformues në gjuhë. Gjuhësia dhe kultura sot studiohen me faktorë tokësorë edhe kronologjikë siç I ka vendosur njeriu, kur dihet që të paktën gjuha e kapërcen jetën e një njeriu madje dhe gjithë atyre që e flasin, deri në limite të paarritshme siç tregojnë edhe hamendjet e prejardhjeve të fjalëve bazë.

Klasifikimet gjuhësore me raporte mëmë -bijë, ku “mëmë” bëhen gjuhë të barasvlershme në sistem me atë “bijë”, referon faktorin ‘troje’ dhe jo atë gjuhësor, dukuri kjo që edhe kështu e klasifikuar nuk e ka vënë asnjëherë vetveten të tregojë ngjashmëritë mëse të dukshme të Trojës, Dardanëve e emrave të kohës së miteve e legjendave me shqipen e sotme të folur.

Si do ta përkufizonit ju vetë prurjen më të madhe të Nolit në këto terma të shqipes?

Institucion i mendjes më shumë se i rrethanave të atyre që e flasin, gjuha shqipe provon se cilësia e saj për ta ruajtur faktorin shqiptar edhe pa ‘Trojën’ edhe pa ia njohur Homerin e Dardaninë, por kryesisht në memorje e letra, zbulon një substancë bazë mendore gjuhësore, më vepruese për gjallimin e saj dhe e paasgjësueshme, krahasuar me atë të trojeve apo administratave.

Atdheu në të cilin jetoi Noli, i marrë me mend e madje me “frymë”, me emrin/kohë – “Shqipëria, çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, në veprimin shkrimor e kombiar të Nolit, rezultoi pragu i një përfundim madhor: shqipja, nga gjuhë e mbijetuar e shqiptarëve të mbijetuar, në një retorikë gjithëshpjeguese me pretendime deri tek vetë “retorika’.

M’u sipas shpjegimit të ëndrrës, duke vazhduar të jetë në ëndërr tjetër – atë të shkrimit, fabula historike magjike që rri në të njëjtin vazhdim me fabulën jetëshkrimore të Nolit dhe atë të institucionit shqiptar të besimit, qartëson tregimin faktik të Nolit edhe në kushtet e jashtëzakonshmërisë. Jetëpërshkimi i Nolit dhe krishtpërshkrimi i përkthyer kanë prodhuar sipas një ngjizjeje të përbashkët reale/frymë të njëjtin korrelacion të llojit “realitet shqiptar/shqip”. Këtu pyetja retorike që mund të konsiderohet më aktualja e kulturës përcjellëse shqiptare –

“a është Skënderbeu, madje sa i gjallë” e ngritur gjithë jetën nga Noli, është në kushtet e një kapaciteti shëtitës, i njëjtë me atë të kohës që e krijoi Heroin kombëtar dhe e risolli për rikonfirmimin e shqipes në raporte kaq komplekse të mendësisë së përmbajtur në gjuhë, por e thjeshtuar për kuptim nga kapaciteti i pyetjeve të ekzistencës si ato për Krishtin me referencë substancën themeluese – Zotin.